Nxënësit nuk paguajnë sigurimin, dënohen profesorët në Tetovë

Tetova

Nxënësit nuk paguajnë sigurimin, dënohen profesorët në Tetovë

Më: 22 mars 2017 Në ora: 11:32
“Mosha Pijade”

Rreth 20 profesorë të shkollës së mesme “Mosha Pijade” në Tetovë kanë marrë më pak rrogë nga ajo që u takon, për shkak se drejtori i shkollës të njëjtëve ua ka ndalur mjetet, të cilët nxënësit nuk i kanë paguar për sigurimin e shkollës.

Profesorët janë dënuar nga 1000 deri në 6000 denarë dhe kjo ka shkaktuar huti dhe revoltë tek ata. Ndonëse qëndruam në këtë shkollë, megjithatë askush nuk deshi që të flasë për këtë problem, duke ia lënë këtë punë inspektoratit komunal. Profesorët këtë çështje e kanë adresuar edhe te autoritetet e Komunës së Tetovës, të cilët kanë angazhuar Inspektoratin komunal që të dal në terren dhe të konstatojë gjendjen faktike.

“Më datë 20. 03 .2017 në Komunën e Tetovës është dorëzuar ankesë nga kolektivi arsimor, respektivisht atyre që iu është shqiptuar masa e dënimit në vlerë monetare në Shkollën e mesme “Mosha Pijade”. Lënda në fjalë është proceduar dhe është deleguar në organin përkatës që është Inspektorati komunal”, njoftuan nga Zyra për informim në komunën e Tetovës.

Pas daljes në teren të inspektoratit pritet që njëkohësisht të merren masa ndaj atyre që kanë dënuar profesorët, në këtë rast drejtorin.

“Mbi bazën e kësaj ankesë do të shqyrtohet ligjshmëria mbi cilën bazë juridike dhe procedurë janë dënuar mësimdhënësit në fjalë. Me përfundimin e verifikimit dhe shqyrtimit të fakteve në procedurën juridike, do të shqiptohen masat adekuate konform ligjit nga organi përkatës që është Inspektorati komunal” deklaruan nga Komuna e Tetovës.

Po ashtu, për këtë ngjarje është informuar edhe Sektori për arsim në Komunën e Tetovës. Sipas drejtuesit të këtij sektori, Ahmed Qazimi, pasi që profesorët me shkrim kanë drejtuar problemin e tyre, i ka udhëzuar të njëjtit që të njoftojnë Inspektoratin komunal.

Qazimi tha për KOHA se Inspektorati ditëve në vijim do të shqyrtojë ankesat e profesorëve të dëmtuar. Sipas informacioneve jozyrtare, disa nga profesorët e dënuar këtë muaj kanë marrë rroga të cunguara, madje ka prej tyre që u janë hequr rreth 100 euro. Përndryshe, pritet që gjatë ditëve të ardhshme Inspektorati komunal të del me qëndrim lidhur me këtë skandal të radhës nga drejtori, pasi që nuk është hera e parë që profesorët dënohen duke marrë më pak rrogë.

Sigurimi në këtë shkollë është vendosur disa vite me parë për shkak të shumë problemeve që ndodhnin në këtë shkollë dhe për sigurinë e nxënësve, ndërsa sipas informacioneve është rënë dakord që të njëjtit të paguhen nga ana e prindërve. Para disa muajve profesorët u dënuan për shkak se dëmet që i kanë shkaktuar nxënësit nëpër klasa të njëjtat ata nuk i kanë paguar dhe u detyruan që të paguajnë nga rrogat e tyre për të kryer riparimet e dëmeve.

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat