Kalaja e Harilaqit, atraksion turistik i rëndësisë së veçantë - Bota Sot
Kalaja e Harilaqit, atraksion turistik i rëndësisë së veçantë

Turizëm

E martë, 12 dhjetor 2017

Kalaja e Harilaqit, atraksion turistik i rëndësisë së veçantë

Më: 21 shtator 2017 Në ora: 21:26
Kujtim Gashi,vizitoi Kalanë e Harilaqit

Kalaja e Harilaqit do të shndërrohet në një atraksion turistik. Kështu u shpreh Ministri i Kulturës, Rinisë dhe Sportit, Kujtim Gashi, që vizitoi Kalanë e Harilaqit, ku u njoftua për së afrimi më gërmimet arkeologjike, konservimet dhe restaurimet që po bëhen në këtë lokalitet me rëndësi të veçantë për trashëgiminë kulturore të Kosovës.

Ministri Gashi i përgëzoi arkeologët për punën e realizuar në kala dhe u shpreh se MKRS-ja do ta përkrah vazhdimësinë e punëve në këtë lokalitet. Ai tha se trashëgimia mbetet ndër prioritetet e ministrisë.

“Kalaja e Harilaqit është një pasuri kulturore e jashtëzakonshme jo vetëm e Fushë Kosovës por e tërë vendit, dhe ne, me mbështetjen dhe punën e përbashkët do ta ruajmë, promovojmë dhe shndërrojmë këtë lokalitet në një atraksion turistik”, tha ministri.

Udhëheqësi i punimeve në Kalanë e Harilaqit, profesor Arben Hajdari, e informoi ministrin Gashi për procesin e konservimit dhe restaurimit në kala dhe për planet në të ardhmen për këtë lokalitet me një hapësirë prej 130 ari. “Nuk është një kala e rëndomtë, por është një kala unike në llojin e vet në bazë të strukturës së saj dhe materialit specifik arkeologjik që ka kalaja dhe në bazë të gjetjeve vlerësohet se ka qenë një pikë pelegrinazhi”, tha Hajdari.

Image

Ndërsa drejtori i Institutit Arkeologjik të Kosovës, Enver Rexha, u shpreh i gëzuar për gatishmërinë e shprehur nga ana e ministrit Kujtim Gashi, për vlerësimin e punës që është bërë në kala dhe mbështetjen e premtuar për vazhdimin e punimeve në lokalitetin në fjalë.

MKRS-ja gjatë pesë viteve të fundit, në realizimin e punimeve në Kalanë e Harilaqit ka investuar projekte në vlerë që kalojnë shumën e 200 mijë eurove dhe në bazë të projeksioneve buxhetore ministria do të mbështesë edhe më tutje realizimin e punimeve në këtë lokalitet me rëndësi të veçantë.

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat
Sondazh
    test