Divjaka tërheq çdo muaj qindra vizitorë - Bota Sot
Divjaka tërheq çdo muaj qindra vizitorë

Turizëm

E hënë, 18 dhjetor 2017

Divjaka tërheq çdo muaj qindra vizitorë

Më: 8 nëntor 2017 Në ora: 12:53
Divjakë

Parku Kombëtar Divjakë-Karavasta, një nga parqet natyrore  më të vizituara për turizmin e vëzhgimit, rifillon sezonin e ri turistik me vëzhgimin e shpendëve ujorë.

Këtë e konfirmon për ATSH, Drejtori i AdZM-së Fier, që mbulon këtë park, Ardian Koçi.

Shembulli më domethënës për këtë është Parku Kombëtar i Divjakës, ku çdo fundjavë me dhjetëra vizitorë vendas e të huaj, vijnë të vëzhgojnë nga afër shpendët e shumtë që kanë zbritur tani që koha u ftoh  dhe vazhdojnë të zbresin si shtegtar në këtë park të mbrojtur më së miri.

Objektivi kryesor i vizitorëve  është Pelikani Kaçurrel, por jo vetëm, janë edhe shpendë të tjerë si  Flamingot që gjallojnë në strugat e ëmbla dhe befasojnë me piruetat e tyre ujore, Rosat e Egra, Çafkat, Karabullakët etj, që kanë pushtuar lagunën dhe strugat rreth saj.

Drejtori i Administratës së Zonave të Mbrojtura në qarkun e Fierit, që mbulon Parkun Divjakë-Karavasta Ardian Koçi, thotë për ATSH-në se çdo muaj në park, futen më shumë se 500 vizitorë që interesohen kryesisht për të parë e filmuar Pelikanin Kaçurrel dhe Flamingot.

Koçi bën të ditur se “nga janari i këtij viti e deri më tani, këtë park e kanë vizituar rreth 383 mijë turistë vendas dhe të huaj. Sipas statistikave të administratës sonë, janë futur në park, 356 mijë shqiptarë nga të cilët 20443 janë shoqëruar në guidat e tyre turistike në ambientet e parkut nga specialistët tanë të natyrës”.

Ndërsa turistë të ardhur nga vende të tjera evropiane apo edhe më larg, tha ai, numërohen rreth 27 mijë nga të cilët 3824 janë shoqëruar nga punonjësit tanë të parkut që flasin në disa gjuhë të huaja.

Vendet më të preferuara kanë qenë “Ishulli i Pelikanit”, Këneta e Madhe ku jeton Pelikani, por edhe shpendë të tjerë dhe Këneta e Vogël, ku kryesisht strehohen Flamingot dhe Rosat e Egra.

“Jemi në prag të sezonit kur kthehen shpendët migrator dhe laguna merr një pamje spektakolare por dhe vizitorë të tyre do të kemi më shumë”, thotë ai.

Futja e sa më shumë vizitorëve në këtë park, do të thotë dhe një rritje e nivelit ekonomik për komunitetin.

Produktet e shumta bujqësore e blegtorale, shërbimet në hoteleri apo në banesat private të përshtatura në bujtina, janë një vlerë e shtuar në ekonominë familjare të komunitetit.

Flamingot dhe shpendët e tjerë ujorë, që popullojnë lagunën e Karavastasë, kanë  tërhequr vëmendjen e mediave botërore me reportazhet e tyre të shumta për jetën e egër në këtë park.

Divjaka është një mbretëri natyrore, që mund të vizitohet në çdo ditë të vitit.

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat
Sondazh
    test