Apple do ta realizojë ngjarjen e saj të madhe me 7 Shtator, kur pritet të dalë edhe iPhoni i ri dhe sahatet e përditësuar Apple Watches. Ftesat për këtë u shpërndanë sot nga Apple në të cilat shkruhej thjesht “shihemi me 7”. Ky do të jetë viti i pestë radhazi që Apple organizon një event të tillë në Shtator duke reklamuar çdo herë një nga produktet e saj më të rinj.
iPhone 7 siç kemi dëgjuar të flitet shumë këto kohë është rezistent ndaj ujit, ka RAM 3GB dhe memorie 32 GB që mund të shtohet deri në 256 GB, është më i madh, dhe ka një sistem prej dy kamerash që mund të kapë foto më të mira. Porositë e para për blerjen e iPhone 7 do të fillojnë që me 9 Shtator dhe mendohet se Apple do ta shesë atë së bashku me një palë kufje.
Përsa i përket sahateve që ajo ofron, ka dy vite që nga modeli i parë që Apple ka prezantuar dhe tani ajo po sjell një version të ri, i cili thuhet se do të ketë afërsisht të njëjtin dizajn, por do të ketë edhe GPS dhe një bateri më të madhe që do ta mbajë atë më gjatë ndezur.