Shaban Tërstena apo rruga e kampionit olimpik - Bota Sot
Shaban Tërstena apo rruga e kampionit olimpik

Xhudo

E mërkurë, 13 dhjetor 2017

Shaban Tërstena apo rruga e kampionit olimpik

Më: 1 dhjetor 2017 Në ora: 12:43
Shaban Tërstena apo rruga e kampionit olimpik

Libri “Rruga e kampionit olimpik” është promovuar në Prishtinë, para studentëve, profesorëve të “Kolegji Universi”, gazetarëve dhe punëtorëve sportiv.

Pr.dr. Abedin Bahtiri në fjalimin e tij shprehu kënaqësinë që studentët e këtij fakulteti kanë nderin të takohen drejtpërdrejt me një kampion Olimpik, nga i cili do të kenë rastin të njoftohen me pikëpamjet e tij mbi sportin, cilat parametra duhet respektuar për punën e tij, për shembullin e tij i cili do të jetë motiv dhe stimul për gjeneratat e reja se vetëm me punë të palodhshme mund të arrihen suksese të mëdha.

Fjalë rasti patën edhe autorët e librit, prof.dr.Sefer Tahiri, Reshat Ibrahimi, recensenti prof.dr.Besnik Telai dhe gazetari i mirënjohur i sportit në Kosovës, Agim Kasapolli.

“Në këtë pëllëmbë toke, në këtë cep të botës ka lindur edhe një figurë e madhe, mundësi legjendar, emblema jonë, Shaban Tërstena, i shpallur sportisti i shekullit XX në Maqedoni dhe në mbarë hapësirën kombëtare shqiptare. Ky sportist, me arritjet e mëdha në arenën ndërkombëtare, më saktësisht në Lojërat Olimpike dhe kampionatet botërore, europiane, mesdhetare dhe ballkanike, e nderon kombin shqiptar, por edhe Republikën e Maqedonisë. Mbi të gjitha e nderon emrin e Shkupit. Kjo pjesë e nën qiellit, Shkupi i Nënë Terezës e shumë veprimtarëve të dalluar, nxori kolosin e sportit olimpik dhe botëror, Shaban Tërstena. Njëri prej sportistëve më të mëdhenjë në botë, boksieri Muhammed Ali ka thënë: “E urrej çdo sekondë të stërvitjeve, mirëpo gjithmonë i kam thënë vetes duro. Sot do të stërvitem dhe pjesën e mbetur të jetës do ta jetojë si kampion”. I tillë është Shaban Tërstena”, tha Sefer Tahiri, njëri prej autorëve të librit.

“Në sportet individuale, në hapësirat e ish-Jugosllavisë, por edhe të Maqedonisë e trevat shqiptare, sot e kësaj dite mbetet sportisti që ka korrur më shumë medalje të botës. Miliona sportistë synojnë vetëm pjesëmarrjen në Lojërat Olimpike, ndërsa Tërstena ëndrrën e fëmijërisë e bëri realitet duke u shpallur kampion olimpik. Lojërat moderne Olimpike, popullit të këtyre trojeve, i cili u desh të priste 88 vite të plota, afërsisht një shekull, i solli medaljen e artë olimpike. Në fakt, Tërstena theu edhe rekordin olimpik, si fituesi më i ri i medaljes së artë në historinë olimpike. Ky rekord në mundje, tanimë mbi 120 vjet, mbetet i pathyeshëm. Janë bërë përpjekje dhe strategji të pareshtura nga ekspertë dhe trajnerë me famë botërore, që të tejkalojnë këtë rekord të madh botëror, por nuk kanë arritur sukses, që nga viti 1984”, u shpreh Reshat Ibrahimi, autor tjetër i librit.

 “Kam pas nderin që të ndjek dhe të gëzohem për sukseset e Shaban Tërstenës në Los Angelos dhe në Seulit, ku Shabani si 19 vjeçar fitoi medaljen e art?, ndërsa katër vite më vone n? Seul u stolis me medaljen e argjendtë! Deri më sot është i vetmi shqiptar në të gjitha hapësirat me suksesin më të madh. Prandaj suksesi i tij është krenaria dhe nderi ynë!”, deklaroi gazetari Kasapolli.

“Për të arritur deri te ky titull i lavdishëm duhej të kaloja 20 vite sprova, sakrifica dhe përpjekje titanike, sepse duhej të pushtoja arenat sportive të pesë kontinenteve të botës, duke fituar mbi sportistë të mëdhenj dhe prestigjiozë të meridianëve të ndryshme. Mbi supet e mia duhet të mbaja peshën e fitoreve, që sot në duart e mia të mbaj këtë titull me plot krenari. Askush nuk më ka pyetur se si i kam fituar medaljet dhe në çfarë kushte kam jetuar, por më pyetnin si u bëra kampion. Rruga ka qenë e vështirë, e mundimshme, është derdhur shumë djersë për medaljet e arta. Unë nuk kam zhvilluar luftë vetëm me kundërshtarët e mi, që kanë qenë nga 7-8 herë kampionë bote, europianë dhe olimpikë, por luftën më të madhe e kam zhvilluar me vetveten. Rivalët e mi kishin masazherë që iu rrinin afër tyre, edhe në saunë, ndërsa unë isha i vetëm. Dhe, në fund, prapë i kam fituar të gjithë. Nuk ka pasur më vështirë se para vetes të kesh ushqim të llojllojshëm dhe nuk guxon me ngrënë, sepse duhet të heqësh 12 kg nga trupi”, iu kujtoi Tërstena studentëve.

Gjatë karrierës së tij 19-vjeçare, Shaban Tërstena ka fituar 30 medalje të arta në 42 turne që ka marrë pjesë. Prej medaljeve të shumta, 19 janë nga Lojërat Olimpike, botërore, europiane, mesdhetare dhe ballkanike. Më me vlerë janë të artat nga LOV në Los Angelos dhe e argjendta në LOV në Seul. Ai ka 750 luftëra në karrierë, prej tyre 720 fitore.

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat
Sondazh
    test