Federer rrëfen jetën pas tenisit

Tenis

Federer rrëfen jetën pas tenisit

Më: 4 gusht 2023 Në ora: 12:04
Federer

Ka kaluar thuajse një vit që kur Roger Federer njoftoi tërheqjen e tij nga sporti, duke i dhënë vetes kohë të përgatitej edhe për ndeshjen e tij të fundit në karrierë, në turneun e Laver Cup. Një ndeshje në lojën dyshe me mikun dhe rivalin e tij Rafael Nadal.

Ish-tenisti zviceran ka qenë së fundi në Nju Jork, ku dhe ka dhënë një intervistë.

Fituesi i 20 grand slam iu rikthye ndjesive që përjetoi pas lamtumirës së tenisit.

“Jeta pa tenisin, jeta pa tifozët dhe jeta pa programin që ka dominuar jetën time për 25 vjet ishte padyshim diçka që nuk e dija se si do ta merrja”, tha Federer.

“Për një kohë të gjatë u përpoqa të kthehesha dhe t’i jepja vetes një mundësi tjetër, të largohesha shëndoshë e mirë nga ky sport, por thjesht nuk ishte e mundur.

E mira dhe e keqja e Covid si dhe me operacionin tim në gju, bëri që gjithçka të ngadalësohet në tre vitet e fundit”, shprehet Federer.

Më tej, zvicerani shton: “Në fund, u lehtësova kur mora vendimin dhe jam i lumtur që dola në pension. Gjithçka përfundoi në mënyrë perfekte në Laver Cup. Unë isha i rrethuar nga rivalët e mi më të mëdhenj, familja dhe miqtë e mi. Për mua ishte si “OK, tani jam mirë”.

Dalja në pension i lejoi Roger Federer të zgjeronte horizontet e tij, pasi një jetë e re ka nisur për tenistin zviceran.

“Po bëj gjëra që nuk ishin të realizueshme kur isha duke luajtur sepse u desh shumë kohë”, tha Federer.

“Unë kam qenë gjithmonë i rreptë dhe serioz për të qenë një sportist profesionist, por do të haja hamburger, do të haja ëmbëlsira, do të pija një gotë verë.

Për mua, ngrënia e një hamburgeri nuk ishte asgjë e pazakontë, por ky dukej perfekt, kështu që më duhej të postoja një foto të tij”, tha tenisti.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat