"Burri më thotë ‘do të vras e do shes shtëpinë" / Gruaja kërkon mbrojtje, por Gjykata…

Tirana

"Burri më thotë ‘do të vras e do shes shtëpinë" / Gruaja kërkon mbrojtje, por Gjykata…

Më: 12 shtator 2017 Në ora: 08:08
Gjykata e Tiranes

Prokuroria dhe Gjykata e kryeqytetit kanë refuzuar të hetojnë padinë e një gruaje, e cila konfliktohet prej katër vitesh me bashkëshortin për shkak se ai pi alkool dhe luan bixhoz.

Gruaja ka shkuar në dyert e gjykatës dhe të prokurorisë, pasi i shoqi e ka kërcënuar se do ta vrasë, por prokurorët dhe më pas togat e zeza nuk janë bindur të lëshojnë urdhër mbrojtjeje me argumentin se “kërcënimi verbal nuk është shoqëruar me dhunë fizike”.

Në komisariatin e Policisë nr.4 Tiranë, është paraqitur shtetasja me iniciale E.P., e cila ka bërë kallëzim penal për faktin se ajo prej disa vitesh është e martuar dhe me burrin ka një djalë të moshës 8 vjeç. Gruaja në padi thekson se me bashkëshortin nuk shkon mirë, pasi ai e ka dhunuar vazhdimisht psikologjikisht e fizikisht, ku për këtë fakt ka marrë dhe urdhër mbrojtjeje, shkruan “panorama”. “Ditën që është paraqitur në polici, ajo shpjegon se gjatë gjithë kohës është zënë me bashkëshortin dhe sherri me të ka filluar që në mëngjes, pasi të dy janë të papunë. Ai, sipas paditëses, bën veprime të pakontrolluara, i thotë gruas që të dalë nga shtëpia, ta shesin shtëpinë etj., dhe këtë e bën pasi pi alkool e luan bixhoz”, thuhet në padinë e bërë nga gruaja. 

Ajo gjithashtu kërkon që të ndahet prej të shoqit, ku herën e fundit ka bërë dhe padi në gjykatë për ndarje, por më pas është tërhequr për t’i dhënë dhe një shans bashkëshortit për hatër të fëmijës.

Më tej në kallëzim theksohet se meqenëse gjendja është bërë e padurueshme dhe nuk mund të jetojë dot me të, ajo kërkon që të ndahet, ndërsa ditën e ngjarjes shpjegon se ndaj saj nuk është ushtruar dhunë fizike, por burri e ka kërcënuar duke i thënë se “do të të vras, do të të përzë nga shtëpia, nuk pyes për njeri etj.”.

Ky kërcënim, sipas hetimit, provohet dhe nga deklarimet e nënës së gruas që ka bërë denoncimin për këtë rast. Burri, i cili është marrë në pyetje, e pranon faktin se ka disa kohë që me bashkëshorten e tij ka kontradikta. Kjo, sipas tij, ka ardhur si rezultat se ajo nuk ka qenë mirë nga ana shëndetësore e psikologjike. Megjithatë, ai shpjegon se asnjëherë nuk ka ushtruar dhunë ndaj saj, por kanë rreth katër vjet që ata vetëm grinden, ku disa herë ajo e ka çuar dhe në polici.

Gjykata thekson në vendimin e saj se në rastin konkret rezulton se nuk ndodhemi para veprës penale të “dhunës në familje”, pasi mungojnë elementët e kësaj vepre penale e konkretisht ana objektive e subjektive e veprës.

Sipas togave të zeza, paditësja ka deklaruar se ajo kërkon vetëm ndarjen me bashkëshortin, si dhe ditën e ngjarjes prej tij nuk është ushtruar ndonjë dhunë fizike, e cila të ketë sjellë cenimin e integritetit fizik, psiko-social e ekonomik të të dëmtuarës. Ajo ka bërë kallëzim në Prokurorinë e Tiranës në lidhje me ngjarjen, por hetimi për këtë rast është mbyllur me të njëjtin argument.

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat