A do e ‘lëshojë’ Trump Ballkanin?!

Speciale

A do e ‘lëshojë’ Trump Ballkanin?!

Nga: Vladimir Karaj Më: 7 janar 2017 Në ora: 18:13
ilustrim

Një diplomat në Prishtinë i tha MAPO se në rast të një ndarje zonash influence mes Uashingtonit dhe Moskës nën qeverisjen e Trump, shqiptarët do të dilnin më të fituar dhe qartësisht në krah të SHBA-ve, por politika e jashtme e presidentit të zgjedhur mbetet ende një mister për t’u deshifruar, ndërsa ndikimi i saj në Ballkan mund të jetë i fortë

Politika e Jashtme e Presidentit të Zgjedhur Donald Trump, mbetet një mister për pjesën më të madhe të atyre që e kanë analizuar atë. Trump jo pak herë, edhe tashmë në pozicionin e presidentit të zgjedhur, i ka “habitur” të gjithë. Ai filloi thuajse menjëherë një luftë deklaratash me Kinën, ndërsa duket se po vijon një “flirt” me Moskën, i shtyrë drejt kësaj edhe për shkak të nevojës të legjitimojë zgjedhjen e tij, e vënë në dyshim nga raporte të shërbimeve inteligjente si e influencuar nga hakerat e sponsorizuar nga agjenci pranë Rusisë. Zgjedhja e Sekretarit të Shtetit u lexua nga media, e shpallur tashmë prej kohësh nga Trump si “armike”, vijim i këtij “flirti”. I habitshëm ishte edhe urdhri i Trump për të ndryshuar menjëherë ambasadorët e emëruar politikisht nga paraardhësi i tij. Praktikisht këta ambasadorë (që cilësohen zgjedhje politike) dorëzojnë dorëheqjet e tyre në pak muaj pas ndërrimit të presidentit, por Trump këmbëngul që largimi të jetë i menjëhershëm.

Kjo prirje drejt “surprizave” e bën gati të palexueshëm Trump, dhe në Ballkan ku politika amerikane ka qenë vendimtare në proceset e post-luftërave, kjo shkakton jo pak dhimbje koke. Profesori i Menaxhimit të Konfliktit dhe eksperti i njohur i çështjeve të Ballkanit Daniel Serwer shkruante në Nëntor të vitit që shkoi se kjo qasje e Trump për t’u afruar me Rusinë mund të ishte katastrofike për Ballkanin. “Por më e keqja mund të ndodhë. Trump dëshiron të përmirësojë marrëdhëniet me Rusinë dhe mund të tundohet që t’iu lëshojë atyre gjëra me vlerë. Për shembull të pranojë aneksimin rus të Krimesë dhe vetëm kjo mund të nisë një seri ndarjesh të bazuara etnikisht jo vetëm në Ukrainë, por edhe në Gjeorgji, Moldavi, Bosnjë, Kosovë apo Maqedoni. Do ishte një mrekulli nëse këto ndarje do të ndodhnin paqësisht”, shkruante Serwer, ndërsa parashikon se ky zinxhir ndarjesh mund të sillte sërish luftëra dhe pastrime etnike në rajon.

Nacionalistët serbë e lexuan me gëzim fitoren e Trump në SHBA. I akuzuari për krime lufte, Vojisllav Sheshel, këndoi një këngë çetnike për të përshëndetur fitoren e Donald Trump në SHBA në nëntor të këtij viti. Sheshel shpreson, që qëndrimet e Trump në fushatë për myslimanët dhe Rusinë të kthehen në politika të Uashingtonit dhe ai shpreson se kjo në një mënyrë do të ndihmojë kauzën e tij dhe nacionalistëve për të rimarrë Kosovën dhe Bosnjën apo rivendikuar pozicionin e Serbisë në Ballkan.

Por ndërsa ishte në Universitetin Europian të Tiranës, Presidenti i Kosovës Hashim Thaçi tha se në Prishtinë kishin garanci për vijimin e marrëdhënieve të mira me Uashingtonin. “Nuk është më sekret që të deklaroj se kemi vendosur kontakte direkte me administratën e re të Presidentit Donald Trump dhe se kemi marrë siguri se, bashkëpunimi special mes SHBA-ve dhe Kosovës do të vijojnë në traditën e deritanishme, të një bashkëpunimi special”, -ka deklaruar gjatë fjalës në Forumin Liberal të UET-së, Presidenti i Kosovës, Hashim Thaçi.

Enri Hide, ekspert në marrëdhëniet ndërkombëtare, i tha MAPO-s se as ai nuk besonte në një ndryshim të madh në politikën e SHBA në Ballkan. “Ballkani bën pjesë në atë që quhet ‘buffer zone’ e përplasjes midis Perëndimit dhe Rusisë. Historia ka treguar se është shumë e vështirë që politika e jashtme amerikane të ndryshojë në akset e saj kryesore në mënyrë drastike fill pas zgjedhjes së një presidenti”, tha Hide për MAPO. Megjithatë ai vë në dukje se ende ishte e vështirë të lexohej politika e jashtme e Trump. “Por në fakt nuk ka një axhendë të mirëstrukturuar të Trump-it në politikën e jashtme, përveç tezave të hedhura për konsum të brendshëm politik, populist. Shumë prej këtyre tezave kanë ndryshuar, janë tërhequr apo janë modifikuar sapo kanë hasur kundërshtitë e forta të partnerëve, aleatëve apo aktorëve të tjerë”, thotë Hide.

Por ashtu si Serwer ai pranon se megjithëse presidenti i ri nuk e ka pasur në axhendën e tij të politikës së jashtme “këmbimin e zonave të influencës” me Rusinë, nëse kjo do të ndodhte situata nuk do ishte e mirë. “Por nëse do të ndodhte kjo do të sillte edhe reagime të forta evropiane, me pasoja edhe ushtarakisht të pakontrolluara”, tha Hide.

Marcus Tanner, redaktor për Rrjetin Ballkanik të Gazetarisë Investigative, BIRN dhe gazetar në Ballkan prej fundit të viteve 90’, shkroi në nëntor duke renditur shqiptarët dhe boshnjakët si humbës në zgjedhjen e Trump, por edhe ai e pranon se “Me “Donaldin” e gjithë kjo është punë hamendësuese. Me mungesë eksperience në qeverisje, pa qenë kurrë kryetar bashkie e aq më pak senator, politika e jashtme e këtij manjati pronash nga Nju Jorku është qartësisht një punë në progres e sipër”.

Shqetësimi kryesor i analistëve është se një tërheqje (izolacionizmi duket si zgjedhje e Trump në politikën e jashtme) i SHBA-ve nga Ballkani do rriste rolin e Rusisë në rajon dhe kjo nuk do ishte fort e mirë për demokracitë e brishta, të gatshme për të fluturuar në krahë të autoritarizmit. Moska është tashmë e pranishme më shumë se kurrë në dy dekadat e fundit në të gjithë rajonin. Ajo është duke përdorur media dhe OJQ për të influencuar politikat në shumë prej këtyre vendeve dhe në disa prej tyre ka ithtarë të flaktë.

“Influenca ruse shtrihet në sektorët ekonomikë, energjetikë dhe mediatikë në disa vende të Ballkanit. Ka rritje të influencës edhe brenda disa lëvizjeve politike, si në Bullgari, Rumani, Mal të Zi, Serbi dhe Maqedoni, ku tre të parët janë anëtarë të NATO-s (Mali i Zi bashkohet së shpejti formalisht). Influenca ruse ka prirje të rritet edhe ushtarakisht, sidomos pas marrëveshjeve të fundit të blerjeve të avionëve dhe platformave të avancuara ushtarake të Rusisë nga Serbia”, tha Hide. Por ai thotë se rivaliteti mes SHBA dhe Rusi për influencim në këto vende do të vijojë dhe se Uashingtoni nuk pritet të largohet nga rajoni. “Politika e jashtme e fuqive të mëdha historikisht është rezultante e determinizmit gjeografik, pra e interesave gjeopolitikë, të shtrirë përgjatë hapësirave të gjata kohore. Rusia ka qenë kundërshtari kryesor i Shteteve të Bashkuara gjatë gjithë historisë së angazhimit amerikan në kontinentin evropian fill pas Luftës së Dytë Botërore. Si përfundim nuk mund të gjykohet politika e jashtme e një superfuqie si SHBA nga tezat elektorale, të pastrukturuara, të hedhura për interesa momentale populiste”, tha ai për MAPO.

Diplomatë në Prishtinë ndërkohë ishin edhe më optimistë. Një prej tyre i tha MAPO në kushte konfidencialiteti, se edhe nëse do shtrohet skenari i ndarjes së influencave, kjo do jetë pozitive për shqiptarët. “Kjo do të sjellë një ndarje të qartë, ku shqiptarët do të jenë më fort në krah të SHBA-ve dhe Serbia e vende të tjera në krah të Rusisë”, tha ai. Ai shpjegoi se faktori shqiptar thjesht do përforconte qëndrimin e tij pro amerikan dhe vijonte nën ndikimin e Uashingtonit, madje duke marrë nga kjo edhe një Kosovë më të fortë në pavarësinë e saj.

Bashkimi Europian, i cili ka qenë i paqartë deri tani dhe jo shumë i vendosur në përballimin e kësaj loje mes dy superfuqive, duket sikur po merr përsipër t’i bëjë ballë Moskës. BE ka lëshuar një rezolutë jo shumë kohë më parë për të kundërshtuar propagandën ruse, ndërsa është duke synuar të ndalojë ndikimin rus në zgjedhjet që pritet të mbahen gjatë këtij viti.

Fakti që Rusia ka gjetur dhe iu ka dhënë mbështetje ekstremeve të djathta brenda BE është tashmë i njohur. Akti më i fundit i përplasjes është ai i Parlamentit Europian, i cili i vendosi faqet dhe mediat ruse që shpërndajnë propagandë anti-BE në krah të mjeteve që përdor ISIS. Më herët krerët e shërbimeve inteligjente në Britani dhe Gjermani paralajmëruan hapur për përpjekjen ruse për të futur hundët në zgjedhjet e 2017-s.

Ndërkohë në sqarim të rezolutës raportuesja e PE tha se “shumë vende janë tani të qarta mbi disinformimin dhe manipulimin” që vjen nga Moska. Ajo thotë se edhe ky raport u sulmua nga propaganda. Sipas rezolutës që u votua në shumicë, propaganda kundër BE dhe vendeve anëtare ka për qëllim “të mjegullojë të vërtetën, provokojë dyshim, ndajë BE nga partnerët Amerikano Veriorë, të paralizojë vendimmarrjen, diskreditojë institucionet e BE dhe të nxisë frikë dhe pasiguri ndër qytetarë”.

Bledi Lami, pedagog në UET, shkruan në një artikull për MAPO se Europa nuk i ka fort të mira shanset, ai sidoqoftë parashikon se as Trump nuk do të tërhiqet nga disa pozicione të SHBA në Europë. “SHBA do të ndjekë me vëmendje 2017-n në Europën plakë. Zgjedhjet në kolonat e Bashkimit Europian – Francë dhe Gjermani – dhe, ndoshta, zgjedhjet në ekonominë e tretë më të madhe të eurozonës – Itali – do të ndikojnë në të ardhmen e Unionit. Duke qenë se shumë analistë kanë parashikuar shpërbërjen e BE-së, edhe sikur ekstremistët të mos fitojnë më 2017, deri më tani në Europë janë vënë re fragmentime të shumta. Në këtë spektër, SHBA duhet të jetë e pranishme – si një menaxhere e aftë – për të forcuar Unionin, të cilin e ka aleat të besueshëm që i shërben – ndër të tjera – për të përmbajtur luanin rus”, shkruan Lami. Ndërsa duket se është ende herët për të bërë parashikime, loja nuk duket se ka për të qenë e lehtë dhe as e lexueshme.

Më të lexuarat
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat