PD mbështetë PDK-në në Ferizaj

Zgjedhjet 2013

PD mbështetë PDK-në në Ferizaj

Më: 9 nëntor 2013 Në ora: 21:00

Dega e Partisë së Drejtësisë në Ferizaj, ka vendosur që në garën për kryetar, në balotazh ta mbështesë kandidatin e Partisë Demokratike të Kosovës, Agim Aliu. Kjo mbështetje është zyrtarizuar sot, me ç’rast drejtuesit e këtyre dy subjekteve kanë thënë se kjo shënon një moment të veçantë në të mirë të qytetit dhe qytetarëve të komunës së Ferizajt.

Kandidati i PDK-së për kryetar të Ferizajt, njëherësh edhe kryetar dege i këtij subjekti, Agim Aliu, ka thënë se gara për balotazh tani do të jetë më e lehtë ngase veç përkrahjes së qytetarëve kanë edhe përkrahjen e PD-së, për të dalë fitues me 1 dhjetor.

Aliu ka shtuar se kjo mbështetje i atribuohet vizionit qeverisës të PDK-së, i cili më së miri, sipas tij, po dëshmohet në Ferizaj.

“Po i hyjmë një gare me një mbështetje qytetare, që po dëshmohet çdo ditë. Kjo garë do të jetë më e lehtë nga fakti se PD-ja tashmë ka shprehë mbështetjen e saj të hapur për qeverisjen e suksesshme”, ka thënë Aliu.

Në anën tjetër, ish-kandidati i PD-së për kryetar të Ferizajt, Ardian Sejdiu, ka thënë se elektorati dhe strukturat e PD-së kanë vendosur që ta mbështesin kandidatin e PDK-së Agim Aliu, ngase tek ai kanë gjetur njeriun e përkushtimit për të ecur përpara.

“Personaliteti i Agim Aliut, performanca e tij politike, familja dhe puna e tij e deritanishme, kanë qenë vendimtare që ne të orientohemi për kandidatin Aliu. Mendojmë se këto janë vlera politike që më së shumti i duhen vendit”, ka thënë Sejdiu.

Për më tepër të dy subjektet e kanë vlerësuar procesin zgjedhor me nota të larta, duke thënë se kjo tregon një shembull të promovimit të vlerave demokratike.

Zyrtari i PD-së, Ardian Sejdiu, ka thënë se PD-ja ka pasur ofertë edhe nga LDK-ja, mirëpo strukturat drejtuese edhe elektorati janë përcaktuar që në këtë raund ta përkrahin kandidatin Aliu.

Në rundin e parë zgjedhor kandidati i PD-së për kryetar të Ferizajt, Ardian Sejdiu, ka arritur që të fitoj rreth 3% të votave të qytetarëve, ndërsa ky subjekt në Kuvendin komunal përfaqësohet vetëm me një këshilltar.

Më të lexuarat
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat