Kryetari i Bashkisë Erion Veliaj, mesazh urimi për Kurban Bajramin

Tirana

Kryetari i Bashkisë Erion Veliaj, mesazh urimi për Kurban Bajramin

Më: 1 shtator 2017 Në ora: 10:49
Erion Veliaj dhe Skënder Bruçaj

(E plotësuar) - Kryetari i Bashkisë së Tiranës, Erion Veliaj uroi sot besimtarët myslimanë për ditën e Kurban Bajramit. Fillimisht kryebashkiaku Veliaj vizitoi selinë e Komunitetit Mysliman, ku i uroi këtë festë kreut të besimtarëve myslimanë në vendin tonë Skënder Bruçaj, dhe më pas, nëpërmjet medias, edhe gjithë shqiptarëve. Në mesazhin e tij, kryebashkiaku Veliaj deklaroi se Xhamia e Namazgjasë do të jetë gati vitin tjetër, e cila do të shërbejë jo vetëm si një hapësirë e praktikimit të besimit për komunitetin mysliman, por edhe një hapësirë fantastike për qytetin. “Së pari ju uroj të gjithëve gëzuar Bajramin.

Bashkë me deputetët e Tiranës uruam gjithë kolegët tanë, gjithë miqtë tanë, vëllezërit dhe motrat tona myslimanë të Komunitetit Mysliman Shqiptar. Më vjen mirë që kemi ecur shumë me punët e xhamisë, do të jemi gati për ta hapur vitin tjetër, pas një viti dhe besoj që më në fund komuniteti mysliman i Tiranës do të ketë një hapësirë e cila përveç se do të jetë një xhami dhe një vend i praktikimit të besimit për besimtarët, do të jetë një hapësirë fantastike për qytetin, do të ketë qendër kulturore, do të ketë muzeun ndoshta më unik në Europë të bashkëjetesës fetare, pra të të gjitha besimeve.

Unë besoj që kjo çështja e harmonisë fetare është diçka që kurohet çdo ditë, nuk është diçka që duhet ta marrim për të mirëqenë apo diçka që na vjen si dhuratë nga dikush tjetër nëse ne vetë nuk investohemi përditë”, tha Veliaj, ndërsa shtoi se sot Bashkia e Tiranës, deputetë dhe anëtarë të këshillit Bashkiak do të jenë pranë qendrave sociale për të ndihmuar njerëzit në nevojë. Kryebashkiaku Veliaj ftoi të gjithë qytetarët që të tregohen solidarë. “Besoj që ky është edhe motivi i kësaj feste, solidariteti. Nuk është një festë për të shpërndarë mish, është një festë për të shpërndarë dashuri, për të shpërndarë mirësi, për të shpërndarë përkujdesje. Dhe kjo është diçka që duhet praktikuar gjithashtu përditë.

Ndaj i ftoj të gjithë qytetarët e Tiranës që me të njëjtën mirësi që funksionojmë sot, në këtë festë të besimit, duhet të funksionojmë përditë. Ne mund të  bëjmë ndoshta atë që bën një pjesë që vë gishtin aty ku ka problem, ose aty ku ka një problem mund të shohim një mundësi për të shërbyer, një oportunitet për të bërë diçka të mirë dhe të mbarë. Ne si qytet me deputetët e Tiranës, me prefekturën dhe me të gjithë ata që shërbejnë në qytetin e Tiranës, mundohemi çdo ditë që të jetojmë me këtë mision”, u shpreh Veliaj.

Urimi i Veliajt për Kurban Bajram: Jo vetëm festë për mish, më shumë dashuri

Kryetari i Bashkisë së Tiranës, Erion Veliaj pas vizitës në Komunitetin Mysliman Shqiptar me rastin e festës së Kurban Bajramit gjeti rastin të urojë gjithë shqiptarët.

Në një ditë feste si kjo tha Veliaj, të gjithë tregohen solidarë, por ky solidaritet duhet të na ndjekë në çdo ditë. Në këtë kuadër ai sqaroi se Bashkia e kryeqytetit do jetë e pranishme me shpërndarjen e vakteve në qendrat sociale dhe aty ku kanë nevojë të pamundurit.

“Do shpërndajmë vaktin e Bajramit për njerëzit në nevojë. Qyteti i Tiranës do vazhdojë të tregojë solidaritet, kjo s’është festë për mish por për dashuri e kujdesje. Me të njëjtën mirësi që funksionojmë sot duhet të jemi çdo ditë”,- tha ai.

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat