Veliaj: Transformimi i Tiranës është i dukshëm; qytetarët presin që të vazhdojmë punën

Tirana

Veliaj: Transformimi i Tiranës është i dukshëm; qytetarët presin që të vazhdojmë punën

Më: 9 prill 2017 Në ora: 12:35
Pamje nga inspektimi i Veliajt

Pas një zvarritjeje të gjatë disa vjeçare, Bashkia e Tiranës është duke përfunduar punimet për ndërtimin e qendrës së re shumëfunksionale në Bregun e Lumit, në Njësinë Nr. 4. Falë edhe mbështetjes nga Komisioni Evropian, në këtë zonë është mundësuar ndërtimi i një shkolle të re, e një kopshti dhe çerdheje, si dhe e qendrës sociale e cila do t’u vijë në ndihmë qytetarëve të zonës.

Punimet për ndërtimin e kësaj qendre u inspektuan nga kryetari i Bashkisë së Tiranës, Erion Veliaj dhe deputetja e PS, Blerina Gjylameti, i cili theksoi se ndërtimi i qendrës dhe përmirësimi i infrastrukturës në të gjithë zonën, do ta shndërrojë Bregun e Lumit në një nga destinacionet më moderne të Tiranës. Veliaj tha se investimet do të fokusohen jo vetëm në Tiranën qytet, por edhe në zonat periferike.

“Në një vit e gjysmë, këtu transformimi është i dukshëm, ndaj dua t’u bëj thirrje të gjithëve që, teksa bëjmë debatet e mëdha politike, të cilat janë të nevojshme, është e rëndësishme të kuptojmë se ajo që presin qytetarët nga ne është që të përveshim krahët dhe të vazhdojmë punën. Nëse dikush nuk ka bërë punë dhe për këtë arsye nuk ka çfarë ofron e nuk do të vijë në zgjedhje, kjo nuk duhet të jetë problem dhe dramë e të gjithë qytetarëve shqiptarë. Ama, kush ka bërë punë dhe kush do të bëjë akoma më shumë punë, duhet të paraqesë ofertën e vet në datë 18 qershor dhe të na tregojë se si mund të bëjmë më shumë kopshte, më shumë çerdhe, më shumë rrugë, më shumë tregje si Pazari i Ri, më shumë rrugë si Bulevardi i Ri, më shumë sheshe si sheshi “Skënderbej”, më shumë kënde lodrash”, tha Veliaj.
Ai tha se është një lajm i mirë që Bashkia e Tiranës po investon gjithmonë e më shumë në periferi të qytetit, e madje këto investime janë edhe më të mira se ato të qendrës.

Kreu i Bashkisë sqaroi se koncepti i këtij kompleksi është që të funksionojë si një qendër komunitare.

Veliaj garantoi qytetarët se investimet do të vijojnë me një ritëm, për t’u ofruar atyre jo vetëm infrastrukturë më të mirë, por edhe shërbime shumë herë më cilësore.
Deputetja e PS, Blerina Gjylameti falenderoi kryetarin e Bashkisë për përkujdesin e treguar në investimet në periferi të qytetit, duke i dhënë shpresë dhe mundësi të reja të gjithë komunitetit në këtë zonë.

Nga realizimi i projektit për përmirësimin e infrastrukturës arsimore dhe sociale në njësinë Nr. 4 në kryeqytet, është ndërtuar qendra sociale, çerdhja, kopshti, si dhe një shkollë. Gjithashtu, do të ketë një qendër shumëfunksionale, kinema dhe mensë, në shërbim të komunitetit. Midis palestrës së shkollës dhe vetë shkollës është ndërtuar edhe një godinë për shërbimet, si dhe dhomat e zhveshjes për palestrën. Si për kopshtet, edhe për qendrën sociale, është bërë izolimi termik, për të siguruar një qëndrim sa më komod të fëmijëve në shkollë. Kapaciteti i shkollës është 900-1000 nxënës, në varësi të nevojave që ka komuniteti. 

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat