Prezantohen zyrtarisht Galaxy S9 dhe S9+ me specifika të reja e dizajn të vjetër

Teknologji

Prezantohen zyrtarisht Galaxy S9 dhe S9+ me specifika të reja e dizajn të vjetër

Më: 25 shkurt 2018 Në ora: 20:20
Samsung Galaxy S9

Gjiganti i teknologjisë, Samsung, sapo ka prezantuar në Barcelonë dyshen e shumëpritur Galaxy S9 dhe S9+. Smartfonët e rinj të avancuar vijnë me specifikat të reja, por me dizajn të vjetër.

Të dy, S9 dhe S9+, vijnë me dizajn të ngjashëm, kornizën nga alumini, rezistentë ndaj ujit, xhamin mbrojtës Gorilla dhe shumëçka tjetër, transmeton Koha.net. Po ashtu, dyshja e re vjen me skajet e ekranit më të holla sesa paraardhësit e tyre.

Ndryshimet e vogla në dizajn përfshijnë skanerin e syrit të fshehur mirë, skanerin për gishtërinj të ripozicionuar, si dhe ndryshimin e vendit të altoparlantit të poshtëm, raporton GSM Arena.

Samsung Galaxy S9 dhe S9+ vijnë me ekran Infinity Super AMOLED me rezoulicon Quad HD. Galaxy S9 ka ekranin 5.8-inç ndërsa Galaxy S9+ 6.2-inç – ngjashëm sikur vitin e kaluar.

Gjithashtu, dyshja do të punojë me procesor më të fundit Exynos 9810 për çdo treg, përveç Amerikës Veriore dhe Kinës. Procesori i ri SoC me tetë bërthama përbëhet nga bërthama e gjeneratës së tretë Mongoose me shpejtësi prej 2.8 GHz dhe bërthamën Cortex0A55 me 1.7 GHz. Po ashtu, dyshja vjen edhe me grafikën Mali-G72 me 18 bërthama dhe 4 GB RAM (S9) ose 6 GB (S9+).

Procesori më i fundit i Qualcommit – Snapdragon 845 – do të jetë në dispozicion për dyshen në Amerikën Veriore dhe Kinën. Ai vjen në kombinim me grafikën Adreno 630 dhe 4 GB RAM (S9) ose 6 GB RAM (S9+).

Kamera është njëra nga specifikat që ka ndryshuar te Galaxyt e reja. Kamera kryesore prej 12 megapikselë është në dispozicion për të dy smartfonët e rinj të avancuar, e cila përfshinë stabilizimin optik, detektim të fytyrës dhe autofokus por jo me blic LED. Ndërkaq, kamera e përparme është e huazuar nga Galaxy S8 – përbëhet prej 8 megapikselë me autofokus.

Galaxy S9+ vjen me një kamerë shtesë ekskluzive – ngjashëm sikurse te Note8. Kamera është prej 12 megapikselë.

Të dy smartfonët e rinj ofrojnë mbështetje për incizimin e videove me rezolucion prej 4K. Po ashtu, Galaxy S9 dhe S9+ vijnë edhe me altoparlantët AKG premium nga Harman me mbështetje për Dolby Atmos. Samsung thotë se ato janë 40 për qind më të zhurmshme sesa altoparlantët e S8-shit.

Sa i përket sistemit operativ, dyshja S9 punojnë me Android Oreo me ndërfaqen e përdoruesit më të fundit Grace UX. Po ashtu, smartfonët e rinj ofrojnë mbështetje për AR Emoji, KNOX të avancuar dhe veçorinë Intelligent Scan përmes së cilës aktivizohen në të njëjtën kohë skaneri i syrit dhe ai për identifikim të fytyrës.

Kapaciteti i baterisë te Galaxy S9 dhe S9+ është i njëjti sikurse te S8 dhe S8+.

Samsung Galaxy S9 dhe S9+ do të lansohen muajin e ardhshëm me ngjyrë të zezë, kaltër, gri, vjollcë, ndërsa sa i përket çmimit të tyre dhe se kur do të jenë në dispozicion për shitje, ende nuk është zbuluar.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat