Bilall Kasami, kryetar i Lëvizjes "Besa" në Tetovë

Tetova

Bilall Kasami, kryetar i Lëvizjes "Besa" në Tetovë

Më: 24 shkurt 2018 Në ora: 21:43
Krahu i Tetovës i Lëvizjes “Besa”

Krahu i Tetovës i Lëvizjes “Besa” e zgjodhi të shtunën në kongresin e parë të partisë, Bilall Kasamin për kryetar të saj. Ai mori 455 vota nga 481 delegatët e regjistruar në kongres.

Lëvizja “Besa”, e cila në zgjedhjet parlamentare të dhjetorit, 2016 doli si partia e dytë më e madhe shqiptare në Maqedoni, tash është përçarë në dy fraksione, përfshirë pesë ligjvënësit e saj, tre prej të cilëve janë me fraksionin Shkupit dhe dy të tjerët me atë të Tetovës.

Zoti Kasami ishte kryetar i parë i “Besës”, një parti e re e cila u formua para tre vjetësh dhe që mori mbështetjen e votuesve të pakënaqur të partive BDI dhe PDSH në Maqedoni. Vetë zoti Kasami nuk arriti të fitojë garën në zgjedhjet lokale në Tetovë vitin e kaluar dhe kjo duket se shtoi pakënaqësitë në radhët e partisë.

Bilall Kasami tha në kongresin e së shtunës se “Lëvizja Besa është një, se ka një kongres që sot zgjodhi kryetarin dhe organet e partisë. Pjesa tjetër është çështje e organeve të rendit”, u shpreh ai.

Zoti Kasami nuk e hedh poshtë mundësinë e pjesëmarrjes në koalicionin qeveritar të Maqedonisë, për çka thotë se nëse do të ketë ofertë për të qenë pjesë e Qeverisë, sigurisht se Lëvizja “Besa” do ta diskutojë atë.

Ndërkaq, krahu tjetër i partisë, ai i Shkupit e zgjodhi para një jave Afrim Gashin për kryetar të “Besës”.

Të dy fraksionet presin që gjykata të vendosë se kush do ta mbajë emrin e partisë “Besa”.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat