Çmimi i ujit/ Këshilltarja largohet nga LSI: Vota ime do të jetë për PS-në

Tirana

Çmimi i ujit/ Këshilltarja largohet nga LSI: Vota ime do të jetë për PS-në

Më: 27 korrik 2017 Në ora: 19:09
Mbledhja e Bashkisë së Tiranës

Pas akuzave të LSI-së se ajo iu bashkua PS-së duke dhënë votën pro rritjes së çmimit të ujit, këshilltarja e LSI-së, Genta Mezini ka reaguar përmes një mesazhi, duke zyrtarizuar largimin nga kjo forcë politike. Ajo sqaron se votën pro e dha për Ujësjellësit, ndërsa tregon se nuk e ka shitur votën, por shton se do të jetë pjesë e PS-së.

Reagimi

Falënderoj të gjithë qytetarët e njësisë 10 të cilët me votën e tyre në vitin 2015, më dhanë mundësinë të jem pjesë e Këshillit Bashkiak të Tiranës. Falënderoj të gjithë dashamirësit dhe ata që më kanë përgëzuar për aktin e djeshëm, ku unë votova bindshëm, krejt e lirë dhe e pavarur prej imponimit politik, votova për një projekt kaq ambicioz, që lidhet me furnizimin me ujë të kryeqytetit për 24 orë. Jo vetëm si qytetare e Tiranës, por edhe si mjeke në profesion, unë jam e bindur që rindërtimi sipas standardeve të larta bashkëkohore të rrjetit të ujësjellesit, do të minimizojë ndjeshëm edhe sëmundjet infektive që vijnë si pasojë e kontaminimit të ujit nëpër depozita dhe cisterna krejt të amortizuara, siç janë parazitët e ndryshëm, viruset etj.

Përsa i përket deklaratave të bëra nga LSI për blerjen e votës sime, apo manipulimin e votës sime përkundrejt pazareve që vetëm një dëshpërim i thellë mund ta sajojë, ju bëj me dijeni që asgjë nuk është e vërtetë. Unë premtoj që votën time, në Këshillin Bashkiak të Tiranës do ta përdor vetëm në të mirë të interesave të komunitetit. Jam e nderuar që më jepet mundësia të kontribuoj përkrah kryetarit të Bashkisë z. Erion Veliaj dhe do bëj te pamundurën që të jap gjithë mundësitë e mia në shërbim të qytetarëve. Duke u nisur nga akuzat e dëshpëruara të LSI për blerjen e votës sime, dhe duke qenë se unë zgjedh progresin dhe jo regresin, zgjedh zhvillimin dhe jo prapambetjen, zgjedh shëndetin dhe jo sëmundjen, e shoh se nuk mund të jem më pjese e formatit politik të LSI. Që nga ky moment , vota ime do të jetë pjesë e grupit politik të Partisë Socialiste.

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat