​Kritikohet Ligji për mbrojtje nga diskriminimi, nga Qeveria nuk konsiderojnë që duhet të ndryshohet

Aktuale

​Kritikohet Ligji për mbrojtje nga diskriminimi, nga Qeveria nuk konsiderojnë që duhet të ndryshohet

Më: 31 janar 2022 Në ora: 14:05
​Kritikohet Ligji për mbrojtje nga diskriminimi

Në Komisionin parlamentar për të Drejtat e Njeriut sot është diskutuar për mos zbatueshmërinë e Ligjit për Mbrojtjen nga Diskriminimi. Institucioni i Avokatit të Popullit ka konsideruar se autoritetet që obligohen ta zbatojnë këtë ligj nuk e kanë zbatuar fare atë, madje nuk janë krijuar as aktet nënligjore. E nga Zyra për Qeverisje të Mirë thonë se rregullorja e paraparë me ligj është hartuar dhe është duke u implementuar.

Nga ekzekutivi nuk konsiderojnë se ky ligj duhet të ndryshohet apo të krijohet një i ri, sipas tyre nevojitet llogaridhënie dhe përgjegjësi nga institucionet që duhet ta zbatojnë ligjin në fjalë.

Kryetarja e Komisionit për të Drejtat e Njeriut, Duda Balje u shpreh se ky ligj hynë e listën e top tri ligjeve që nuk kanë gjetur zbatim.

Ajo tha se nga ky takim presin të shohin se si do të veprojnë karshi Ligjit për mbrojtje nga diskriminimi.

Balje: Ligji për Mbrojtjen nga Diskriminimi ndër top tri ligjet që nuk zbatohet

“Ne shumë herë kemi biseduar për këtë ligj që prej 2015-ës, sa na kemi informata, vetëm një udhëzim administrativ është planifikuar por nuk nxjerrë deri në fund, edhe ne mendojmë dhe sa kemi feedback (reagim) nga terreni se implementimi i ligjit është shumë keq, është në tri top ligjet, i cili nuk po respektohet në sistemin e Kosovës aspak. Edhe nga sistemi gjyqësor i Kosovës kemi feedback (reagimin) e njëjtë edhe mendojmë se duhet të bëhet diçka ose ndryshimi i ligjit, ose ne ta ndryshojmë aktivitetin që kemi në terren”, theksoi ajo.

Avokati i Popullit, Naim Qelaj u shpreh se të gjitha autoritetet kanë dështuar në zbatim të Ligjit për Mbrojtje nga Diskriminimi.

Sipas tij, ky ligj përveç një rregullore nuk është i pasuruar edhe me aktet tjera nënligjore.

Qelaj: Autoritetet kanë dështuar në zbatim të këtij ligji

“Ne kemi paraqitur si problem zbatimin e këtij ligji, mungesa e akteve nënligjore, ligji është aprovuar në vitin 2015 tani jemi në vitin 2022 dhe deri më tani në bazë të informacioneve që ne kemi mund të shihni se aty është në kuadër të Ligjit për Mbrojtje nga Diskriminimi, është hartuar vetëm një rregullore, rregullorja lidhur me mekanizmat institucional në zbatim të këtij ligji, dhe nuk është aprovuar asnjë akt tjetër nënligjor i parashikuar në këtë ligj. Gjithashtu kemi vërejtur shumë paqartësi rreth autoritetit i cili ka nxjerrë, shqipton dhe ekzekuton sanksionet sipas dispozitave të kundërvajtjes që i parashikon ky ligj, pastaj mosharmonizimi i këtij ligji me Ligjin për procedurën kontestimore, mungesa e njohjes së faktit së Ligjit për mbrojtje nga diskriminimi është ligj special për çështjet që kanë të bëjnë me diskriminim... Ne konsiderojmë që autoritetet në përgjithësi kanë dështuar së zbatuari këtë ligj në kuadër të qëllimit për të cilin është miratuar, dhe qytetarët e Kosovës sot kanë vështirësi që t’i realizojnë të drejtat e tyre, të cilat rrjedhin nga ky ligj dhe që duhet të mbrohen”, tha ai.

Kurse, drejtori i Zyrës për Qeverisje të Mirë në kuadër të Zyrës së Kryeministrit, Habit Hajredini u pajtua që qytetarët e Kosovës në çdo nivel ballafaqohen me diskriminim.

Derisa ka treguar që me nenet që i përcaktohen si ekzekutiv kanë nxjerr rregullohen për mekanizmat institucional në nivel lokal dhe qendror, dhe e cila siç tha ai, është duke u zbatuar.

Hajredini tha se nuk e sheh të nevojshme të bëhen ndryshime në këtë ligj. Sipas tij, nevojitet veprim në zbatim nga institucionet që kanë përgjegjësi karshi Ligjit për Mbrojtje nga Diskriminimi.

Hajredini: Ne si Qeveri nuk shohim se kemi nevojë me ndryshuar Ligjin për Mbrojtje nga Diskriminimi

“Neni 10 dhe 11 kërkon vetëm nxjerrjen e një rregulloreje për mekanizmat institucional në nivel qendror dhe lokal dhe ajo është realizuar, ka hyrë në fuqi dhe është duke u implementuar, në momentin kur ka hyrë në fuqi ligji në mënyrë automatike është punuar për këtë rregulloreje... Nuk parasheh akte të tjera nënligjore ajo çka i përket ekzekutivit neni 10 dhe 11 është realizuar dhe është duke punuar dhe për këtë ne po punojmë në implementim dhe rritjen e kapaciteteve. Ajo çka jemi duke punuar tani në bashkëpunim me Këshillin e Evropës kemi vendosur një kornizë që quhet ‘Korniza Gjithëpërfshirëse Monioturese’, për zbatim të këtij ligji është bërë një punë e madhe në nxjerrjën e 42 indikatorëve të këtij ligji që presin dhe kjo kornizë është bërë finale dhe tani po presim me u punuar me të gjitha strukturat në nivel qendror dhe lokal për të futur në funksion këto 42 indikatorë... Institucionet duhet të marrin përgjegjësi, secila nga ato kanë përgjegjësi por nuk është ideja të ndryshojnë ligje çdo katër-pesë vite, ne kemi pasur ligjin e parë që nga 2004 që ka hyrë në fuqi, e kemi plotësuar, e kemi ndryshuar tani duhet të punojmë në zbatim, sipas punës që bëjmë ne si Qeveri nuk shohim se kemi nevojë me ndryshu sidomos për nenet që janë në kuadër të ekzekutivit por ka të bëjë me marrjen e veprimeve në zbatim”, tha ai.

Kryeshefja e Agjencisë për Barazi Gjinore, Edi Gusia u shpreh se për zbatim të këtij ligji duhet të vihen para përgjegjësisë dhe llogaridhënies institucionale, institucionet që duhet ta zbatojnë atë.

Ajo kundërshton krijimin apo ndryshimin e Ligjit për Mbrojtje nga Diskriminimi pasi konsideron se nëse shkohet me këtë logjik atëherë gjithmonë do të duhet të hartohen ligjet dhe benefitet nga ligji nuk do t’i gëzojnë qytetarët.

Gusia: Zbatimin e ligjit sjell para përgjegjësisë institucionale dhe para llogaridhënies institucionale

“Shtatë vite për një ligj janë shumë pak do të thotë dhe është fatkeqësisht pas një eksperience të gjatë me këto mekanizma. Amandamenti i ligjit me automatizëm nuk sjellë edhe zbatimin e ligjit, zbatimin e ligjit e sjellë para përgjegjësisë institucionale dhe para llogaridhënies institucionale të gjitha institucioneve që janë të obliguara ta zbatojnë ligjin sepse nëse shkojmë me logjikën që sa herë që nuk zbatohet ligji, ligji i ka fajet atëherë do të jemi në procedura të përhershme të hartimit të ligjeve pa i parë qytetarët benefitet nga ligji”, u shpreh ajo.

Ndërsa, koordiniatori i Zyrës Ligjore pranë Zyrës së Kryeministrit, Agron Gashi u shpreh se këtë vit kanë paraparë për të bërë një vlerësim të Ligjit për Mbrojtje nga Diskriminimi për të parë mangësitë e këtij ligji.

Gashi: Këtë vit do bëjmë vlerësimin ekspost të këtij ligji

“Sa i takon pyetjes se përse nuk janë nxjerrë aktet nënligjore për këtë ligj dihet se për të nxjerrë aktet nënligjore duhet me pas bazën specifike në ligj, është vetëm neni 11 që obligon qeverinë me nxjerrë rregulloren për mekanizmat institucional për mbrojtje nga diskriminimi në qeveri dhe komuna dhe kjo rregullore është nxjerr në vitin 2017... Sivjet kemi me bë vlerësimin ekspost të këtij ligji, vlerësimi ekspost bëhet për ligje që janë 1 apo 2 vite të vjetra dhe shihen se ku janë mangësitë e këtij ligji”, tha ai.

Komisioni për të Drejtat e Njeriut, Barazi Gjinore, për Persona të Pagjetur, Viktimat e Dhunës Seksuale të Luftës dhe Peticione sot është takuar edhe me përfaqësuesit e punëtorëve të ndërmarrjes “19 Qershori” në Podujevë lidhur me pretendimin për shpërndarjen jo të plotë të të ardhurave personale nga AKP.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat