​Ligji dhe strategjia e re konsiderohen jetike për të ardhmen e sportit

Sporti

​Ligji dhe strategjia e re konsiderohen jetike për të ardhmen e sportit

Më: 13 qershor 2023 Në ora: 16:37
Albin Kurti

Komiteti Olimpik i Kosovës dhe Ministria për Kulturë, Rini dhe Sport kanë mbajtur sot tryezën për sport, e katërta me radhë, ku është paraqitur drafti fillestar i Projektligjit për Sport si dhe drafti final i Strategjisë për Sport.

Me propozimet e shumta nga përfaqësues të federatave sportive këto dy koncept dokumente po cilësohen si shumë të rëndësishme për të ardhmen e sportit dhe zhvillimin e tij në Kosovë.

I pranishëm në këtë tryezë ishte edhe kryeministri i Kosovës, Albin Kurti i cili deklaroi se sporti në Kosovë po ecën me hapa të mëdhenj përpara, por që nevojitet edhe shumë punë për t’u bërë.

Kurti: E kemi obligim t’i mbështesim të rinjtë që merren me sport

“Tashmë është dëshmuar disa herë që sa herë që talentëve tanë iu jepet mundësia ata bëhen edhe më të mirët në botë. Çfarë të gjithë ne e kemi obligim dhe duhet të krijojmë mundësi për të rinjtë tanë, mundësinë për të qenë të shëndetshëm përmes aktivitetit sportiv, mundësinë për ta zhvilluar maksimalisht talentin në sport, mundësinë për t’u angazhuar në sport çoftë si mjek, administrator apo trajner sepse ne e dimë që nevojitet jo vetëm një infrastrukturë fizike e materiale, por edhe një mbështetje e madhe njerëzore për secilin sportist”, tha Kurti.

Madje ai tha se edhe vet po e përdor sportin si mënyrë për ta hequr stresin nga punët e përditshme si udhëheqës i Qeverisë së Kosovës.

Kurti: Sportin e përdori për ta hequr stresin nga puna ime e përditshme

Një ndër mënyrat se si po pushoj në mbrëmje është që po shkoj në ngjarjet sportive. Edhe t’iu them të drejtën po ia bëj një lloj shqyrtimi vetvetes pse kur po dal prej një ndeshje kur s’po luaj vetë, po dalë shumë i çlodhur. Shpjegimi i vetëm që kam është se në sport, për dallim nga politika ka rregulla, e mua më ka marr malli për rregulla. Në politikë nuk ka shumë rregulla… Aty kur i bie arbitri filikaqes edhe thotë që topi është jashtë vijës, është shumë e qartë, është jashtë vijës, pra nuk ka dilema”, tha Kurti

Kryetari i Komitetit Olimpik të Kosovës (KOK), Ismet Krasniqi tha për KosovaPress se kjo tryezë është tejet e rëndësishme dhe se në ligjin e ri do të përfshihen sugjerimet e federatave sportive

Krasniqi: Sugjerimet e federatave do të merren parasysh në ligjin e ri për sport

Qëllimi kryesor i kësaj tryeze është t’i dëgjojmë sugjerimet dhe idetë e të gjitha federatave. Kjo është tryeza e katërt me radhë, dhe ne që nga tryeza e parë kemi marrë sugjerimet e të gjithë atyre që kanë diskutuar dhe kanë dhënë ide”, tha Krasniqi

Ndërsa, kryetari i Federatës së Basketbollit të Kosovës, Arben Fetahu deklaroi se fakti që po dëgjohet zëri i komunitetit të sportit në hartimin e ligjeve të reja është shumë i rëndësishëm.

Fetahu: Shumë me rëndësi që po dëgjohet zëri i komunitetit sportit

Ky komunikim është shumë i rëndësishëm për komunitetin e sportit. Është shumë e rëndësi që të kemi formalisht komunikim të tillë. Është me rëndësi që komuniteti i sportit apo zëri i tij po dëgjohet çdo ditë e më shumë që jemi duke e dhënë kontributin tonë në këtë fazë hartuese që tani…Projekti i ri për sportin është vital, i rëndësisë jetike për komunitetin e sportit dhe mëtojmë apo kërkojmë gjithë kohës që të jemi një shumë të konsoliduar në të ardhmen për sportin”, theksoi Fetahu për KosovaPress.

Gjatë tryezës është diskutuar edhe për hapat që Kosova duhet t’i ndërmarr për organizimin e Lojërave Mesdhetare të vitit 2030, sidomos në ndërtimin e infrastrukturës sportive.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat