Prokurori i Specializuar: Akuzat kanë të bëjnë me atmosferën “e ndërhyrjes dhe frikësimit”

Aktuale

Prokurori i Specializuar: Akuzat kanë të bëjnë me atmosferën “e ndërhyrjes dhe frikësimit”

Më: 7 tetor 2021 Në ora: 13:30
Seanca

Prokurori i Specializuar, Jack Smith në deklaratën hyrëse në gjykimin ndaj ish-krerëve të Organizatës së Veteranëve të Luftës së UÇK-së, ka thënë se ekziston një “grup i vogël, por i fuqishëm, i njerëzve në Kosovë të cilët do të bëjnë çdo gjë për të dëmtuar Gjykatën Speciale”, që sipas tij “të njëjtit mbrojnë idenë e rreme se asnjë ushtar i UÇK-së nuk ka kryer krime gjatë luftës”. Por, sipas shefit të ZPS-së, provat do të dëshmojnë se Hysni Gucati dhe Nasim Haradinaj vepruan me synim kriminal duke publikuar dokumentet konfidenciale me qëllim të dëmtimit të Dhomave të Specializuara.

Në fillimin e procesit të rregullt gjyqësor ndaj Hysni Gucatit dhe Nasim Haradinajt, prokurori i specializuar ka thënë se të akuzuarit kanë synuar frikësimin e dëshmitarëve.

Smith: Në Kosovë ekziston një grup i njerëzve që do të bëjnë gjithçka për të dëmtuar Gjykatën Speciale

“Ka disa të vërteta që shpjegojnë pse ndodhemi këtu sot, këto të vërteta e shpjegojnë çështjen gjyqësore që paraqitet para gjykatës dhe kontekstin në të cilin të akuzuarit i kanë kryer krimet për të cilat ngritën akuzat. E vërteta e parë është se ekziston një grup i vogël por i fuqishëm njerëzish në Kosovë të cilët nuk e duan ekzistencën e kësaj gjykate dhe të cilët do të bëjnë gjithçka për ta dëmtuar por pa pasur sukses në orvatjen e tyre për ta shpëtuar idenë e rreme se asnjë ushtar i UÇK-së nuk ka kryer krime gjatë luftës. Siç e dinë mirë, ata që janë kundër kësaj gjykate, çështjet e paraqitura nga zyra që unë drejtoj, dhe faktet që do të dalin në dritë në gjyqet e zhvilluara në këtë sallë, nuk do të lënë asnjë dyshim se kjo ide nuk është e vërtetë, por kjo ide e rreme është aq e rëndësishme saqë disa udhëheqës të caktuar të UÇK-së do të bëjnë çmos, gjithçka, që të pengojnë daljen në dritë të informacioneve që tregojnë se kjo është e vërtetë. Këta të akuzuar janë pjesë e këtij grupi dhe duan që kjo gjykatë të çmontohet në çdo mënyrë”, tha prokurori Smith.

Smith ka thënë se akuzat e ngritura kanë të bëjnë me atmosferën “e ndërhyrjes dhe frikësimit” që sipas tij ekziston në çështje që lidhen me hetimet e ish-anëtarëve të UÇK-së.

Smith: Ekziston atmosferë e frikësimit në çështjet që lidhen me ish-anëtarët e UÇK-së

“Akuzat e ngritura nuk kanë të bëjnë drejtpërdrejt me ngjarjet e luftës në Kosovë të para 20 vjetëve, por me ngjarje që kanë ndodhur jo më larg se vjet. Ato kanë të bëjnë me orvatje për t’i frikësuar njerëzit që mos t’i tregojnë kësaj gjykate se çfarë iu ka ndodhur para 20 vjetësh dhe me orvatje për ta penguar në çdo kohë punën e këtij institucioni. Ato kanë të bëjnë me atmosferën e ndërhyrjes dhe frikësimit që ekziston në çështje dhe hetimet e lidhura me ish-anëtarët e UÇK-së, të cilat të akuzuarit kanë kërkuar t’i nxitin në favor të tyre. Të nderuar gjykatës, kjo çështje gjyqësore ka të bëjë me kushtet e nevojshme për administrimin e drejtë të drejtësisë dhe orvatjet e të akuzuarve për t’i bllokuar rrugën drejtësisë. Kjo çështje gjyqësore ka të bëjë me atë që nevojitet për ta vënë në jetë shtetin ligjor”, ka thënë shefi i Zyrës së Prokurorit të Specializuar.

Shefi i Zyrës së Prokurorit të Specializuar ka thënë se Gucati dhe Haradinaj janë kundërshtarë të Gjykatës Speciale dhe synimi i tyre ishte të nxjerrin informacione konfidenciale për t’iu hakmarrë dëshmitarëve.

Smith: Provat e çështjes do të tregojnë se të akuzuarit vepruan me synim kriminal

“Frikësim gjatë procedimit penal, hakmarrje, pengim të personave zyrtar dhe shkelje të fshehtësisë së procedurës me anë të nxjerrjes së identitetit të personave të mbrojtur. Dispozitat që të akuzuarit akuzohen që i kanë shkelur janë në vetvete një dëshmi e nevojës për ta fuqizuar këtë institucion, që t’i mbrojë dëshmitarët dhe viktimat. Provat që do t’i japim, se të akuzuarit në fakt i kanë shkelur secilën prej këtyre dispozitave, do ta bëjnë të qartë përtej çdo dyshimi të arsyeshëm se ka qenë synimi i tyre që ta pengojnë këtë institucion dhe t’i detyrojnë dëshmitarët të frikësohen. Provat e kësaj çështje do të tregojnë se të akuzuarit vepruan me synim kriminal dhe se veprimet dhe fjalët e tyre nuk kishin qëllim legjitim apo ligjor”, tha ai.

Sipas tij, përpjekjet për të ndalur punën e këtij institucioni kanë dështuar.

Prokurori i Specializuar ka thënë se Gucati e Haradinaj nuk akuzohen për vjedhjen e dokumenteve, por për shpërndarjen e paligjshme të tyre. Sipas tij, ZPS është në hetim për vjedhjen e dokumenteve dhe kur të ketë grumbulluar prova të mjaftueshme do të ketë arrestime dhe gjykime të tyre.

Smith: Jemi duke e hetuar vjedhje ne dokumenteve konfidenciale

“Të akuzuarit akuzohen për shpërndarje të paligjshme të këtyre dokumenteve, pro jo për vjedhjen e tyre. Që të jemi shumë të qartë, jemi duke i hetuar aktivisht vjedhja e dokumenteve në fjalë dhe kur të kemi grumbulluar prova të mjaftueshme kundër personave që e kanë bërë këta individë do të arrestohen dhe të dalin ën këtë sallë gjyqi për tu përballur me akuzat për krimet e tyre. Duke qenë se bëhet fjalë për një hetim të veçantë e konfidenciale që është duke u zhvilluar nuk do të përmend ost asnjë prej hollësive lidhur me ecurinë e tij”, ka thënë Smtih.

Sot është dita e parë e gjykimit ndaj ish-krerëve të OVL-UÇK-së, seancë në të cilën nga prokuroria po paraqiten si prova video-konferencat e Gucatit dhe Haradinajt në të cilat janë publikuar dokumentet.

Ish-krerët e OVL-UÇK-së akuzohen për vepra penale kundër administrimit të drejtësisë, konkretisht për pengim të personave zyrtarë në kryerjen e detyrave zyrtare, për frikësim të dëshmitarëve, për hakmarrje dhe për shkelje të fshehtësisë së procedurës.

Ata janë arrestuar më 25 shtator 2020 në Prishtinë prej kur edhe mbahen në qendrën e paraburgimit në Hagë.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat