Minipark te rrethrrotullimi i Zogut të Zi

Tirana

Minipark te rrethrrotullimi i Zogut të Zi

Më: 5 gusht 2017 Në ora: 12:33
Erion Veliaj

Një minipark me shatërvane, lulishte dhe pemë do të krijohet në rrethrrotullimin e Zogut të Zi. Punimet e nisura u inspektuan nga kryebashkiaku Veliaj, i cili the se Tirana do të ketë një hyrje dinjitoze në shtator.

“Vjet përfunduam hyrjen e Tiranës, Rr. “Dritan Hoxha”, e cila do të vazhdojë të sistemohet edhe këtë vit. Megjithatë, kjo është vetëm një ndërhyrje estetike. Këtu ka ekzistuar një pellgaqe bretkosash, por kjo s’mund të ishte hyrja e Tiranës. Projekti i ri parashikon një minipark, me një hapësirë qendrore për vendosjen e instalacioneve të ndryshme artistike, të cilat do të ndërrohen sipas stinëve. Ndërkohë, pjesa tjetër do të ketë disa hapësira me shatërvanë, ku do të mbjellim edhe bimësi shumë stinore, në mënyrë që edhe hyrja e Tiranës të ketë të njëjtin dinjitet si sheshi ‘Skënderbej”, tha Veliaj.

Pas përfundimit të punimeve në rrethrrotullimin e Zogut të Zi, ndërhyrja do të prekë edhe fasadat e pallateve përreth.

“Do të ketë një pastrim fasadash nga reklamat, posterat dhe mbishkrimet e tepërta që janë ndotje estetike. Në disa kemi ndërhyrë me grafiti apo me vendosjen e sistemeve të reklamave dixhitale, por unë besoj që e ka mundësinë të jetë një mini “Time Square” i rrethuar me reklama dixhitale”, u shpreh kryebashkiaku.

Sipas materialit të përcjellë nga zyra e shtypit në Bashkinë e Tiranës, projekti i radhës do të jetë tek sheshi “Shqiponja”, ku fillimisht do të ndërtohet nënkalimi për t’i dhënë zgjidhje çështjes së trafikut. 

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat