Shoqëria shqiptare ka patur vazhdimisht probleme me mos-informimin, shkeljen e privacisë dhe publikimin e të dhënave personale në dëm të qytetarëve të ndryshëm.
Por vetëm kohët e fundit është duke u rritur vetëdija dhe kujdesi i tyre për të mbrojtur të dhënat, falë punës së Zyrës së Komisionerit për të Drejtën e Informimit dhe Mbrojtjen e të Dhënave Personale.
Zyra është themeluar në vitin 2008 dhe në mars bëhen 10 vjet qyshkur parlamenti miratoi ligjin “për mbrojtjen e të dhënave personale”.
Vetëm në katër vitet e fundit numri i ankesave të qytetarëve është trefishuar, nga 73 ankesa në vitin 2014, 140 ankesa në 2015, 150 në 2016 dhe mbi 200 ankesa në vitin 2017.
“Ndërgjegjësimi i qytetarëve është një nga detyrat kryesore të Autoritetit, krahas mbikëqyrjes zbatimin e legjislacionit në këtë fushë, dhe tani po shfaqen rezultatet e para” - tha Besnik Dervishi, Komisioneri për të Drejtën e Informimit dhe Mbrojtjen e të Dhnave.
Komisioneri Dervishi i bëri këto komente në një veprimtari kushtuar 28 janarit, Ditës Europiane për Mbrojtjen e të Dhënave Personale.
Në të morën pjesë deputetë dhe mbi 70 studentë, të cilët ndoqën për disa ditë leksione mbi Informimin dhe Privatësinë, si pjesë e përpjekjeve për të ndërgjegjësuar qytetarët dhe për të bërë ligjin sa më të njohur ligjin.
“Zyra e Komisionerit po bën një punë shumë të mirë për nxitjen e qytetarëve në ushtrimin e të drejtave të tyre. I nxis të gjithë sidomos të rinjtë, që të mos ngurrojnë të paditin shkelje në këtë fushë. Kuvendi i Shqipërisë do e mbështesë akoma edhe më shumë këtë Autoritet për konsolidimin e bazës ligjore dhe me burimet e nevojshme për mbikëqyrjen e zbatimit të akteve rregullatore” - tha Vasilika Hysi, nënkryetare e parlamentit.
Në Ditën Evropiane të Mbrojtjes së të Dhënave Personale Posta Shqiptare emetoi një pullë postare për ta shënuar atë në kujtesën e përdoruesve, vepër e piktorit Artion Baboçi.
Shqipëria ratifikoi në vitin 2004 Konventën 108 të Këshillit të Europës dhe Protokollin Shtesë “Për mbrojtjen e individëve në lidhje me përpunimin automatik të të dhënave personale”
28 Janari është ditë europiane e Mbrojtjes së të dhënave personale, por ajo njihet tashmë në shkallë botërore, edhe jashtë Europës, si Dita e Privatësisë.