Rehabilitohet rruga “Ali Demi”, Veliaj: Investimi falë taksave

Tirana

Rehabilitohet rruga “Ali Demi”, Veliaj: Investimi falë taksave

Më: 16 tetor 2016 Në ora: 13:52
Erion Veliaj

Kryetari i Bashkisë së Tiranës, Erion Veliaj, i shoqëruar edhe nga deputeti i PS, Ditmir Bushati, inspektoi mbylljen e punimeve, për Rrugën “Ali Demi”.

Kryebashkiaku Veliaj, theksoi se ky është një nga projektet kryesore që synon përmirësimin e infrastrukturës në njësinë nr.1 pasi sipas tij së shpejti nisin punimet edhe për disa projekte të tjera në këtë zonë.

Veliaj: Shkoza, gjithë zona e “Ali Demit” do të jetë pjesa e Tiranës policentrike, do të thotë të ketë mjaftueshëm infrastrukturë për të funksionuar sikur të ishte një qytet më vete, me shërbimet, shkollat, institucionet e tjera.

Veliaj tha se Bashkia e Tiranës është duke punuar në disa ura mbi lumin e Lanës, në mënyrë që sipas tij jo vetëm qendra e Tiranës të ketë infrastrukturë, por edhe zonat e quajtura periferike.

Veliaj: Shumë shpejt, njësia 1 do të përfshihet në projektin tonë të pastrimit dhe do t’u kërkojmë të gjithë qytetarëve që tani që kemi infrastrukturën e mirë të rrugëve, tani duhet ta çojmë në një nivel më lart pritshmërinë tonë qytetarëve.

Kryetari i Bashkisë bëri të ditur se projekti për ndërtimin e 20 shkollave të reja do t’i vijë në ndihmë edhe njësisë nr. 1, për të siguruar institucionet e duhura arsimore edhe për banorët e kësaj zone.

Rehabilitimi i rrugës “Ali Demi” në një gjatësi prej rreth 2 km, por edhe i rrugëve “Emin Harizi” dhe “Shemsi Haka” që janë përreth fushës “Ali Demi”, iu vjen në ndihmë rreth 55 mijë banorëve që jetojnë në këtë zonë.

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat