Shënohet 23 vjetori i themelimit të Universitetit të Tetovës - Bota Sot
Shënohet 23 vjetori i themelimit të Universitetit të Tetovës

Tetova

E enjte, 14 dhjetor 2017

Shënohet 23 vjetori i themelimit të Universitetit të Tetovës

Më: 6 dhjetor 2017 Në ora: 18:03
Ilustrim

Me rastin e shënimit të 23 vjetorit të themelimit të Universitetit të Tetovës, udhëheqësia e Universitetit, në krye me Rektorin Prof. Dr. Vullnet Ameti, bashkë me senatorët, dekanët, profesorët dhe studentët, bënë homazhe te busti i dëshmorit të arsimit shqip, Abdylselam Emini dhe te varri i Rektorit të parë dhe historik të Universitetit të Tetovës, Prof. Dr. Fadil Sulejmani.

Ngjarja kryesore e shënimit të 23 vjetorit të themelimit të Universitetit të Tetovës u përmbyll me një akademi solemne që u mbajt në amfiteatrin e Rektoratit. Në këtë akademi, përveç udhëheqësisë së universitetit, profesorëve dhe studentëve, ishin të pranishëm edhe një numër i madh i personaliteteve publike si: rektorë e dekanë të universiteteve nga vendi dhe rajoni, akademikë, politikanë, deputetë, udhëheqës të bashkësive fetare, përfaqësues të biznesit dhe medias.

Akademinë e shpalli të hapur Rektori i Universitetit të Tetovës, Prof. Dr. Vullnet Ameti. Ai tha se Universiteti i Tetovës filloi me punë sot e 23 vjet më parë, për t’i dhënë fund një herë e përgjithmonë diskriminimit që i bëhej popullit shqiptar të trevave tona dhe për të trasuar një të ardhme më të mirë për të gjitha etnitetet që jetojnë në Republikën e Maqedonisë.

“Shikuar në këtë prizëm, universiteti është platforma jonë e përbashkët, pikë gërshetimi e historisë sonë, e traditave tona, vizionit dhe idealit tonë të përbashkët. Këtu si askund tjetër mbruhet imazhi për vetveten dhe reflektimi përtej vetvetes. Universiteti i Tetovës sot vërtet feston ditëlindjen e 23-të, por është shumë më i vjetër se kaq, sepse ai lindi nga ëndrra shekullore për arsimim në gjuhën amtare, prandaj edhe mozaikun e tij, përveç shpirtit të kohës, e plotëson edhe shpirti i të shkuarës, gjaku, djersa, mundi, sakrifica dhe përvuajtja e gjyshërve, stërgjyshërve dhe katragjyshërve tanë.”, tha Rektori Prof. Dr. Vullnet Ameti.

Në këtë akademi ishte i pranishëm edhe ambasadori i Republikës së Shqipërisë në vendin tonë, shkëlqesia e tij, z. Fatos Reka,i cili në emër të institucioneve të Republikës së Shqipërisë iu drejtua të pranishmëve në akademi me fjalë përshëndetëse. Ai tha se UT-ja ka dhënë një kontribut të jashtëzakonshëm në formimin e brezave të tërë të studentëve dhe më vonë të inxhinierëve, arsimtarëve e kështu me radhë.

Ndërsa në emër të institucioneve të Republikës së Kosovës, me fjalë përshëndetëse auditorit iu drejtua Rektori i Universitetit të Prishtinës, Prof. Dr. Marjan Dema. Ai tha se me themelimin e Universitetit të Tetovës gjendja politike, ekonomike, sociale, shoqërore e kombëtare e shqiptarëve në Maqedoni ka ndryshuar dukshëm.

“Ku ishim para 23 viteve? Nëse ndalemi për një moment dhe bëjmë një krahasim të gjendjes aktuale dhe të asaj para 23 viteve të elementit shqiptar në Maqedoni do të vërehet një dallim i madh në të gjitha fushat e jetës. Deri te ky ndryshim ka ardhur duke iu falënderuar Universitetit të Tetovës që me kontributin e stafit akademik, rinisë, intelektualëve, qytetarëve shqiptarë të Maqedonisë, diasporës të ndihmuar nga profesorët e Universitetit të Prishtinës dhe Universiteteve të Shqipërisë arriti që ta ndryshojë këtë nënqiell, duke e shndërruar atë në një vend që siguron një të ardhme të sigurt për të rinjtë e vendit të vet”, theksoi Prof. Dr. Marjan Dema, Rektori i Universitetit të Prishtinës.

Kjo akademi u përmbyll me një program artistik, me interpretimin e disa këngëve nga profesorët e Fakultetit të Arteve të Universitetit tonë, Selami Kolonja dhe Kastriot Tusha, të shoqëruar në Piano nga Taulant Kolonja.

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat
Sondazh
    test