Garë etnike edhe për të “parin” e mjekëve në Strugë

Struga

Garë etnike edhe për të “parin” e mjekëve në Strugë

Më: 23 prill 2017 Në ora: 11:18
Muhamed Asani

Si në çdo sferë të jetës, edhe zgjedhja e kryetarit të Odës së mjekëve në Strugë, nuk i shpëtoi dimensionit të përballjes etnike dhe politike. Edhe në këtë rast, pavarësisht që para disa javëve ishte organizuar një Kuvend zgjedhor për zgjedhjen e kryetari të Odës së Mjekëve për Strugën, ky proces u reprizua sërish ditën e enjte, ku përballë njëri-tjetrit në garë ishin mjekët Muhamed Asani dhe Vllado Kocoski, duke i ndarë mjekët edhe në vija etnike, gjykuar edhe nga rezultati, por edhe nga anulimi që iu bë procesit të parë zgjedhor.

Dr. Muhamed Asani tregon për koha se pavarësisht që fitoi para disa ditëve mandatin që edhe për katër vjet ta drejtojë këtë strukturë në një Kuvend zgjedhor në përputhje me statutin në fuqi, rizgjedhja e tij në krye nuk u konvenoi një pjesë të palës tjetër, të cilët duke i fryrë, sipas tij, edhe karakterit etnik kësaj përballje, gjetën mekanizma dhe anuluan këtë proces zgjedhor, duke organizuar një të dytë.

Asani tregon se edhe në përballjen e dytë zgjedhore ku si kundër-kandidat kishte mjekun, Vllado Kocoski, ai arriti të fitojë ndaj tij me rezultat 94 me 91, por, sipas tij, ky proces tregoi që edhe në mjekësi dirigjimet politike janë shumë të forta.

“E gjithë kjo përballje e panevojshme dhe koncentrim energjish negative, padyshim që kishte edhe karakterin e mirëfilltë etnik në disa dimensione, sepse ndryshe nuk mund të shpjegohet fakti i anulimit të procesit të parë zgjedhor dhe mobilizimi i tërësishëm për raundin e dytë të cilin gjithashtu e humbin”, potencon Asani.

Dr. Muhamed Asani është një nga mjekët me përvojë në Strugë, që prej disa vjetësh drejton repartin e Gjinekologjisë në Spitalin e Strugës. Aktualishtë në Strugë veprojnë rreth 220 mjekë të profileve të ndryshme të punësuar në disa institucione shëndetësore, si Spitali i Strugës, Shtëpia e Shëndetit, Spitali i Nefrologjisë si dhe disa ambulanca koncesionare dhe private edhe të profilit stomatologjik në qytet dhe disa zona rurale.

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat