​Aliu: Nuk do të ketë anulime të fluturimeve në Aeroportin e Prishtinës

Aktuale

​Aliu: Nuk do të ketë anulime të fluturimeve në Aeroportin e Prishtinës

Më: 21 dhjetor 2021 Në ora: 13:46
Liburn Aliu

Në Aeroportin Ndërkombëtar të Prishtinës “Adem Jashari” sot është finalizuar projekti i zgjatjes së pistës dhe ngritjes së kapacitetit të ndriçimit. Zgjatja e pistës nga 2500 metra në 3040 metra dhe instalimi i pajisjeve të sofistikuara për asistencë në aterimin e aeroplanëve do të mundësojë që të eliminohen telashet për anulimin e fluturimeve për shkak të mjegullës.

Ministri i Mjedisit, Planifikimit Hapësinor dhe Infrastrukturës, Liburn Aliu e ka konsideruar si moment të rëndësishëm zgjerimin e pistës dhe investimet që janë bërë pasi sipas tij, në të ardhmen kjo do të mundësojë edhe lidhjen e Kosovës me transporte të tjera.

Aliu tha se përmes të gjitha pajisjeve të instaluara po eliminohet mundësia e anulimit të fluturimeve për shkak të mjegullave.

Aliu: Investimet e bëra mundësojnë të zhduket totalisht anulimi i fluturimeve

“Është një moment i rëndësishëm meqenëse përfundimi i këtij projekti ka një impakt të rëndësishëm në transportin e përgjithshëm ajror në vendin tonë dhe krijon kushte shumë të rëndësishme për të ardhmen edhe për transportin e mallrave dhe për lidhjen e transporteve të tjera në vendin tonë e që na shpie drejt sistemeve multimodale të transporteve. Pista që është 3040m e gjatë tashmë është në shfrytëzim e sipër dhe janë instaluar pajisjet e sofistikuara për asistencë në aterimin e aeroplanëve gjatë kohës me mjegull. Pra, çka kemi të instaluar konkretisht është sistemi i ri i radiokomunikimit, janë pajisjet moderne të navigimit për aterim, janë dizajnuar dhe po aplikohen procedurat e reja aeronautike së bashku me hartat aeronautike është bërë trajnimi i personelit për mirëmbajtje janë instaluar pajisjet më të meteorologjike që kanë ndikim të drejtpërdrejt në mundësinë të shfrytëzimit të sistemit ILS, të kategorisë 3B e që mundëson aterimin autonom të aeroplanëve gjë që do rezultojë në minimum dhe mos të themi se do të zhduk totalisht anulimet që kanë pasur për shkak të mjegullës të dendur në aeroport”, theksoi ai.

Përmes këtyre investimeve, ministri i Mjedisit, Planifikimit Hapësinor dhe Infrastrukturës, Liburn Aliu tha se po shkurtohen rrugët ajrore dhe po reduktohen humbjet financiare.

Aliu: Me këtë pistë do të kemi mundësi të zhvillojmë edhe transportin e mallrave kargo

“Aeroporti Ndërkombëtar i Prishtinës ‘Adem Jashari’ është në nivel të konkurrueshmërisë në nivelin e rajonit... Kemi bwrw shkurtimin e rrugëve ajrore dhe reduktimin e humbjeve financiare dhe koston financiare të fluturimeve që bëhen në vendin tonë. Aktualisht është duke u shfrytëzuar hyrja në territorin e Kosovës përmes territorit të Shqipërisë kur bëhet fjalë për fluturimet që bëhet fjalë që vijnë nga perëndimi... Gjë që bënë që fluturimet të shkurtohen për 15-20 minuta. Kjo ka rëndësi të veçantë po ashtu përpos që nuk do të kemi anulim të fluturimeve për shkak të mjegullës përpara ka një rendësi edhe për çështje të sigurisë pasi që pista me të gjitha pajisjet moderne të instaluara siguron kushte të mira në mënyrë që edhe të evitoj çdo lloj rreziku që mund të ketë në teren... Ky Aeroport me këtë pistë me këto pajisje dhe operacionalizim të këtyre pajisjeve do të mund të përdoret edhe për transportin e mallrave kargo pasi që do të mund të aterojnë të gjitha llojet e aeroplanëve”, u shpreh Aliu.

Gjeneral majori komandanti i KFOR-it, Ferenc Kajari u shpreh se përmirësimet e infrastrukturës në Aeroportin Ndërkombëtar të Prishtinës janë hap pozitiv për avancimin e industrisë së aviacionit në Kosovë.

Kajari po ashtu theksoi përkushtimin e KFOR-it për normalizimin e hapësirës ajrore në Kosovë.

Kajari: Përmirësimet e infrastrukturës në Aeroportin e Prishtinës janë hap pozitiv për industrinë e aviacionit

“Përmirësimet e infrastrukturës në Aeroportin e Prishtinës janë hap pozitiv për industrinë e aviacionit në Kosovë dhe në përgjithësi për regjionin e Ballkanit. KFOR-i si mision i NATO-s do të mbetet i përfshirë nëpërmjet normalizimit të aviacionit të tërë Ballkanit që të normalizohet hapësira ajrore e cila përdoret në Kosovë dhe qëllimi i kësaj është që të përmirësohet trafiku ajror në regjion duke përfshirë hapjen e rrugëve të reja ajrore në hapësirën ajrore mbi Kosovën dhe jemi në proces të përfundimit të hapjes të dy rrugëve ajrore mbi territorin e Kosovës. Normalizimi ka të bëjë me rrugë më të shkurta dhe po ashtu do të sjellë dobi për mjedisin po ashtu edhe dobi për aviacionin civil dhe ushtarak”, theksoi Kajari.

Kurse, drejtori i Operimeve në Aeroportin Ndërkombëtar të Prishtinës, Gokmen Aritay u shpreh se përmes këtyre investimeve do të krijohen mundësi për lidhje mes transportit ajror me atë tokësor.

Aritay: Me këto investime do të mund të ekzekutohen projekte të tjera si kargo

“Ne po ashtu jemi krenarë që të kontribuojmë në këtë drejtim duke mbajtur edhe premtimin tonë që të ekzekutohet projekti me kohë për mundësitë e reja si kargo për transport të mallrave. Lokacionit gjeografik i Kosovës ka përparësi megjithatë vizioni i ri për menaxhim të transportit do të na jep neve mundësi që të përmirësojmë biznesin e transportit të mallrave në tërë Kosovën sepse dëshirojmë t’i shfrytëzojmë këto mundësi që të lidhim transportin ajror dhe tokësor dhe në anën tjetër ne gjithmonë punojmë së bashku me naviguesit me Agjencinë për navigim të transportit ajror të Kosovës”, u shpreh ai.

Tutje i pyetur për Autostradën Prishtinë – Merdare, e njohur ndryshe edhe si "Autostrada e Paqes", ministri i Infrastrukturës, Liburn Aliu tha se vitet në vijim janë vite të realizimit të punimeve për këtë autostradë.

Ministri, Aliu ka folur edhe për planet për investim në transportin hekurudhor.

Aliu: Për kohën se kur do të realizohet nuk do të mund ta them, por vitet në vijim janë vite të realizimit të fillimit të punimeve

“Kemi realizuar autostradën në drejtim të Republikës së Shqipërisë, në drejtim të Maqedonisë dhe është pjesërisht e realizuar autostrada në drejtim të Nish Të Serbisë dhe kufirit pra në Merdare. Mbesin edhe 27 kilometra të kësaj autostrade të realizohen, ndërsa në anën tjetër mbi 75 kilometra që të realizohen. Pra, të themi se është në të dyja pjesët e punëve që duhet të bëhet ndonëse për neve është afruar mjaftë sidoqoftë ky projekt është në ecje e sipër dhe për kohën se kur do të realizohet mbase nuk do të mund të them por vitet në vijim janë vite të realizimit të fillimit punimeve në këtë autostradë“, theksoi ai. 

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat