Federata e Sporteve Universitare pritet të pranohet në Federatën Ndërkombëtare të Sporteve Universitare

Sporti

Federata e Sporteve Universitare pritet të pranohet në Federatën Ndërkombëtare të Sporteve Universitare

Më: 15 gusht 2017 Në ora: 17:59
Federata e Sporteve Universitare

Një tjetër Federatë sportive pritet të bëhet anëtare me të drejta të plota në Federatën Ndërkombëtare.
Është Federata e Sporteve Universitare e formuar në mars të këtij viti, e cila pritet që në ditët në vijim të pranohet në Federatën Ndërkombëtare të Sporteve Universitare (FISU).
Më 17, 18 dhe 19 gusht do të mbahet Kongresi i FISU-s, ku pranimi i Kosovës ndodhet në rend të ditës.
Për në Taipei të Tajlandës, ku do të mbahet Kongresi, do të udhëtojnë kryetari i FSUK-së, Musa Selimi dhe presidenti i Komitetit Olimpik të Kosovës,.Besim Hasani.
Kujtojmë që Federata e Sporteve Universitare është formuar me iniciativën dhe organizimin e Komitetit Olimpik të Kosovës.
“Neve na ka ardhur informata që na ka pranuar Komiteti Drejtues, prandaj kërkesa jonë është në rend të ditës në Kongres dhe gjatë ditëve 17, 18 dhe 19 gusht presim të pranohemi me të drejta të plota. Sigurisht se qëndrimin atje do ta shfrytëzojmë edhe për lobim dhe për të lidhur bashkëpunim me federatat tjera. Besojmë se pranimi jonë është më i lehtë, bazuar në pranimin e Komitetit Olimpik të Kosovës dhe të federatave tjera. Ftesa na ka ardhur si vëzhgues, por pas pranimit mund të na jepet fjala”, tha z.Selimi për faqen zyrtare të KOK-ut “noc-kosovo.org”.
Pikërisht FISU-un javë më parë e përfaqësoi karateisti, Alvin Karaqi në Kampionatin Evropian për Universitete, ku fitoi medaljen e artë.
Selimi zbulon se që nga shtatori synojnë të organizojnë 2-3 liga në sporte të ndryshme dhe dalëngadalë të marrin pjesë në gara evropiane dhe botërore.

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat