Unë nuk e di si ka vdekur bija ime, thotë babai i Dafinës nga Berni; autoritetet e Kosovës nuk japin deklaratë për «20min»

Zvicra

Unë nuk e di si ka vdekur bija ime, thotë babai i Dafinës nga Berni; autoritetet e Kosovës nuk japin deklaratë për «20min»

Fitim Dika Nga Fitim Dika Më 8 mars 2017 Në ora: 21:50
Dafina Zhubi

Mëngjesin e 17 shkurtit 2016 është gjetur kufoma e 35 vjeçares Dafina Z në një shtëpi të kryeqytetit të Kosovës, Prishtinë. I dashuri i saj (A.D.*) që jetonte me të ndjerën në Kosovë është arrestuar nën dyshimin se ka pasur lidhje me tragjedinë.

Sipas një video të policisë, që e disponon “20min”, i dashuri i saj tregon që kishin pasur zënka verbale mes tij dhe Dafinës në dhomën e fjetjes. Në atë kohë Dafina kishte tentuar të vetëvritet me pistoletën tip Berreta V.T Model PX4-Storm, megjithatë ai ia kishte marrë pistoletën dhe e kishte vendosur mbi tavolinë.

Dafina më pas, gjatë kësaj periudhe kishte tentuar të kërcejë nga ballkoni, por edhe këtu ai e kishte ndalur të marrë një veprim të tillë.Pastaj, sipas atij ajo përsëri kishte marrë pistoletën dhe ishte larguar në dhomën e fjetjes ku e ka vrarë veten.

Lirohet nga paraburgimi

Ai arrestohet dhe dërgohet në paraburgim, ndërsa rreth gjashtë muaj më vonë -  në mes të gushtit 2016 -  lirohet pa u informuar familjarët e viktimës. “Ne jemi informuar nga të tjerët se ai është liruar nga paraburgimi,” tregon Naim Rudari, avokati i familjes. Babai i të ndjerës është i bindur që “ose ai e ka qëlluar ose ka dërguar tjetër kënd.” Prindi mendon se i liruari duhet të ketë pasur lidhje të forta me autoritetet e drejtësisë.

Vrasje ose vetëvrasje

Dyshimet se ajo mund të ketë kryer vetëvrasje nuk janë aspak bindëse pasi ishte mjaft e gëzuar dhe e kënaqur me jetën.  “Asnjë shqetësim ose problem nuk e ndalonte Dafinën që të buzëqeshte,” thotë motra e saj. Atë natë mund të ketë ndodhur gjithshka përveç vetëvrasjes.

“Sigurisht që është vështirë të ndash një vetëvrasje prej një vrasje. Deri tani nuk ka hetime të qarta nga Prokuroria, që të vërtetojë se bëhet fjalë për vetëvrasje,” thotë Rudari.

Megjithatë një ekspert që e ka bërë autopsinë ka thënë për Prokurorinë se bëhet fjalë për vetëvrasje. “Por ai nuk ka dërguar të dhëna për të vërtetuar shprehjen e tij,” vijon më tej plot dyshime avokati i familjes.

Hetimet vijojnë akoma dhe i dyshuari për vrasje duhet të paraqitet në polici.

Sipas portalit “Insajderi” prokurorja Fitore Sadikaj, ka mbyllur hetimet për vrasjen e Dafina Zhubit dhe e ka cilësuar vdekjen e saj si vetëvrasje, edhe pse  Zyra e Kryeprokurorit të Shtetit kishte vlerësuar se provat çojnë në përfundim se e ndjera është vrarë nga i dashuri i saj, Astrit Dibra. Prokurorja Sadikaj ka sqaruar se vendimin për mbyllje hetimesh e ka marrë bazuar në konsultimin me kryeprokurorin e Prishtinës, Imer Beka. Insajderi ka mësuar se i pandehuri ka lidhje të forta në Prokurori.

“Akoma edhe pas një viti ne nuk e dimë shkakun e vdekjes së bijës tonë. Kjo është e dhimbshme,” thotë babai i të ndjerës. Familja ka marrë vetë një ekspert për të studjuar tezat dhe për të ardhur në një përfundim të saktë. “Nëse ekspertët e pavarur do vërtetojnë se vajza ime është vetëvrarë ne do pranojmë rezultatet.”

Familjen e Dafinës e ka ndihmuar edhe një ekspert zviceran, që ka ardhur në përfundim se nuk bëhet fjalë për vetëvrasje.

“Urrejtja dhe pikëllimi janë prezente në familjen tonë. Nuk dëshirojmë asgjë tjetër vetëm që të dimë të vërtetën,” thotë motra e saj e lodhur nga dyshimet e stërzgjatura. Por autoritetet zviceran nuk mund ta ndihmojnë më tepër për shkak se e ndjera nuk ishte e natyralizuar./Bota sot

*Emri i njohur për redaksinë e "Bota sot"

Image
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat