Krasniqi: Fitore e futbollit të Kosovës

Sporti

Krasniqi: Fitore e futbollit të Kosovës

Më: 14 janar 2014 Në ora: 09:59

Pas vendimit të FIFA-s për lejimin e ndeshjeve miqësore për përfaqësuesen e Kosovës, është prononcuar edhe ministri i Sportit, Memli Krasniqi, i cili ndër të tjera tha:

“Sot është shënuar hapi i parë dhe shumë i rëndësishëm në ndërkombëtarizimin e futbollit të Kosovës.

Unë tashmë jam njoftuar edhe zyrtarisht me vendimin e FIFA-s për ndeshjet miqësore ndërkombëtare për Kosovën, duke përfshirë edhe modalitetet e caktuara, që shënon një progres për Kosovën nga vendimi i mëhershëm, i cili është kundërshtuar nga Federata e Futbollit të Kosovës dhe nga Qeveria e Republikës së Kosovës.

Konsideroj se me këtë vendim të sotëm, futbolli i Kosovës ka fituar, aq më tepër që tashmë do të prezantohet në arenën ndërkombëtare zyrtarisht dhe ka hyrë në rrugën e sigurt drejt anëtarësimit të plotë.

Dua të uroj të gjithë futbollistët e të gjitha grupmoshave për këtë dhe ju dëshiroj atyre sa më shumë suksese në të ardhmen.

Falënderoj çdo punëtor sportiv, trajner, gjyqtar, gazetar dhe të gjithë ata që për vite me radhë, edhe në kohëra shumë të vështira e kanë mbajtur të gjallë futbollin kosovar.

Në veçanti dua të falënderoj kryetarin e Federatës së Futbollit të Kosovës, ikonën e futbollit tonë, Fadil Vokrrin, për punën jashtëzakonisht të madhe që ka bërë për të arritur në këtë fazë dhe për motivin e madh për të punuar deri në realizimin e qëllimit tonë, anëtarësimin me të drejta të plota në UEFA dhe FIFA.

Kam qenë në çdo hap pranë tyre dhe bashkërisht kemi punuar në shumë drejtime për të thyer izolimin dhe bashkë do të vazhdojmë të punojmë në çdo segment edhe në të ardhmen.

Në këto vitet e fundit, Ministria e Kulturës, Rinisë dhe Sportit, për herë të parë pas luftës ka investuar në renovimin e stadiumeve, për t’i bërë ato sa më moderne, ku mund të zhvillohen gara ndërkombëtare.

Dua edhe një herë të shpreh përkushtimin tim që të punojmë pa reshtur për të thyer izolimin në sport. Hapa të rëndësishëm janë bërë në shumë sporte, por bashkërisht me komunitetin sportiv të Kosovës na presin edhe shumë punë, për të cilat do të angazhohemi në vazhdimësi”.

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat