Edhe Malësia në menaxhim të ndërmarrjes publike

Tetova

Edhe Malësia në menaxhim të ndërmarrjes publike

Më: 20 prill 2018 Në ora: 23:28
Ilustrim

Disa fshatra të Malësisë së Tetovës vazhdojnë që të mos jenë pjesë e Ndërmarrjes Publike Komunale Tetova-Tetovë, për sa i përket menaxhimit me mbeturinat. Deri më tash, pjesa dërmuese e fshatrave që janë në Malësinë e Tetovës janë pjesë e ndërmarrjes, kurse nga muaji i ardhshëm edhe fshatrat tjerë do të marrin këtë shërbim.

“Nga fillimi i muajit maj, ne shpresojmë që ndërmarrjen tonë ta shtrijmë edhe në fshatin Vicë, Veshallë dhe fshatrave të tjerë që janë në Malësinë e Tetovës. Për momentin menaxhojmë në fshatrat Shipkovicë, Gajre, Lisec, Sellcë dhe Brodec, mirëpo shpresojmë që edhe këta katër fshatra sa kanë ngelur të jenë pjesë e menaxhimit të ndërmarrjes tonë dhe me këtë të mbulojmë tërë territorin e komunës së Tetovës”, deklaroi Xhelal Ceka, drejtor i ndërmarrjes komunale Tetova-Tetovë.

Sipas tij, banorët në koordinim me ndërmarrjen i caktojnë pikat e grumbullimit. “Fillimisht banorët do të duhet të caktojnë vendet apo pikat e grumbullimit, kurse ne si ndërmarrje do të duhet që të marrim hedhurinat, por do të duhet të caktohet se kjo do të jetë një herë në javë apo një herë në muaj. Pikërisht për këtë do të ngelet të vendoset bashkërisht me banorët”, tha Ceka. Për momentin, në këto fshatra mbeturinat hidhen në vende të ndryshme dhe kjo situatë nuk duhet të vazhdojë edhe më tej, sepse hedhja e mbeturinave në mënyrë të paorganizuar mund të sjellë edhe epidemi, ankohen banorët.

Krahas kësaj, mbeten problem mini-deponitë që shfaqen përgjatë rrugëve që çojnë në Malësinë e Tetovës. Sipas numrit një të ndërmarrjes publike në Tetovë, mini-deponitë në këtë pjesë të Tetovës kohë pas kohe pastrohen, por megjithatë të njëjtat hidhen nga persona të papërgjegjshëm. 

“Në rrugën, e cila shpien për në fshatrat e Malësisë së Tetovës, ne kemi pastruar disa deponi të vogla, ndërsa për sa u përket fshatrave tjerë që janë në Malësi, në bashkëpunim me bashkësitë lokale të këtyre fshatrave dhe personat që janë më kompetentë, ata do të vendosin për një pikë ku ne do të vendosim kontejnerët prej pesë tonësh dhe prej aty do të fillojmë transportimin e këtyre mbeturinave për në qytet. Deri më tani jemi angazhuar në pastrimin e këtyre deponive të vogla, por nëqoftëse paraqitet edhe ndonjë mini-deponi, ne do të ndërmarrim aktivitete për pastrim, që njëherë e përgjithmonë ta zgjidhim problemin e mbeturinave”, theksoi drejtori Ceka.

Banorët tash e tutje nuk do të hedhin mbeturinat në vende periferike, por të njëjtat do të grumbullohen nga ana e ndërmarrjes.

Banorët, duke mos pasur mundësi që të kenë një deponi, ata gjejnë vende alternative të papërshtatshme. Mbi dhjetë vendbanime që gjenden në Malësinë e Tetovës, gjatë dekadës së fundit asnjëherë nuk kanë qenë në sistemin e kësaj ndërmarrje për grumbullimin e mbeturinave. Kështu, këto fshatra kanë hedhur mbeturinat në deponi të ndryshme të egra vite me radhë, ndërsa pritet që tash e tutje në këta fshatra të funksionojë Ndërmarrja Publike Komunale Tetova-Tetovë, e cila do të bëjë grumbullimin, deponimin dhe transportimin e mbeturinave të banorëve në Malësinë e Tetovës për në Drislla.

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat