LEN nënshkruan deklaratën e koalicionit në Tetovë

Tetova

LEN nënshkruan deklaratën e koalicionit në Tetovë

Më: 28 nëntor 2023 Në ora: 20:48
Foto nga tubimi

Në suaza të manifestimit të festës së flamurit kombëtar koalicioni i partive Lëvizja Besa, Alternativa dhe Lëvizja Demokratike, të njohur me koalicionin Lidhja Evropiane për Ndryshim (LEN) sot ka nënshkruar deklaratën e koalicionit nga Tetova.

Kryetari i Lëvizjes Demokratike, Izet Mexhiti para të pranishmëve tha “Mbrëmë në televizionet tona më është kthyer koha e ish-Jugosllavisë, ku ministrave shqiptarë ju pengonte Vetëvendosja e nuk u pengon Sergej Lavrov. Këtë ditë të shenjtë e kanë shënuar me dhënien e koncesioneve për kazinot. Raporti më i keq deri tani nga BE, gjyqsori ka shënuar rrënie të madhe, korrrupsioni ka kapur sferat e shoqërisë. Rrogat minimale janë mizore. Boll ishte. Maqedonia e Veriut këtë vit do të duhej të ishte vend më i mirë për të jetuar. Por sot ndodh e kundërta, Maqedonia e Veriut është një vend më i keq. Në Maqedoni është aktivizuar politika klienteliste. Sot e ngrisim zërin duke thënë se është boll” ka thënë Mexhiti mes tjerash.

“Lidhja Evropiane për Ndryshim lindi si mbrojtje për qytetarët që nuk i mbron askush. Ne jemi zëri i atyre që ndjeken nga ky pushtet” vazhdoi Mexhiti.

Kryetari i Alternativës, Afrim Gashi, për nënshkrimin e koalicionit tha “Kjo ditë është e shenjtë për neve dhe për këtë ne këtu jemi mbledhur për të zyrtarizuar një bashkëpunim me deklaratën e përbashkët, për një formë të bashkuar të shqiptarëve. Bashkëpunimi jonë është të arrijmë synimin e kahmotshëm të shqiptarëve, anëtarësimi i shqiptarëve në BE. Ky koalicion është alternativë për pushtetin e tanishëm duke dhënë propozime për reforma në të gjithë poret e shoqërisë. Kujdesi ynë për familjen shqiptare është pikë e marrëveshjes sonë të përbashkët. Familja është e shenjtë dhe për këtë të gjithë duhet ta dinë se do të jenë në luftë me neve kush do ta prek familjen shqiptare” tha mes tjerash Gashi.

Kryetari i Lëvizjes Besa, Bilall Kasami para të pranishmëve tha “Nuk ka si të jetë më ndryshe. Si në Vlorën tonë të dashur, edhe këtu nga Tetova kërkojmë që të bëjmë një Lidhje të fortë shqiptare. Jam tepër krenar dhe i lumtur se LEN do të sjell ndryshime për rrugëtimin tonë drejt Bashkimit Evropian. Udhëheqësit shqiptar sot i largojnë të rinjtë nga vendlindja. Këtij kanceri duhet ti themi stop. Lidhja jonë është besë për ndryshime evropiane në vend” tha mes tjerash Kasami.

Kasami premtoi edhe heqjen e definicioneve ligjore që ai i quajti si ofenduese për shqiptarët në Maqedoni.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat