Ejll Zagreda, gardist besnik dhe i besueshëm i Titos

Speciale

Ejll Zagreda, gardist besnik dhe i besueshëm i Titos

Nga: Gjekë Gjonaj Më: 28 shtator 2016 Në ora: 21:40
Ejll Zagreda

Vetëm tani, pas  më se shtatë dekadash Ejll Zagreda, veprimtar dhe humanist i dalluar i diasporës shqiptare nga  fshati Reç i Komunës së Ulqinit,   pranoi të rrëfejë   njërin prej “sekreteve” më të mëdha   të  pjesëmmarrjes në gardën  e sigurimit të jetës së Josip Broz Titos,   njeriut i cili  për mbi gjysmë shekulli  drejtoi Partinë Komuniste të Jugosllavisë dhe qëndroi në krye të këtij shteti derisa vdiq. Ai  pranoi të rrëfejë disa copëza historie  nga pjesëmarrja e tij në Luftën Nacionalçlirimtare të Jugosllavisë dhe nga  jeta e  Komandantit Suprem të Forcave të Armatosura, për hirë të së vërtetës. Atëherë kur në Jugosllavi zhvilloheshin luftime të mëdha  dhe të ashpra për çlirimin    nga  gjermanët dhe çetnikët , saktësisht në tetor të vitit 1944   Ejll Zagreda në moshën 19 vjeçare bëhet pjesëtar i armatosur    i Ushtrisë Nacionalçlirimtare  të Jugosllavisë.  

Si partizan së pari   ka  luftuar në Cetinë, për të vijuar pas pak javësh në Beranë, prej nga  ngjitet këmbë   bashkë me ushtarët  e tjerë të Brigadës së Shtatë të Rinisë  nëpër male me dëborë të madhe dhe temperaturë  ekstreme deri në bjeshkën e Bjellasicës  të Kollashinit. Atje  ka luftuar tri javë ditë e natë.  Më pastaj  ka vazhduar luftimet nëpër  Bosnjë  e Hercegovinë, Kroaci dhe Slloveni.   Më 9  maj 1945, kur ndodhej   në Cele  të Sllovenisë, eprori  i Brigadës së tij   nga Boka me origjinë shqiptare, emri i  të cilit tani nuk i kujtohet,  e  fton   në zyrën e tij  dhe i kumton se ka vendosur  ta   çojë në një detyrë të shenjtë ku pak kush shkon. Në gardën e Titos, në të cilën  i çojnë ushtarët më të veçantë, për të cilët mendohej se posedojnë vlerat më të larta njerëzore.

 “ Ti si shqiptar besoj se e meriton   këtë detyrë kaq të  besuar. Për këtë unë  si njeri me origjinë shqiptare jam më se i sigurt”, më tha  eprori im ushtarak, tregon  Zagreda. Në rekonadimin e tij  dërguar Shtabit të Përgjithshëm të Ushtrisë së Jugosllavisë , ndër të tjera,   kishte shënuar se   ushtari i tij i preferuar Ejll Zagreda  është  i devotshëm. Besnik. I disciplinuar. I besueshëm. I përkushtuar. I sjellshëm. Dhe kështu,  vazhdon rrëfimin Zagreda, pasi më pranuan në këtë strukturë     të specializuar ushtarake për ruajtjen e Presidentit të Jugosllavisë, më transferuan me detyrë  në Beograd,  në rezidencën e Titos në Bijeli Dvor në Dedinje. 

Zagreda  ndjehet krenar  për faktin se  në atë kohë ka qenë  në këtë trupë  të zgjedhur ushtarake dhe në këtë institucion  nderi e bese për shkak se, siç thotë ai,   ka qenë  privilegjë e njerëzve të veçantë. Dhimbjen dhe respektin për Titon nuk e mësheh.  “ Sa  kemi mbërrijtur në  Dedinje na kanë dhënë dy uniforma ushtarake të gardës dhe një uniformë civile. Natën e parë më kanë dërguar në Centralin telefonik. Aty ia kam filluar punës në ora tetë të mbrëmjes të regjistroj  të gjitha telefonatat   deri në  ora tetë të mëngjesit, kur  edhe ia kam dorëzuar komandantit të brigadës.  Pas  gjashtë muajsh me disa gardistë të tjerë kemi  ruajtur depon e verës në Vërshac. Me të kthyer nga Vërshaci gjithë kohën kam  ushtruar detyrën e gardistit të Titos.  Takimi im i parë me Titon ka qenë në menzën e gardistëve. Derisa hanim drekën Tito  papritmas hyri brenda. Të gjithë ne   në shenjë respekti  u çuam në këmbë dhe e përshëndetëm. Ai na u drejtua me fjalët : “Kësaj here nuk do t’ju ndëshkoj, për shkak se u çuat në këmbë me kafshatë në gojë. Por herën tjetër nuk do t’ju fali nëse e përsërisni gabimin e sotëm.  Derisa jeni duke ngrënë askujt mos ju çoni në këmbë. Pra , as mua”.  

Për më tej,detyra e çdo pjesëtari të gardës ishte e shenjtë, sepse lidhej drejtëpërsëdrejti me besën se do  t’i shërbejmë   presidentit Tito deri në çastin më sublim. Ne ushtarët e gardës , vazhdon rrëfimin Zagreda,  kishim  për detyrë  që me përkushtim e profesionalizëm  të kryejmë njëzet e katër orë   misionin tonë fisnik  për të siguruar jetën e Titos. “Në mënyrë të përgjithshme  veprimtaria jonë  përfshinte  zbatimin e porosive të Komandantit Suprem të Forcave të Armatosura, qëndrimin  në rezidencën e tij, shoqërimin e tij  në Jugosllavi dhe jashtë saj,  udhëtimet e tij , vizitat  e tij zyrtare,  pushimet e tij. Po ashtu edhe paraqitjen dhe përcjelljen  e personave të ndryshëm që takoheshin me  Titon si dhe kontrollin e përditshëm të sistemit të sigurimit fizik. Kjo kërkonte jo vetëm dashuri e përkushtim ndaj  Presidentit, por sidomos përgaditje të larta teorike, profesionale e fizike.Kishim për detyrë të mendonim vetëm për rrezik”, pohon Zagreda. 

Sipas fjalëve të Zagredës Presidenti i përjetshëm i Jugosllavisë Josip Broz Tito   ka qenë shumë i dashur e njerëzor me  gardistët, të cilët nuk  kishin të drejtën e komuinikimit me të.  Herë –herë ishte i gëzuar. Herë  i padisponuar. Ndonjëherë  edhe  i hidhëruar. Ishte shumë energjik. I palodhshëm. Të gjithë e adhuronin.  E donin  dhe e respektonin. Veçmas gëzonte autoritet dhe besim të jashtëzakonshëm , qind për qind,  nga radhët e ushtarëve dhe oficerëve. 

Zagreda tregon se Presidenti i Republikës Federative Socialiste të Jugosllavisë  përveç politikës gjente kohë edhe për pushim e argëtim . Pasioni më i madh i tij ishte gjahu. Ky lloj sporti për të ishte  pjesë e pashmangshme e politikës.  Ishte gjahtar jashtëzakonisht i përsosur. Gjuante tërë ditën  në pyje  pa ndier lodhje me Kardelin, Tempon, Stamboliqin e  figura të tjera të larta shtetërore e ushtarake. Kënaqej kur vriste ndonjë kafshë të egër.

Zagreda dy vjet e gjysmë  me përkushtim kryen detyrën  e besuar. Përgjatë kësasj periudhe dy herëe ka  ruajtur Titon. jashtë Beogradit.   Herën e pare   gjatë vizitës  që ai i bëri Sarjevës. Kurse herën e dytë kur ai vizitoi Zagorjen në Kroaci. Nga   momentet interesante të të  qenurit gardist   përmend  pritjen dhe përcjelljen  e diktatorit shqiptar komunist Enver Hoxhës gjatë takimit me   Titon në Beograd. “ Më kujtohet si sot kur shkuam në stacionin e trenit për ta pritur Enver Hoxhën, të cilin e përcollëm me masa të largëta të sigurisë në Dedinje dhe të njëjtën ditë  e përcollëm në kthim  në stacionin e trenit”., shprehet Zagreda.Ai shton se  një ditë para se të dorëzonte këtë detyrë të besueshme ushtarake Tito  në ndarje  u kishte thënë  gardistëve të  vet ashtu si më keni shërbyer mua me devotshmëri ashtu  vazhdoni të silleni  tash e tutje. “Nga këtu rrjedh uji i kthjellët, por mund të turbullohet rrugës . Secili nga ju  për çdo  nevojë tuajën  e keni derën e hapur tek unë”, na tha  Tito  në ndarje.

Më të lexuarat
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat