“Mos dalja në zgjedhje, rrënon konceptin e Asociacionit”

Zgjedhjet 2013

“Mos dalja në zgjedhje, rrënon konceptin e Asociacionit”

Më: 10 nëntor 2013 Në ora: 16:35

Kryeministri i Serbisë, Ivica Daçiq, sërish, u ka bërë thirrje serbëve që të dalin në zgjedhjet e përsëritura lokale më 17 nëntor në pjesën veriore të Mitrovicës, nëse nuk dëshirojnë që atë qytet ta udhëheq shqiptari. Ai njëjti ka pohuar se me mos daljen në zgjedhje rrënohej i tërë koncepti i Bashkësisë së Komunave Serbe.

Daçiq në një intervistë për televizionin “Prva” të Beogradit, ka pohuar se nga përfundimi i procesit zgjedhor në Kosovë dhe zbatimi i mëtejmë i marrëveshjes së Brukselit dhe të raporteve ndërmjet Beogradit e Prishtinës, varet edhe raporti pozitiv i përfaqësueses së lartë për Politikë të Jashtme e Siguri të BE-së, Catherine Ashton. Ai ka nënvizuar se gjatë një muaji të ardhshëm nevojitet të finalizohen aktivitetet për jetësimin e marrëveshjes së Brukselit, para se gjithash, kur është fjala për policinë dhe gjyqësinë.

Daçiq edhe njëherë ka theksuar se është me rëndësi që serbët të dalin në zgjedhjet e përsëritura në pjesën veriore të Mitrovicës.

“Po përballemi me situatën e qartë. Nuk janë anuluar zgjedhjet në vendvotimet shqiptare, veç vetëm në ato serbe. Dihet sa kanë fituar shqiptarët dhe serbët nëse dëshirojnë fitoren duhet të dalin në zgjedhje”, ka rekomanduar Daçiq.

Ai ka sqaruar se plani është që në Mitrovicën veriore të jetë selia administrative për Bashkësinë e Komunave Serbe e cila do t’i përfshijë dhjetë komuna e ndoshta edhe Gorën ku shumicën e popullatës e përbejnë goranët. “Nëse këtë nuk e bëjmë tash, nuk do ta kemi Mitrovicën veriore dhe do të rrënohet i tërë koncepti”, ka tërhequr vërejtjen Daçiq dhe ka shtruar pyetjen se çka u ofrojnë serbëve ata që po ftojnë të mos dalin në zgjedhje?

“Në qoftë se shqiptari bëhet kryetar, kjo do të thotë se nuk mund të formohet pushteti, nuk mund të formohet Bashkësia e Komunave Serbe, aty mund të ndodhin konfliktet e ndoshta edhe përleshje të armatosura”, ka thënë Daçiq dhe ka shtuar se një gjendje e tillë na rikujton kohët e kaluar në ‘Republika Serpska Krahina’ dhe në Sllavoninë lindore kur serbët i kanë braktisur vatrat e veta.

Daçiq ka rikujtuar se të gjithë që kanë bërë incidente në veri të Kosovës do të procedohen në përputhje me kompetencat territoriale.

Më të lexuarat
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat