Bashkia e Tiranës shpall 4 fituesit për suvenirët që përfaqësojnë më mirë Tiranën

Tirana

Bashkia e Tiranës shpall 4 fituesit për suvenirët që përfaqësojnë më mirë Tiranën

Më: 21 korrik 2017 Në ora: 18:49
Kreu i Bashkisë së Tiranës, Erion Veliaj

Tirana ka tashmë një produkt të mirëfilltë turistik, që përfaqëson më së miri kulturën, historinë dhe zhvillimin e qytetit. 

Bashkia e Tiranës ka shpallur sot 4 fituesit e konkursit për dizenjimin e suvenirëve, ku morën pjesë më shumë se 40 artistë që paraqitën punimet e tyre për mënyrën se si Tirana duhet t’u prezantohet turistëve të huaj.

Kreu i Bashkisë së Tiranës, Erion Veliaj theksoi se kishte ardhur koha që edhe Tirana të ketë suvenirët e saj, që përfaqësojnë më së miri qytetin në të gjitha dimensionet kulturore dhe historike, e që mund t’i rezistojnë kërkesave të tregut dhe pritshmërive të turistëve që vizitojnë kryeqytetin.

“Kur pamë se turizmi i kryeqytetit përfaqësohej nga suvenire kineze menduam ta zgjidhim duke krijuar një konkurs për të gjithë ata që me pak kreativitet mund të sjellin gjera të bukura”, tha Veliaj. Duke theksuar se qëllimi i këtij konkursi është rritja e tregueshmërisë së suvenirëve dhe diversifikimi i tyre, duke lidhur dizenjimin dhe kompozimin me tendencat tregtare bashkëkohore, si dhe me traditën dhe trashëgiminë natyrore, historike dhe kulturore të Tiranës, për ta bërë atë më tërheqës për vizitorët dhe turistët që vizitojnë qytetin, ai theksoi se pavarësisht faktit që fitues u shpallën vetëm 4 punime, të gjithë pjesëmarrësit e tjerë dhe veprat e tyre do të kenë mundësi që t’i përmirësojnë ato dhe ti bëjnë pjesë e tregut.

Ai deklaroi se vetëm në 6 muajt e parë të këtij viti numri i turistëve që kanë vizituar kryeqytetin është rritur me 2.4 herë.

Kreu i Bashkisë deklaroi se një impakt pozitiv në rritjen e numrit të turistëve ka dhënë dhe përmirësimi i infrastrukturës dhe transformimi që ka pësuar në tërësi qyteti. Gjithashtu, ai deklaroi se krahas rritjes së stacioneve që mund të vizitohen në Tiranë nga turistët është rritur edhe kërkesa për shtretër. Kryebashkiaku deklaroi se brenda katër viteve do të plotësohet edhe kjo kërkesë e turistëve për t’u akomoduar.

Kryetari i Bashkisë nënvizoi se një punë e mirë është bërë dhe për përgatitjen e njerëzve të aftë për këtë industri, projekt i cili nisi katër vite me parë me shkollat profesionale të turizmit. 

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat