Bashkia e Tiranës përfundon këndin e pestë të lodrave për fëmijë në Allias

Tirana

Bashkia e Tiranës përfundon këndin e pestë të lodrave për fëmijë në Allias

Më: 12 tetor 2016 Në ora: 12:22
Sheshi “Shyqyri Peza"

Zonës së Alliasit në Njësinë Administrative nr. 4 në kryeqytet i është shtuar një hapësirë e re për fëmijët dhe të rinjtë ku mund të kalojnë kohën e lirë.

Bashkia e Tiranës përfundoi  këndin më të ri të lodrave në sheshin “Shyqyri Peza”. Punimet u inspektuan nga kryetari i Bashkisë së Tiranës, Erion Veliaj, i cili teksa vlerësoi cilësinë e punimeve, theksoi se kjo hapësirë u shërben të gjitha moshave.

Veliaj u shpreh gjithashtu i sigurt se përqendrimi i fokusit të punëve të bashkisë te çerdhet, kopshtet, shkollat dhe te këndet e lojërave është investimi më i mirë që i bëhet një qyteti dhe të ardhmes së tij.

“Unë e mbaj mend datën 1 qershor se çfarë lumturie ishte hapja e këndit të lodrave te Liqeni. Shumë njerëz që panë gjithë atë debat nuk e kuptuan se për çfarë po bëhej gjithë ai sherr, për kënde lodrash. Por, prania e aq shumë fëmijëve, e prindërve të lumtur, ishte në fakt garancia që po bënim gjënë e duhur dhe e vazhduam atë projekt nga këndi i lodrave te liqeni, në këndet e lodrave në çdo lagje”, theksoi Veliaj.

Ndërkohë që deputetja, Blerina Gjylameti ka falenderuar bashkinë për këtë investim, i cili i jep banorëve të zonës një tjetër hapësirë ku mund të argëtojnë fëmijët, si dhe të kalojnë kohën e tyre të lirë.

Këndi i lojërave në Allias ka një sipërfaqe totale prej 1408 m2, nga të cilat 592 m² sipërfaqe e gjelbëruar, sipërfaqe e shtruar me rërë dhe e pajisur me lodra 218 m² dhe sipërfaqe e përdorur për kalim 164 m². Këndi është i pajisur me lojëra gjithëpërfshirëse, si dhe me një minifushë futbolli.

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat