Nga havjari, deri tek armët. Aleanca historike mes rusëve dhe Damaskut, për Mesdheun

Speciale

Nga havjari, deri tek armët. Aleanca historike mes rusëve dhe Damaskut, për Mesdheun

Më: 17 qershor 2017 Në ora: 02:33
ilustrim

Të dërguarit e Moskës ishin paraqitur në Damask menjëherë pas shpalljes së pavarësisë së Sirisë, në 14 prill 1946. Superfuqia u ofrua që të ndihmojë Sirinë, sapo kjo doli prej mbërthimit kolonial francez, për të ndërtuar shtetin e ri. Siç dihet, një mision i dështuar. Bota e ndarë në dy blloqe, e shtyu më pas Bashkimin Sovjetik që të vihej në anën e Egjiptit dhe të Sirisë gjatë krizës së Suezit në vitin 1956. Egjipti u humb pak kohë më pas. Por jo Siria, e cila me dritaren e saj në Mesdhe, mes Tartusit dhe Latakias, do të mund të ofronte mbështetje jetike për flotën sovjetike në Detin e Zi

Ka qenë një kohë, diku nga mesi i viteve ’90, kur në Damask lulëzonte një treg i zi shumë i pasur, i ikonave të lashta dhe havjarit. Ky trafik pamjesh të shenjta dhe perlash të zeza, ishte një shenjë e pangatërrueshme e pranisë së Rusisë në Sirinë e Hafez al Assadit, babai i presidentit aktual, Bashar. Një prani ajo e rusëve që, pikërisht për arsye se është e lidhur me fuqinë e makinës ushtarake ruse, e cila kish dalë e bërë copë-copë nga tre luftëra me Izraelin, ishte e mbështjellë nga një fshehtësi maksimale. Edhe sot, në disa rrugë të kryeqytetit sirian, pavarësisht atentateve dhe goditjeve me mortaja të rebelëve, gra në moshë, me pamje dhe theks të pangatërrueshëm rus, nuk heqin dorë nga tregtia e tyre e vockël e shallëve dhe gjerdanëve të qelibartë.

Eshtë i fundit vend i botës, ku mund të kesh arsye të thërrasësh “Obobo, erdhën rusët!”, duke dyshuar një ndërhyrje të armatave të Putinit, në mbështetje të regjimit të lëkundur të Bashar al Assadit. Kjo, për arsyen e thjeshtë se rusët, në daç si “këshilltarë ushtarakë”, në daç si teknikë nafte, apo në daç si ekspertë të veprpimtarive dypalëshe nga më të ndryshmet (nga turizmi, tek kërkimet), në Siri kanë qenë të pranishëm gjithmonë, madje që përpara se familja Assad të vinte në pushtet.
Të dërguarit e Moskës ishin paraqitur në Damask menjëherë pas shpalljes së pavarësisë së Sirisë, në 14 prill 1946. Superfuqia u ofrua që të ndihmojë Sirinë, sapo kjo doli prej mbërthimit kolonial francez, për të ndërtuar shtetin e ri. Siç dihet, një mision i dështuar. Bota e ndarë në dy blloqe, e shtyu më pas Bashkimin Sovjetik që të vihej në anën e Egjiptit dhe të Sirisë gjatë krizës së Suezit në vitin 1956. Egjipti u humb pak kohë më pas. Por jo Siria, e cila me dritaren e saj në Mesdhe, mes Tartusit dhe Latakias, do të mund të ofronte mbështetje jetike për flotën sovjetike në Detin e Zi.

Jetike, sepse në analizat e strategëve rusë, që nga periudha cariste, një humbje në njërin prej deteve fqinj është e barazvlefshme me një humbje në të dy detet. Kështu lindi shkëmbimi, i vulosur prej një marrëveshje miqësie dhe bashkëpunimi të firmosur, për Sirinë nga babai i Assadit dhe për BRSS-në, nga Brezhnjevi dhe Cernenko.

Gjatë kësaj kohe, Moska ka furnizuar me armë Damaskun, në një vlerë prej 13 miliardë dollarësh (një borxh, 3/4 e të cilit më pas do të falej në vitin 2006), në këmbim të mundësisë së vendosjes së një baze “furnizimesh dhe mirëmbajtjeje” për flotën sovjetike në Mesdhe, në Tartus, një qytezë e ndodhur mes kodrave të fortifikuara dhe detit, 40 km larg Latakias dhe 300 km larg Damaskut.
Tartusi, Latakia dhe kodrat përreth janë edhe bastion i alavitëve, sekti me prejardhje shiite, në të cilin bën pjesë edhe familja Assad (dhe është një prej paradokseve të historisë, që janë pikërisht kolonizuesit francezë që ngritën rajonin e alavitëve në rangun e rajonit autonom, si dhe që përdorën atë pakicë për të konsoliduar pushtetin e tyre).

Sot mund të supozohet që Assadi i vjetër mund të ketë vendosur të pranojë anijet sovjetike në Tartus, për të garantuar një super mbrojtje në rast nevoje? Atëherë, ndoshta do të kish qenë e tepruar të mendohej një llogari e tillë. Por sot, me regjimin që po humbet kontrollin e pjesëve gjithnjë e më të mëdha të territorit, ndaj formacioneve të rebelëve, tashmë pothuajse të gjithë islamikë, analistët ushtarakë i referohen boshtit Damask-Homs-Latakia, si llogorja e fundit, ku Asadi mund të tentojë të rezistojë, një lloj korridori shpëtimi. Dhe sigurisht, fakti që në Tartus ndodhen anijet e Putinit, mund t’i ofrojë presidentit sirian një mundësi më shumë për mbijetesën.

Në të vërtetë, ndihma ruse për regjimin e Damaskut, gjatë të gjithë luftës që nisi me revoltën popullore të vitit 2011, por që më pas u shndërrua në luftë civile, e më pas në luftë me sfond politiko-fetar mes fuqive rajonale, ka ardhur paralelisht, si në fushën ushtarake, ashtu dhe në atë politike e diplomatike. Rusia ka besuar gjithmonë se ushtria besnike ndaj Basharit, me mbështetjen vendimtare të militantëve shiitë libanezë të Hezbollahut dhe me ndihmën e këshilltarëve iranianë, mund të ketë gjithmonë avantazhin kundër organizatave rebele. Të paktën deri kur u shfaq Shteti Islamik në horizont.

Gjatë këtyre 4 viteve të fundit, të mëdhenjtë dhe të fuqishmit Tupolev-ë rusë kanë vazhduar të transportojnë tonelata të tëra me armatime në pistat e aeroporteve siriane, të kontrolluar nga regjimi. “Armë që vrasin civilë”, akuzojnë organizatat humanitare. “Furnizime normale, krejt të ligjshme”, përgjigjet Moska. Por nuk ka asnjë dyshim që ka patur një rritje sasiore dhe cilësore, të armatimeve drejt Damaskut: nga 1 miliardë e gjysmë, në pesë miliardë dollarë gjatë katër viteve të fundit. Edhe pse Putini bëri kujdes të mos furnizonte sirianët me sistemet e mbrojtjes ajrore S300, dislokimin e të cilëve në Siri, Izraeli nuk do ta kishte toleruar. Megjithatë, aleanca mbetet e fortë. Ndërkohë që, mbetet për t’u parë nëse Bashari është kali i fortë tek i cili do të mbështetet Moska.
La Repubblica – Bota.al

Më të lexuarat
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat