Australia tërhiqet nga gara, Arabia Saudite pritet të organizojë Kupën e Botës 2034

Sporti

Australia tërhiqet nga gara, Arabia Saudite pritet të organizojë Kupën e Botës 2034

Më: 31 tetor 2023 Në ora: 20:14
Prince Saudit i Kurorës, Mohammed bin Salman, President i FIFA-s, Gianni Infantino dhe presidenti rus Vladimir Putin duke ndjekur Kupën e Botës 2018 në stadium Luzhniki, Moskë, Rusi. 14 qershor, 2018.

Është pothuajse e sigurtë që Arabia Saudite do të jetë vendi organizator i Kupës së Botës për meshkuj 2034, pasi Federata Australiane e Futbollit vendosi të mos hyjë në garë, pas vlerësimeve se kriteret e vendosura nga FIFA ishin formuluar në mënyrë të tillë që t’i përshtateshin mbretërisë së pasur me naftë.

FIFA kishte caktuar të martën si afatin përfundimtar për të shprehur zyrtarisht interesin për organizimin e kampionatit, por vendimi i Australisë për të mos hyrë në garë, e bën Arabinë Saudite konkurrenten e vetme, duke krijuar shqetësim për shumë aktivistë të të drejtave të njeriut.

“Kemi shqyrtuar mundësinë për të bërë ofertë për të pritur Kupën e Botës dhe duke marrë parasysh të gjithë faktorët kemi marrë vendimin për të mos hyrë në garë”, tha përmes një deklarate Federata Australiane e Futbollit.

Duhet që FIFA të vulosë vendimin se Arabia Saudite do jetë mikpritëse e Kupës së Botës, vendim që ka të ngjarë të merret vitin e ardhshëm, dhe tashmë gjithçka duket një formalitet.

Organizimi i Kupës së Botës do të shënonte kulmin e përpjekjeve ambicioze të Arabisë Saudite për t'u bërë një lojtar kryesor në sportet globale, pasi ka shpenzuar shumë para për të bërë pjesë të ligës së saj të futbollit dhjetëra futbollistë të njohur, duke blerë klubin anglez të futbollit Newcastle dhe duke organizuar ndeshje të mëdha boksi.

Por gatishmëria në dukje e FIFA-s, për t'i hapur rrugën Arabisë Saudite që të organizojë ngjarjen e saj më të rëndësishme sportive, ka nxitur kritika të gjera nga aktivistët që mbrojnë të drejtat e njeriut.

Miratimi i planit financiar në mbështetje të sportit nga ana e Princit saudit të Kurorës Mohammed bin Salman është cilësuar si një përpjekje për të përmirësuar imazhin e vendit, shpesh i lidhur me shkeljen e të drejtave të grave dhe vrasjen e gazetarit Jamal Khashoggi në vitin 2018.

Presidenti i FIFA-s, Gianni Infantino ka krijuar lidhje të ngushta me përfaqësues të futbolli saudit dhe me vetë Princin e Kurorës, dhe ka ngritur pikëpyetje nëse prej një kohe të gjatë mund të jetë përpjekur të orientojë organizmin e garave botërore të futbollit drejt mbretërisë.

Kur FIFA arrit marrëveshje këtë muaj, për të pasur vetëm një ofertë për organizimin e Kupës së Botës 2030, duke bashkuar Spanjën, Portugalinë dhe Marokun në tre lojëra që do të zhvilloheshin në Afrikën e Jugut, ajo gjithashtu përshpejtoi garën për organizimin e Kupës së Botës 2034, duke pranuar oferta vetëm nga federatat anëtare në Azi dhe Oqeani. Afati i shkurtër (deri këtë të martë), u dha atyre më pak se katër javë për të hyrë në garë dhe vetëm një muaj më shumë për të nënshkruar një marrëveshje oferte që kërkon mbështetjen e qeverisë.

Disa orë pas njoftimit të FIFA-s në 4 tetor, Federata Saudite e Futbollit tha se do merrte pjesë në garë dhe Konfederata e Futbollit të Azisë, që përfshin Australinë tha se do të mbështeste mbretërinë për të rikthyer Kupën e Botës në Lindjen e Mesme, pasi Katari organizoi Kampionatin Botëror të Futbollit në vitin 2022.

Shoqata e futbollit e Indonezisë tregoi fillimisht interes për të kandiduar bashkarisht me Australinë, ndoshta së bashku me Malajzinë dhe Singaporin, por në vazhdim ky interesim u shua kur Indonezia mbështeti Arabinë Saudite.

Australia do të përpiqet të sigurojë organizimin e Kupës së Botës së Klubeve për vitin 2029, që do të rifillojë në vitin 2025, duke u zhvilluar çdo katër vite me një format të ri me 32 ekipe të kualifikuara, si dhe Kupën e Grave të Azisë për vitin 2026, për të cilën po konkuron edhe Arabia Saudite.

“Mendoj se do të krijojmë një vullnet të mirë duke mos konkuruar për 2034”, u tha zoti Johnson gazetarëve gjatë një telefonate, duke pranuar se është e vështirë të konkurohet përballë ofertës saudite të mbështetur nga burime shtetërore.

Australia dhe Zelanda e Re organizuan me sukses Kupën e Botës të Grave në korrik dhe në gusht. Brisbane pritet të bëhet qyteti i tretë australian që organizon Lojërat Olimpike, kur të mirpresë Lojërat Verore 2032.

Arabia Saudite do të organizojë gjithashtu Kupën e Azisë për meshkuj në vitin 2027 dhe ka filluar një program të zgjeruar ndërtimesh për të ndërtuar dhe rinovuar stadiumet që mund të përdoren për Kupën e Botës. Në dokumentet e FIFA-s thuhet se do të duhen 14 stadiume për kupën ku do të marrin pjesë 48 ekipe.

Kupa e Botës në Katar u shoqërua për vite me radhë nga akuzat për abuzime me të drejtat e punëtorëve emigrantë që nevojiten për të ndërtuar stadiumet.

“Kur FIFA në vitin 2010 nuk këmbënguli për mbrojtjen e të drejtave të njeriut kur i dha Kupën e Botës 2022 Katarit, kjo shërbeu si një arsye kryesore përse reformat serioze u vonuan kaq shumë dhe përse zbatohen shpesh kaq dobët”, thotë Ronan Evain, drejtues i organizatës “Football Supporters Europe”.

Edhe përgatitjet e Arabisë Saudite do të duhet të përballen me të njëjtën vëmendje gjatë dekadës së ardhshme.

“Me 13.4 punëtorë emigrantë që vlerësohet se gjenden në Arabinë Saudite, mbrojtjen e pamjaftueshme gjatë punës dhe kundrejt vapës, si dhe mungesën e sindikatave, e mbikqyrësve të pavarur të të drejtave të njeriut, si dhe pa një shtyp të lirë, ekzistojnë të gjitha arsyet për t’u frikësuar për jetët e atyre që do të ndërtojnë dhe do të mirëmbajnë stadiumet, transportin, hotelet dhe infrastrukturën në vendin organizator, Arabinë Saudite”, thuhet në një deklaratë të bërë rishtazi nga Minky Worden, drejtuesja për iniciativat globale në organizatën e të drejtave të njeriut Human Rights Watch.

“Mundësia që FIFA t’ia japë Arabisë Saudite Kupën e Botës 2034, megjithë historikun revoltues të të drejtave të njeriut dhe dyerve të mbyllura për monitoruesit, e ekspozon si të pavërtetë angazhimin e FIFA-s ndaj të drejtave të njeriut”, tha zonja Worden.

Vetë dokumentet e FIFA-s për shpalljen e konkursit për Kupën e Botës, i nxisin vendet konkuruese për “respektimin e të drejtave të njeriut të njohura ndërkombëtarisht”, megjithëse kufizohen në kontekstin e lidhur me kupën dhe jo në shoqërinë më të gjerë.

“FIFA tani duhet ta bëjë të qartë se pret nga vendet organizatore të zbatojnë politikat e saj për të drejtat e njeriut”, tha Steve Cockburn, zyrtar i organizatës së të drejtave të njeriut Amnesty International. “Duhet gjithashtu të përgatitet për ta ndalur procesin e përzgjedhjes së vendit organizator, nëse nuk trajtohen siç duhet rreziqet ndaj të drejtave të njeriut”./VOA

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat