UKIM dyfish më shumë mjete nga buxheti se sa UNT-ja - Bota Sot
UKIM dyfish më shumë mjete nga buxheti se sa UNT-ja

Tetova

E hënë, 11 dhjetor 2017

UKIM dyfish më shumë mjete nga buxheti se sa UNT-ja

Më: 18 nëntor 2017 Në ora: 16:32
Studentet

Në propozim-buxhetin e vitit 2018, të propozuar nga Qeveria e Republikës së Maqedonisë, janë paraparë mbi 3 miliardë denarë për arsimin e lartë. Këto mjete kryesisht do të shpërndahen në gjashtë universitetet shtetërore në Maqedoni.

Por, ajo që bie në sy, është mënyra e shpërndjarjes së këtyre mjeteve. Pothuajse gjysmën e mjeteve të parapara, më saktësisht mbi 1 miliard e treqind e pesëdhjetë e dy milionë denarë janë paraparë vetëm për Universitetin “Shën Kirili dhe Metodij” (UKIM). Pjesa tjetër, duhet të shpërndahet mes pesë universiteteve tjera.

Mjetet e përbashkëta të parapara për Universitetin e Tetovës (UT) dhe Universitetin Nënë Teresa (UNT) nuk përbëjnë as gjysmën e mjeteve që do t’i ndahen Universitetit Shën Kirili dhe Metodij. Rreth 330 milionë denarë janë paraparë për vitin e ardhshëm për Universitetin e Tetovës, ndërsa rreth 288 milionë denarë do të përfitojë Universiteti “Nënë Tereza”. Bashkë, dy universitetet shqiptare në Maqedoni do të përfitojnë rreth 618 milionë denarë, përderisa vetëm për Universitetin “Shën Kirili dhe Metodij”, janë rezervuar një miliardë e treqind e pesëdhjetë e dy milionë denarë.

Nëse krahasohen veçmas, cilido nga universitetet shqiptare do të ketë në dispozicion më pak se një çerekun e mjeteve të cilat do t’i përfitojë Universiteti “Shën Kirili dhe Metodij”.

Përpos kësaj, në propozim buxhetin për vitin e ardhshëm janë paraparë edhe 200 milionë denarë për ndërtimin e fakultetit për shkencat informatike dhe inxhinieri kompjuterike, si dhe për fakultetin për kulturë fizike, fakultete të cilat funksionojnë në kuadër të Universitetit “Shën Kirili dhe Metodij”. Përderisa parashihen mjete edhe për ndërtimin e fakultetit për kulturë fizike, Universiteti Nënë Tereza vazhdon të vuajë mungesën e hapësirave të nevojshme si për studentët, ashtu edhe për administratën, të cilët janë vendosur në objekte të përkohshme apo në objekte të marra me qira.

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat
Sondazh
    test