Agron, tani fluturove shumë lart si Shqipe, për të vallëzuar veç me engjujt atje lart…

Zvicra

Agron, tani fluturove shumë lart si Shqipe, për të vallëzuar veç me engjujt atje lart…

Nga: Haki Latifi Më: 13 mars 2018 Në ora: 20:08
Agron Bajrami

Paska ikur mbrëm në përjetësi Themeluesi i Ansamblit „SHOTA“ në Zvicër Agron Bajrami, Shqiponja e valleve shqiptare, Ambasadori i kulturës shqiptare në Zvicër, figura emblematike dhe e veçantë e tij në skenë, kaq emocionuese sa edhe mbresëlënëse në portretin e tij të hekurt…

Ikja e tij është një ngjarje e trishtë për kulturën shqiptare e cila humbi një nga talentet e saj të rrallë.

Agroni dha një kontributit të jashtëzakonshëm si koreograf dhe valltar me nivel të lartë dhe mjeshtëri të veçantë artistike në interpretimin e valleve shqiptare në promovimin denjësisht të vlerave të mirëfillta të trashëgimisë sonë kulturore kombëtare brenda dhe jashtë vendit, si dhe për pasurimin e fondit të krijimtarisë koreografike dhe përçimin e tij tek brezat e artistëve të rinj.

Me të mësuar këtë lajm tronditës, jam i bindur se të gjithë shqiptarët jo vetëm janë tronditur, por edhe janë përlotur, pasi nuk ka akt dhe nuk ka fjalë të mjaftueshme për të vlerësuar atë që ka bërë Agron Bajrami për kulturën shqiptare këtu në Zvicër dhe më gjerë. Ai, me koreografinë dhe vallet profesionale, i ka bërë shqiptarët krenar kudo ku kanë jetuar, të cilët i ka ngritur peshë, i ka frymëzuar dhe i ka bërë krenar që janë shqiptarë. Vallja e tij ishte një ushqim epik që të çonte shpirtin peshë.

Agron Bajramin, e njoha dhe pata rastin ta ftoj disa herë në Manifestimet që organizonte Dega e LDK-së në Zvicër. E njoha tek ngjitej lart në skenat e sallave të mbushura plotë me mërgimtar, ku me vallët e tij si shqiponjë të shoqëruar me vallëtarët e Ansamblit „Shota“, na mbushte me gëzim e krenari.

Nuk ka gjë më të madhe, emocion më të madh për një mërgimtar kur sheh se si fluturon në ngjyra e në lëvizje vendi jot…

Sa herë u takuam, në disa kremtime,-manifestime dhe takime t‘jera…i dhamë dorën njëri-tjetrit…edhe herën e fundit, kur u ndamë u përqafuam… 

Agroni, tash i mbylli sytë, i uli flatrat pergjithmone…por, tani fluturoi shumë lart si Shqipe, për të vallëzuar veç me engjujt atje lart… Ai, do të jeton gjithnjë tek ne, me krahët lart e shikimin nga qielli, si shqiponjë krenare.

Ngushëllime familjes Bajrami, farefisit e miqësisë.

Shpirti i tij, u prehtë i qetë në amshim!

Pusho në paqe artist i madh!

Image
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat