Trashëgimia Ilire, Ishulli i Shurdhahut apo Sarda, një vend që fton vizitorët - Bota Sot
Trashëgimia Ilire, Ishulli i Shurdhahut apo Sarda, një vend që fton vizitorët

Turizëm

E enjte, 14 dhjetor 2017

Trashëgimia Ilire, Ishulli i Shurdhahut apo Sarda, një vend që fton vizitorët

Më: 11 gusht 2017 Në ora: 23:18
Ishulli i Shurdhahut

Ishulli i Shurdhahut apo qyteza e dikurshme e Sardës, rrethuar nga ujërat e liqenit të Vaut të Dejës përbën një ftesë për të zbuluar pasuri historike, kulturore dhe mrekulli të natyrës të gjitha në të njëjtin vend. Historia e qytetit antik 3 mijë vjeçar vijon deri në fund të shekullit të 15 si pikëtakimi i tre kulturave kryesore të gjithë trevës së veriut të Shqipërisë. Tashmë ishulli është një vend ende i pazbuluar që mirëpret turistë vendas dhe të huaj që duan të eksplorojnë të fshehtat e tij.

Mjafton shpirti i aventurës, dëshira dhe pak kilometra larg Shkodrës mund të zbuloni një pasuri historike, arkeologjike dhe mrekulli natyrore. Qyteti 3000 vjeçar i Sardës, sot i quajtur ndryshe ishulli i “Shurdhahut” është një prej destinacioneve më të preferuara të turisteve vendas e të huaj.

Ndërsa rrethohet nga ujrat e liqenit të Vaut të Dejës, ky ishull mban në gjirin e tij vendbanimin e hershëm të Gajtanëve (Shpella e Gajtanëve) vendbanimi i Jubanëve (Shpella e Jubanëve), qyteti i Gajtanit, Kalaja e Danjës. Qyteti përshkruhet në shumë shkrime dijetarësh të huaj dhe arkeologësh që e kanë vlerësuar si zonë trashëgimie të kulturës ilire, e ku germimet në rrënojat e tij vijojnë edhe sot, pasi ende ka shumë për tu zbuluar.

Qyteza e Sardës deri në fund të shekullit 15 ka qënë një qendër e rëndësishme kulturore dhe pikë takimi i tre kulturave kryesore të gjithë trevës së veriut, kulturës së Malësisë, të kulturës së Mirditës dhe të Zadrimës, të cilat me karakteristikat e veçanta që i dallojnë nga njëra- tjetra u kanë rezistuar kohës dhe rrymave kulturore të huazuara nga pushtues të ndryshëm. Sarda dikur një qytezë përbri Drinit, si një gadishull strategjik dhe si një pikë ndërlidhëse me rrugën e vjetër Gjakovë-Shkodër-Ulqin, ishte vendbanim i familjes të madhe feudale të Dukagjinëve ku ata ndërtuan pallatin mbretëror; sot një qytezë e pabanuar e rrethuar me kurorën e bukur të ujit të kristaltë të Drinit, është kthyer në një ishull interesant dhe në një pikë të rëndësishme turistike.

Kisha e Shen Pjetrit, e arkitekturës Romake që i perket shekullit 7 – 8, është një prej komplekseve të objekteve të kultit të krishtere që gjenden në këtë zonë.

Uji i liqenit, malet dhe kodrat përreth me gjelbërimin e tyre, krijojnë një Peizazh me bukuri të rrallë, duke i dhënë këtij ishulli vlera të mëdha ekoturistike. Të shumtë janë të rinjtë vendas e të huaj, por edhe banorët e zonës që shfrytëzojnë këto bukuri për tu freskuar në vapën përvëluese të stinës së verës.

Në vitin2000 nisi frekuentimi dhe njohja më shumë e kësaj zone dhe vitet e fundit përveç numrit të lartë të vizitoreve, ka nevoja edhe për ndërhyrje thotë drejtuesi i shoqatës “Sarda”.

Vetë emri i saj i transformuar më vonë në Shurdhah ka origjinë Ilire siç dëshmohet nga qyteti i Sardis. Sarda ka qenë një stacion pushimi në rrugën e vjetër të Dardanisë. Në vitin 877 ka qenë qendër e krahinës së Polatit që përfshinte malësitë në të dy anët e drinit nga liqeni i Shkodrës deri ne Kukës. Me ambiente sanitare, pra ka pasur tualete në atë periudhë , me oborre të brendshme të ndërtuar me gur të latuar, teknikë pak a shumë vendeciane të mbuluar me rasa ose me tjegulla që janë tipike për stilin roman dhe që janë të pranishme sigurisht edhe në kishën e Shurdhahut. Sipas të dhënave qyteti jetonte përmes tregëtisë, ndërsa një rëndësi e veçantë i kushtohej edhe bujqësisë duke pasur parasysh që dikur tokat që sot janë nën liqen, kanë qenë shumë pjellore.

Porta e dytë ishte ajo që siguronte drejtuesit duke iu dhënë një mundësi të dyfishtë për të përballuar një sulm të mundshëm armik. Ishte një portë që mbante të ndarë edhe qytetarët e thjeshtë nga prijësit e tyre. Disa nga gojëdhënat thonë që kjo portë quhet ndryshe edhe “porta e kunorës”. Gërmimet e bëra më 1967-1970 zbuluan banesa, kisha dhe objekte të tjera arkeologjike. Në qafë të kodrës u zbulua një varrezë arbërore e shek.VI-VII. Qyteti me një sipërfaqe 4.8 ha ka qenë i fortifikuar me dy mure, që rrethonin përkatësisht qytetin e poshtëm dhe atë të sipërm. Sarda lindi në pragun e mesjetës si një vendbanim i vogël dhe u zhvillua në shek.XI-XII si një qytet tipik mesjetar. Me pushtimin osman më 1491 Sarda u shkatërrua dhe nuk u rimëkëmb më. Zona përreth kësaj qendre kulturore është një nga vendet më të rëndësishme arkeologjike dhe historike. Në të gjenden rrënojat e një kalaje antike romake dhe një numër objektesh të tjera me vlerë për t’u vizituar, që i përkasin shek. të XI-të.

Sot një qytezë e pabanuar e rrethuar me kurorën e bukur të ujit të kristaltë të Drinit, Sarda është kthyer në një ishull interesant dhe në një vend që të fton ta vizitosh.

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat
Sondazh
    test