Bastet dhe sondazhet në Angli: Januzaj zgjedh Shqipërinë

Sporti

Bastet dhe sondazhet në Angli: Januzaj zgjedh Shqipërinë

Më: 9 tetor 2013 Në ora: 08:52

Adnan Januzaj dhe e ardhmja ndërkombëtare e tij janë bërë çështje dhe lajm i parë jo vetëm në Shqipëri por edhe në Angli. Për talentin me origjinë shqiptare po bëhet një “luftë” mediatike por tashmë për të janë vënë në dispozicion edhe baste. Në Angli ku vihet bast edhe për motin, kompanitë e ndryshme kanë hapur baste se ku do të luaj 18-vjeçari dhe padyshim që Shqipëria është e kuotuar me koefiçentin 1.36 dhe shihet si favorite për të marrë djaloshin e artë. Kurrë më parë, në ndeshje të rralla Shqipëria mund të ketë patur fatin të kuotohej me këtë koeficent sikur dhe në një ndeshje me Andorën në Tiranë, ndërsa pas kombëtares tonë sipas rradhës janë kuotuar Belgjika me 3.75, ndërsa Turqia, Kroacia e Kosova me 11 dhe Anglia me 15.

Jo vetëm bastet favorizojnë Januzajn për të zgjedhur kombëtaren kuqezi por edhe në një sondazh të prestigjozes angleze Sky Sports, ku votuan mijëra tifozë, 45% e tyre mendojnë se lojtari do të zgjedhë Shqipërinë, 27% Anglinë dhe 24% Belgjikën. Të papërfillshme votat për Kroacinë apo kombëtare tjetër, mbeten larg me vetëm 2%.

Tashmë të gjithë besojnë, edhe vetë në Angli e mendojnë se zgjedhja e parë e Januzajt është Shqipëria, mbetet vetëm që talenti 18-vjeçar të bëjë krenar shqiptarët dhe t’i thotë PO ftesës së kombëtares kuqezi.

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat