Speca me gjizë, zahiretë speciale të dimrit

Ushqime

Speca me gjizë, zahiretë speciale të dimrit

Më: 5 nëntor 2017 Në ora: 12:02
Speca me gjizë

Fantastike për shoqërimin e gatimeve të ngrohta të dimrit, duke shtuar edhe më shumë shijen dhe sjellë traditën në tryezë.

Specat janë një ndër perimet më të dashura për amvisat shqiptare.

Ato nuk mungojnë në asnjë gatim, e si të mos mjaftonte kjo përdoren për turshi, gogozhare dhe marinohen me vaj ulliri e hudhër.

Receta e mëposhtme e sugjeruar ka të bëjë me specat e mbushur me gjizë.

Kjo recetë është shumë e thjeshtë dhe përgatitet shumë lehtë.

Duke qenë se specat që përdoren për mbushje dhe fermentim janë pak djegës, receta e mëposhtme konsiderohet e përshtatshme për dimër dhe mot të ftohtë. 

Si ti Përgatisim në Shtëpi

Përbërësit:

1 kg speca të verdhë me lëkurë të trashë (të varietetit Somborka)
1 kg gjizë me kripë
Kripë

Përgatitja

I lajmë specat me ujë të bollshëm. Heqim bishtat dhe pjesën e sipërme.

Pastrojmë farat mirë dhe i heqim ato plotësisht, sepse farat i zbusin specat gjatë fermentimit. I mbushim me gjizë dhe i fusim në kavanozë të thellë një e nga një.

Mbushja e kavanozëve bëhet me rradhë, një herë specat dhe më pas gjizë e kështu me rradhë deri sa kavanozi të mbushet plot. Në fund hedhim pak qumësht, mbyllim kapakun dhe e fusim në frigorifer. Fermentimi i specave zgjat 10 ditë.

Kjo recetë kërkon përdorimin e specave të varietetit somborka. Ato janë të verdhë dhe kanë formën e kones. Specat janë pak djegës, gjë që e plotëson më së miri mbushjen me gjizë.

Pas hapjes, specat me gjizë mund të qëndrojnë deri në dy muaj në frigorifer.

Receta e specave me gjizë përshtatet natyrshëm sipas preferencave tuaja. Në vend të qumështit mund të përdoret kosi.

Në raste të tjera, specat mbushen me pak kripë për të parandaluar lëngjet e tepërta.

Specat me gjizë  janë një garniturë mjaft e këndshme që plotëson gatimet me mish, por edhe mund të konsumohen veçmas gjatë mbrëmjeve të dimrit duke u shoqëruar me bukë të thekur, misri ose gruri dhe domate.

Dashamirësit e specave me gjizë i konsumojnë ato edhe në mëngjes duke i shoqëruar me një gotë çaj mali të ngrohtë.

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat