Godelli: Substancë që s’ka lidhje me këtë sport

Sporti

Godelli: Substancë që s’ka lidhje me këtë sport

Më: 5 korrik 2023 Në ora: 16:43
Godelli

Peshëngritësi shqiptar Daniel Godelli rezultoi pozitiv në testet antidoping të bëra gjatë periudhës së Kampionatit Europian 2023 që u mbajt në Armeni, aktivitet i zhvilluar në muajin prill, në të cilin Godelli garoi nën flamurin kuqezi.

Peshëngritësi ka reaguar përmes një statusi në rrjetet sociale, ku zbulon se ka kërkuar testin B, pasi substanca nuk ka lidhje me sportin që ai ushtron.

“Për t’i paraprirë portaleve dhe televizioneve dhe për të qenë transparent dhe i sinqertë me ju, deklaroj që jam testuar pozitiv në përdorimin e një substance të ndaluar.

Substancë, e cila nuk ka lidhje me sportin të cilin unë ushtroj dhe për këtë arsye kërkoj analizimin e testit B, ku do të faktoj dhe do të paraqes çdo provë që unë zotëroj për të provuar pafajësinë time.

Kjo pasi flitet për një garë ku unë isha i dëmtuar dhe rezultatet e mia ishin thjeshtë për pjesëmarrje dhe për të shënuar emrin për pikë olimpike dhe jo për të garuar 100%.

Kërkoj nga ju mirëkuptimin dhe bashkërisht të presim për rezultatet që do të dalin nga testimi i analizës B. Faleminderit”, shkruan Daniel Godelli në profilin e tij në “Facebook”.

Kujtojmë që nëse del pozitiv edhe në testin B, atëherë pasojat do të ishin të rënda për 31-vjeçarin, i cili praktikisht mund të mbyllë këtu karrierën, duke qenë se do të ishte përsëritës.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat