Kush i mori 230 mijë marka për UÇK-në, njësinë e Prekazit?!/ Sa miliona mbetën pa adresë!?

Aktuale

Kush i mori 230 mijë marka për UÇK-në, njësinë e Prekazit?!/ Sa miliona mbetën pa adresë!?

Nga: Idriz Morina Më: 31 dhjetor 2021 Në ora: 17:37
Foto ilustrim, Hashim Thaçi dhe Sami Lushtaku, në prapavijë shqiptarët e përndjekur nga forcat serbe

Shqiptarët ishin të gatshëm të jepnin gjithçka, kur filloi lufta, dhe filluan masakra të tmerrshme të ndodhnin në Kosovë, të kryera nga forcat serbe ushtarake, policore, paramilitare e mercenare.

Ishte diaspora, që thuaja kushdo u shkonte në derë për mbledhje fondesh për luftën, jepte para. Në shumë raste paratë ishin shuma jo të vogla, brenda një muaji u ndodhte që të jepnin nga një mijë marka apo franga edhe për të dyja fondet e mëdha, fondin qeveritar të Republikës së Kosovës, i njohur si 3 % dhe për Fondin “Vendlindja thërret”.

Dëshmia

Fadil Nezaj, një shqiptar që jeton në diasporë, duke reaguar në shkrimin tonë: Dokumenti tepër sekret i 3 milionë markave! / Kush është figura enigmatike “Dervishi”, Marmullaku apo Kadri Veseli?!, ka sjellur në kujtesë përvojën e tij personale se si kanë dhënë shqiptarët para për të ndihmuar luftën dhe jetën e shqiptarëve në Kosovë.

Image
Dëshmia e pagesës nga z.Nezaj 1.000 Dm për Fondin e Republikës

Në një aksion të vitit 1998, gjatë verës ishte kërkuar që familjet që kishin të punësuar të ndanin nga dy mojë marka për të ndihmuar fondin e Qeverisë së Republikës së Kosovës. Por, kur ky kishte kuptuar se ekzistonin dy fonde të ndara, kishte vendosur, që shumën ta ndante përgjysmë dhe njërën t’ia jepte fondit të Qeverisë, 1.000 Dm, dhe gjysmën tjetër t’ia jepte Fondit “Vendlindja thërret”.

“Këto mund të vërtetohen nga Boni, se kur kemi dhënë para në një aksion të vitit 1998, nuk më kujtohet tani nëse ishte Korrik apo Qershor, se kush punon duhet të jepte nga 2.000 DM. Ata djemtë e ri kur erdhën treguan se një ishte nga rrethi i jonë, dhe më tha se janë fondet e ndara. Dhe unë i ndajta nga 1000 DM për UÇK edhe 1000 DM për Fondin për Republikën e Kosovës. Për këtë fond jepnim edhe 3% diku 100 apo 150 DM në muaj”, thotë Nezaj.

Këto fonde që mblidheshin kështu, pastaj duhej t’ju ndaheshin atyre që administronin me luftën, me të dy krahët, mbështetësit e institucioneve dhe ata që silleshin të pavarur, kryesisht një grupim i majtë.

Adresat ku derdheshin paratë

Sipas një dokumenti dëshmie, kopje që i është dhënë gazetës “Bota sot”, Qeveria e Republikës së Kosovës kishte ndarë rreth 4.5 milionë DM për një periudhë të caktuar kohore, dhe jo për gjithë Kosovën. Raporti ishte bërë për Ministrinë e Mbrojtjes të Republikës së Kosovës, dhe financimet përfshinin kohën prej korrikut 1998 deri në shkurt 1999.

Image
Kopja e dokumentit, raport për Ministrinë e Mbrojtjes

Kështu sipas këtij dokumenti, siç quhet aty, një organizim në Drenicë, “Njësia e Prekazit” nën komandën e Sami Lushtakut, i ishin dërguar 230 mijë marka me 23 korrik 1998. “Njësia e Prekazit (Sami Lushtakut) i kishte pranuar 230 mijë DM me 23 korrik 1998”.

Po aq i ishin ndarë komunës së Podujevës, pa theksuar ndonjë adresë institucionale apo të luftës. “Për komunën e Podujevës ishin ndarë 233 mijë euro, me 8 shtator 1998”.

Ndërsa, për “Njësinë mbrojtëse të komunës së Ferizajit 100 mijë DM me datë 2 nëntor 1998”. Edhe këtu mungon referenca e qartë nëse bëhej fjalë për ndonjë njësi që mund të udhëhiqej nga Ministria e Mbrojtjes apo ishte nën komandën e Shtabit të UÇK-së.

Dokumenti më tej vijon me njoftimin për Kaçanikun. “Njësisë mbrojtëse të Komunës ë Kaçanikut, po ashtu i janë ndarë 100 mijë DM të njëjtin ditë me Ferizajin”.

Një shumë më e vogël i ishte dërguar Zonës së IV. “Urdhër për destinim Zonës Operative të IV 50 mijë DM me 12 nëntor, dhe po ashtu po me këtë datë edhe 20 mijë DM të tjera, po për këtë zonë”. Dhe vetëm pak ditë më vonë, me 4 dhjetor, i ndahen edhe 20 mijë DM të tjera: “Një urdhër tjetër me destinim zonën operative IV 20 mijë DM me datën 4 dhjetor 1998”.

Ndërsa, një informim tjetër e jep për dhënien e 3 mijë DM, por duke e veçuar si Zona e Llapit, dhe jo Komuna e Podujevës. “Zonës Operative të Llapit, pranoi Avni Berisha 3 mijë DM, me 23 shkurt 1999”.

Gjithashtu Qeveria ia kishte dërguar 3 mijë DM për nevoja mjekimi, spitalit të Pagarushës. “Për medikamente shëndetësore të spitalit ushtarak të Pagarushës, pranoi dr.Hajrullah Fejza 3 mijë Dm, me datën 8 shkurt 1999”.

Ndërsa, për blerje të armatimit, ishin ndarë 246 mijë DM, në kulmin e luftës në muajin prill. “Për armatim dhe municion e tërhoqi Xhafer Rracaj 246.528 DM, datë 16 prill 1999, të cilat nuk dihen për cilën zonë”.

Ndërsa për Shtabin e Përgjithshëm në Kosovë, për të cilin rast kemi shkruar sipas një dokumenti tjetër ishin dhënë 3 milionë DM, të pranuar në dorë nga një person me emër të trilluar, Dervish Sadiku. “Për Shtabin e Përgjithshëm në Kosovë, të tërhequra nga Dervish Sadiku 3 milionë DM, datë 12.02.1999”.

Zona Karadakut mori së paku 440 mijë marka

Ajo që bie në sy është se mjaft para i ishin dhënë edhe Zonës së IV operative (Karadakut), ku në vetëm një rast ishte dërguar shuma prej 350 mijë DM. “Për nevoja të Zonës Operative të IV i tërhoqën Emin Krasniqi dhe Nijazi Idrizi 350 mijë DM”. Nga kjo rezulton se Zona e IV ka marrë, rreth 440 mijë DM.

Dhe 200 mijë DM i ishin dhënë vetëm njësisë apo nënzonës së Kaçanikut. “Për nevojat e nënzonës së Kaçanikut i tërhoqi Xhafer Shaqir Zharku, 200 mijë DM”. Edhe nënzona e Kaçanikut rezulton të ketë marrë së paku 300 mijë DM gjatë luftës, në vetëm dy raste.

A i kishte dikur Fondi i Republikës 700 milionë DM?

Por, sa kanë marrë nga fondi “Vendlindja thërret” apo i merrnin vetëm shefat?! Kjo mbetet ende një mister.

Por, edhe Fondi i Republikës së Kosovës, nuk dihet se sa para kishte saktësisht në fund të luftës, pavarësisht një raporti, që iu dha Kuvendit të Republikës së Kosovës, pak momente para shpërndarjes së tij dhe të të gjitha institucioneve, që u shuajtën në janar të vitit 2000.

Të paktën një mërgimtari i ka mbetur në kujtesë ky informacion: “Kur përfundoi lufta, buxheti i Republikës së Kosovës i kishte mbi 700 milionë DM apo afër1 miliard. E dëgjova direkt Joshka Fisherin duke folur, dhe tha se ata janë të gatshëm për Shtetin e Kosovës që vet ta Qeverisin" si shtyllë buxheti, për të filluar shtet qeverisjen, që për fillim shumë i nevojshëm, ta fillojë punën edhe duhet t’i ndihmohet”, kështu e kujton Nezaj, pas më shumë se 22 vitesh një deklaratë televizive.

Edhe pse ka pohime të të tjerëve se buxheti i fondit nuk ka qenë më i madh se 300 milionë DM.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat