Driton Kuka nderohet me çmimin “Doctor Honoris Causa”

Xhudo

Driton Kuka nderohet me çmimin “Doctor Honoris Causa”

Më: 22 shtator 2022 Në ora: 11:11
Driton Kuka

Universiteti i Prishtinës "Hasan Prishtina" e ka nderuar me çmimin "Doctor Honoris Causa" trajnerin e Kosovës në xhudo, Driton Kuka.

Ky çmim është dhënë për kontributin e Kukës në sport dhe promovimin e Kosovës në arenën ndërkombëtare

Rektori i UP-së, Naser Sahiti tha se puna e Driton Kukës ka bërë që Kosova të shihet në të gjithë botën si vend i mundësive dhe që të rinjtë e Kosovës janë të aftë për të korrur suksese të njëpasnjëshme.

Sipas tij, me punën e bërë me emra si Majlinda Kelmendi, Distria Krasniqi, Nora Gjakova e Akil Gjakova, Kuka ka thyer të gjitha limitet duke bërë që vendet si Japonia e Brazili të mësojnë saktësisht se ku gjendet Kosova.

Pas pranimit të çmimit, Kuka u shpreh mirënjohës ndaj Universitetit të Prishtinës derisa potencoi se gjatë karrierës së tij ka pasur shumë vështirësi dhe gabime, por që kthesa e madhe në punën e tij ndodhi kur Majlinda Kelmendi i besoi punës së tij që më pas solli edhe titullin kampione e botës në xhudo në vitin 2013.

"Kam pasur shumë vështirësi e gabime në punën time si trajner, por më në fund e gjeta formulën e duhur për të arritur sukses. Besimi i Majlindës në punën time ishte momenti i kthesës që solli shumë shpejt rezultatet e para dhe ato ishin hiç më pak se medalje të arta e kampion bote. Uroj që Majlinda të vazhdojë me suksese të mëdha edhe tani si trajnere e xhudos."

Tutje Kuka foli edhe për sukseset e Distria Krasniqit e Nora Gjakovës për të cilat ka thënë se me medaljet dhe çmimet e tyre e kanë plotësuar dhe përmbushur karrierën e tij.

Në fund, Kuka tha se të nderohet më këtë çmim nga tempulli i dijes e bënë jashtëzakonisht krenar dhe u zotua se do të vazhdojë të punojë fuqishëm edhe me xhudistë të rinj për t'i sjellë Kosovës edhe medalje të tjera.

commentFirst article
Më të lexuarat
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat