Volejbollistja shqiptare vazhdon karrierën në Itali

Volejboll

Volejbollistja shqiptare vazhdon karrierën në Itali

Nga: Kemajl Goca Më: 17 korrik 2016 Në ora: 15:15
Erblira Bici gjatë një veprimi

Erblira Bici largohet nga ekipi Barley Voley i Tiranës për të vazhduar karrierën në Serie A2 në Itali. Për volejbollisten e re, që nuk ka më shumë se 21 vjet, është hera e parë që do të luajë në një ekip jashtë kufijve të Shqipërisë. Ajo është e lumtur që ka arritur marrëveshjen me klubin ‘LPM Pallavolo Mondov’ dhe shpreson se do të japë kontributin e saj në këtë mjedis të ri. Bici tha se ishte një arsye shumë e fortë që e shtyri që të vendos për ta vazhduar karrierën jashtë vendit. “Mendoj se në Itali mund të rritem si sportiste. Është hera parë që do të jem në një klub jashtë vendit, pasi nuk jam larguar më herët, sepse kam dashur të mbaroj studimet, edhe pse mundësi kam pasur edhe më përpara”, tha Bici për gazetën kombëtare “Bota sot”. Cilat janë synimet e ‘Pallavolo Mondovi’? “Kupa e Italisë dhe kalimi në Serie A1”, përgjigjet 21-vjeçarja, e cila luan në pozitën e diagonales. Për volejbollisten shqiptare ka shkruar edhe faqja e klubit italian, duke e cilësuar si një përforcim adekuat.  Bici konfirmoi se me 29 korrik do t’i bashkohet ekipit në përgatitje.

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat