Lufta e brendshme që po trondit Shtëpinë e Saudëve

Speciale

Lufta e brendshme që po trondit Shtëpinë e Saudëve

Më: 1 korrik 2017 Në ora: 00:34
Princi saudit

Tranzicioni politik që po përjeton Arabia Saudite këto ditë, nuk është as i thjeshtë e as pa dhimbje: pushteti po kalon befas tek gjenerata e re e shtëpisë së Saudëve, dinasti e cila deri më tani është qeverisur gjithmonë nga fëmijët e shumtë të themeluesit të Mbretërisë, Mbretit Abd al-Aziz; ngjitja e papritur e Mohammed bin Salman, birit të sovranit aktual, i cili ishte caktuar nga babai i moshuar, si trashëgimtar i fronit në kurriz të kushëririt të tij Mohammed bin Nayef, ka sjellë padyshim një kthesë vendimtare, si për dinamikën e brendshme të dinastisë, ashtu edhe atyre të mbretërisë, e cila mban kujdestarinë e vendeve të shenjta të Islamit. Pavarësisht toneve të qeta dhe plot siguri të medias saudite dhe vetë zyrtarëve të qeverisë së Riadit, klima duket mjaft e tensionuar dhe dorëzimi i stafetës midis dy brezave të Saudëve, nuk duket të jetë rezultat i një tranzicioni të thjeshtë, por më tepër i një grindjeje mes shumë frymëve në brendësi të familjes në pushtet.

Zvarritja e konfliktit në Jemen, pothuajse mposhtja e grupeve islamike në Siri, të paguar për të përmbysur Assadin, ndërprerja e papritur me Katarin, dhe në fund grushti i ‘pasardhësit’ më të ri, që rrëzon kushëririn e tij nga roli i trashëgimtarit: këto dhe elemente të tjera, janë të mjaftueshme për të kuptuar që, brenda pallateve dhe rezidencave në Riad, në muajt e fundit diçka është duke lëvizur me një shpejtësi që, nga njëra anë, mund të përshpejtojë planet për dorëzimin e pushtetit nga një brez në tjetrin, por nga ana tjetër, mund të ndikojë negativisht në ekuilibrat e brendshme delikate të Saudëve, si edhe të gjitha forcave të ndryshme që përbëjnë mbretërinë. Nga ushtria, tek biznesmenët që menaxhojnë investimet e huaja në mbretëri, nga udhëheqësit fetarë tek ekipet e shërbimeve të inteligjencës, që gjithmonë kanë qenë të fragmentuar në grupe të shumta, janë të shumtë komponentët që përshkruajnë mozaikun e pasur të shtetit saudit, dhe përgjatë historisë, është mbërritur shpesh shumë pranë pikës së prishjes totale të ekuilibrave.

Për të konfirmuar një klimë tensioni dhe lufte të vërtetë për pushtet, ka ndihmuar një zbulim i Nju Jork Tajms, sipas të cilës, ajo mes Mohammed bin Nayef bin Selmani dhe Muhamedi nuk është një rotacioni i thjeshtë, por një rrëzim i vërtetë i nisur nga djali i sulltanit aktual, kundër kushëririt të tij më të mençur dhe më të moshuar; e përditshmja njujorkeze e bazon rindërtimin e vet të fakteve, tek disa burime edhe në SHBA (në veçanti, detajet i kanë zbuluar katër zyrtarë amerikanë), edhe në Arabi. Pas shpalljes së dorëzimit të stafetës ndërmjet Bin Nayef dhe Selmani, kushëriri i mënjanuar është kthyer në rezidencën e tij në Jeddah, por, që nga ai moment, nuk ka dalë më nga pallati; sipas burimeve të Nju Jork Tajms, Mohammed Bin Nayef nuk mund të largohet nga shtëpia dhe aq më pak nga vendi: një burg i vërtetë, pra, një dinamikë që duket më shumë si një grusht shteti pa gjak, se sa një tranzicion i thjeshtë.

Edhe pse nuk përmend në mënyrë specifike burimet e veta, e përditshmja njujorkeze duket se mbështetet shumë në këtë rindërtim që e sheh si shumë të besueshëm; në kuadër të artikullit, të dërguar nga korrespondenti në Bejrut Ben Hubbard, gjithashtu duket një video e postuar nëpërmjet Tuiterit dhe përmes TV shtetëror nga mediat saudite, ku Mohamed Bin Salman i puth duart kushëririt dhe ky i fundit që i thotë. “Unë jam i lumtur. Tani po shkoj të pushoj. Zoti të ndihmoftë”. Një imazh pra, i kalimit të qetë e paqësor, por ai gjithashtu mund të jetë i rremë dhe t’i referohet një ceremonie të kaluar, të disa muajve më parë: fakti që video është nisur nga agjencia qeveritare saudite, APS, mund të jetë dëshmi se Riadi nxiton që të tregojë një atmosferë më pak të tensionuar, sesa ajo që përshkruhet në artikullin e Nju Jork Tajms.

Ngjarjet ndiqen dhe nga Uashingtoni

Spektatorë të interesuar për atë që po ndodh brenda shtëpisë së Saudëve janë sigurisht Shtetet e Bashkuara: Qeveria e udhëhequr nga Donald Trump, në maj arriti një marrëveshje prej 110 miliardë dollarësh për furnizimin me armë të Arabisë Saudite, duke mbështetur plotësisht vijën politike të sauditëve, kundër Iranit dhe, menjëherë më pas, erdhi embargoja kundër Katarit, në shenjë hakmarrjeje kundër financimit të terrorizmit, një rrethanë kjo shumë tragjikomike, e cila prej atëherë u kapërcye edhe falë marrëveshjeve (shumë prej tyre ushtarake) të firmosura midis Dohas dhe Uashingtonit, vetëm disa javë më parë. Lufta midis degëve të ndryshme të saudëve, megjithatë, i intereson Uashingtonit edhe për shumë ekuilibra, në shërbimet e sigurisë: Mohamed Bin Nayaf ka qenë prej kohësh në mesin e udhëheqësve të sigurisë në Arabi, ky rol e ka lejuar që të forcojë, me kalimin e viteve, marrëdhëniet e shumta me disa nga homologët e tij amerikanë që sot, duke parë lëvizjet e Mohamed Bin Salman, shprehin jo pak shqetësim, në lidhje me atë që po ndodh në Riad.

Gjithmonë në artikullin e Ben Hubbard në Nju Jork Tajms, megjithatë, thuhet se po të njëjtët anëtarë të kundërterrorizmit që kanë dyshime në lidhje me ambiciet e birit të mbretit saudit, nuk i japin formë publikisht mendimeve të tyre, për shkak të lidhjeve të veçanta që Mohamed Bin Salman ka me administratën Trump, duke qenë një mik personal i dhëndrrit të presidentit, Jared Kushner (burri i së bijës, Ivanka Trump). Në mars, Bin Salman ishte ndër përfaqësuesit e parë të huaj që vizituan Shtëpinë e Bardhë, pas zgjedhjes së manjatit njujorkez dhe gjithashtu, në prill, qeveria saudite miratoi emërimin e një tjetër pasardhësi të Saudëve pranë trashëgimtarit të fronit, si ambasador në Uashington: është Khaled bin Salman, emërimi i të cilit paraqet forcim të krahut pranë Mohamed bin Salman, që nga zgjedhja e Donald Trump.

Skenarët e ardhshëm

Gjendja shëndetësore e Mbretit Salman, është temë debati në Arabinë Saudite: i ngjitur në pushtet më 23 janar 2015, duke marrë vendin e vëllait të tij Abdullah, sundimtari aktual është 81 vjeç dhe duket se vuan nga një formë e butë e çmendurisë së pleqërisë, dhe kjo gjë mund të bëjë të kërkohet një abdikim i mundshëm në favor të trashëgimtarit të ri, i cili u caktua më 20 qershor. Por pavarësisht vazhdimit ose jo të mbretërimit të tij, drejtimi i marrë nga ana e Arabisë Saudite, me lëvizjet në muajt e fundit, tani duket i vendosur: i biri, Mohamed, që tani, në cilësinë e Ministrit të Mbrojtjes dhe trashëgimtarit, është duke imponuar një përshpejtim të planeve të kundërvënies ndaj Iranit dhe luftës kundër vëllazërisë myslimane, të financuar nga Katari. Të gjitha këto, me me miratimin e administratës Trump. Megjithatë, siç u përmend në fillim të artikullit, ekuilibri në Arabinë Saudite dhe në Shtëpinë e Saudëve duket shumë i pasigurt dhe delikat, dhe përshpejtimi i ngjarjeve, i vendosur nga Mohamed bin Salman mund të duket, për ambiciet e tij, si thikë me dy presa.

Rindërtimi i Nju Jork Tajms në lidhje me gjendjen e arrestit të Bin Nayef, natyrisht, nuk është konfirmuar nga autoritetet e Riadit që, me një deklaratë të një zyrtari për Reuters, kanë mohuar të ketë tensione; megjithatë, ngjitja e trashëgimtarit të ri në kurriz të kushëririt ngjan me një grusht të brendshëm. Mohamed Bin Nayef është shumë i respektuar në Arabinë Saudite, dhe ‘pensionimi’ i tij i papritur dhe paparashikuar nuk është parë aq me sy të mirë, brenda vendit dhe jashtë tij. Konflikti i brendshëm i Saudëve pra, mund të mos përfundojë këtu: mes të tensioneve të vërtetë apo të perceptuar, trazira e shkaktuar nga zgjedhja e monarkut për të emëruar djalin e tij si trashëgimtar, mund të nxisë prova të reja force, e si pasojë, edhe tronditje të tjera, në politikën e ndërikuar të mbretërisë vehabite. / Il Giornale – Bota.al

Më të lexuarat
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat