Tirana ndezi dritat e festave të fundvitit - Bota Sot
Tirana ndezi dritat e festave të fundvitit

Tirana

E enjte, 14 dhjetor 2017

Tirana ndezi dritat e festave të fundvitit

Më: 7 dhjetor 2017 Në ora: 20:35
Pamje nga Tirana

Pas sheshit “Skënderbej” mbrëmë, sot ishte radha e Pazarit të Ri të ndriçohej nga dritat e festave të fundvitit.

Me shtypjen e butonit të ndezjes së dritave festive, kryetari i Bashkisë së Tiranës, Erion Veliaj solli simbolikisht festat edhe në një nga hapësirat më të frekuentuara nga qytetarët e Tiranës dhe turistët e huaj.

Veliaj uroi muajin e festave dhe theksoi se këtë vit, Tirana falë investimeve të bashkisë dhe të Fondit Shqiptaro-Amerikan të Zhvillimit, do të ketë dy qendra ku do të festojë.

“Për herë të parë kemi dy vende ku do të festojmë festat e fundvitit, Krishtlindjen dhe Vitin e Ri. Kemi sheshin “Skënderbej”, që vjen si një hapësirë më e madhe kombëtare, por për herë të parë jemi këtu në Pazarin e Ri. Shikoni sa gjëra të bukura bëjmë kur punojmë, kur jemi bashkë, kur kemi mendje të bëjmë gjëra të bukura, jo të shajmë njëri-tjetrin, jo të pengojmë njëri-tjetrin, jo të merremi ky është i partisë time, ky është i partisë tjetër”, tha Veliaj.

Ai u shpreh se projekti i ardhshëm që do realizohet në bashkëpunim me Fondin Shqiptaro-Amerikan të Zhvillimit do të jetë transformimi i Piramidës.

“Sot kam një lajm tjetër të mirë që na erdhi nga Amerika. Sapo kemi siguruar edhe financimin, që ashtu siç punuam me Fondin Amerikan për të bërë pazarin e ri, ashtu edhe investimi tjetër do të jetë tek Piramida, për ta transformuar atë në qendrën më të madhe të kulturës në të gjithë Ballkanin, kushtuar të rinjve që duan të shprehen përmes artit, kulturës, librit, filmit, teatrit. Më vjen mirë që në fakt suksesin e Pazarit të Ri do ta transferojmë për ta bërë edhe një vatër tjetër. Nëse do të vazhdojmë kështu çdo vit, me nga një projekt komunitar siç ishte Pazari i Ri, besoj se Tirana e ka më të mirën përpara”, tha Veliaj.

Ndryshe, veç ushqimeve, pijeve e dhuratave, Pazari i Ri ka ofruar sot edhe një koncert me këngëtarë të njohur të muzikës shqiptare, të cilët me këngët e tyre sollën një atmosferë vërtet të gëzueshme për të gjithë të pranishmit. 

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat
Sondazh
    test