Rigjykimi ndaj Naser Kelmendit, dëgjohet dëshmia e dëshmitarit K2

Aktuale

Rigjykimi ndaj Naser Kelmendit, dëgjohet dëshmia e dëshmitarit K2

Më: 25 mars 2022 Në ora: 14:49
Naser Kelmendi

Në Gjykatën Themelore në Prishtinë, në gjykimin që po zhvillohet ndaj Naser Kelmendit, në mungesë të përkthyesit gjyqësor është dëgjuar dëshmia e dëshmitarit K2 me anën e video-incizimeve.

Kelmendi, më 1 shkurt 2018, ishte dënuar me gjashtë vjet burgim vetëm për pikën 8 të aktakuzës, pasi ishte shpallur fajtor për veprën penale të trafikimit me narkotikë, mirëpo Gjykata e Apelit e kishte anuluar aktgjykimin e shkallës së parë dhe rastin e kishte kthyer në rigjykim, raporton “Betimi për Drejtësi”.

Mbrojtësi i të akuzuarit Kelmendi, avokati Besnik Berisha në seancën e 28 janar 2022, kishte propozuar që të dëgjohet dëshmia e dëshmitarit K2 me anë të video-incizimeve.

Gjykimi i së premtes ka vazhduar me dëgjimin e dëshmisë së dëshmitarit K2 me anë të video-incizimeve e dhënë në shqyrtimin gjyqësor të mbajtura më 9 mars 2017, në gjuhën serbo-kroate dhe në gjuhën angleze.

Kurse kjo seancë është zhvilluar në mungesë të përkthyesit gjyqësor, pasi sipas kryetares së trupit gjykues, gjykatëses Suzana Ҫerkini përkthyesi i gjuhës angleze nuk është pjesë e gjykatës pasi ka kaluar në prokurori, ndërsa ka shtuar se kjo gjykatë nuk ka përkthyes të tjerë të kësaj gjuhe.

Ndërsa, për përkthyesin e gjuhës serbo-kroate ajo ka thënë se nuk është e nevojshme të jetë i pranishëm pasi palët e njohin këtë gjuhë, kurse anëtarja e trupit gjykues, gjykatësja Violeta Namani e ka procesin e dëshmisë së dëshmitarit K2, i përkthyer në gjuhën shqipe.

Ajo ka shtuar se i vije keq për monitoruesit e sistemit të drejtësisë që nuk ka përkthyes.

Një pjesë e deklaratës së dëshmitarit K2 nga procesverbali i përkthyer në gjuhën shqipe, është lexuar nga gjykatësja Çerkini, e cila pjesë sipas mbrojtësit të të akuzuarit Kelmendi, avokatit Besnik Berisha ka të bëjë vetëm me besueshmërinë e dëshmisë së këtij dëshmitari.

Seanca e radhës në këtë rast pritet të mbahet më 28 mars 2022.

Gjykata Themelore në Prishtinë, më 1 shkurt 2018, kishte shpallur aktgjykimin ndaj të akuzuarit Naser Kelmendi, i cili akuzohej për disa vepra penale. Kelmendi ishte dënuar me gjashtë vjet burgim, vetëm për pikën 8 të aktakuzës, pasi ishte shpallur fajtor për veprën penale për trafikim me narkotikë.

Ndërsa, ishte shpallur i pafajshëm për veprat tjera penale që lidhen me vrasjen e Ramiz Delaliqit, për krim të organizuar si dhe për pikat tjera të aktakuzës, që lidhen me shitjen dhe prodhimin e substancave narkotike.

Në arsyetimin e këtij aktgjykimi, kryetarja e trupit gjykues, Anna Adamska Galant, kishte thënë se gjykata kishte vendosur ta lirojë nga këto pika, pasi nuk është provuar se Naser Kelmendi ka kryer këto vepra penale. Sipas saj, gjykata kishte vlerësuar se nuk kishte prova për të mbështetur akuzën për vrasje.

Në dënimin e shqiptuar, atij i ishte llogaritur edhe koha e kaluar në paraburgim, ndërsa ishte obliguar që t’i paguajë shpenzimet procedurale pjesërisht në vlerë prej 5 mijë euro.

Gjykata kishte vendosur ta caktojë edhe masën e paraburgimit ndaj tashmë të dënuarit Kelmendi, pasi sipas saj, dënimi është mbi pesë vjet.

Prokuroria kishte ngritur aktakuzë në korrik të vitit 2014, kundër Naser Kelmendit, të cilin e ngarkonte me 9 pika të aktakuzës.

Kelmendi, i cili është gjykuar nga një trup gjykues me shumicë të gjyqtarëve të EULEX-it, ishte arrestuar në maj të vitit 2013, ndërsa nga ajo kohë kishte qëndruar në paraburgim deri më 28 shkurt të viti 2017, kur iu zëvendësua kjo masë me atë të arrestit shtëpiak.

Më pas, Gjykata e Apelit e kishte kthyer prapë në paraburgim, ndërsa më 17 mars të vitit 2017, ishte liruar nga paraburgimi përsëri nga Gjykata Themelore në Prishtinë.

Ndaj këtij vendimi ishte ankuar prokurori, ndërsa Gjykata e Apelit e kishte miratuar ankesën e tij duke e kthyer në paraburgim prapë të akuzuarin Kelmendi.

Më vonë, Kelmendi, në qershor të vitit 2017, prapë është liruar nga paraburgimi për tu mbrojtur në liri, gjë që e bën edhe tani pasi që ndaj tij, nuk ka të caktuar ndonjë masë për sigurimin e prezencës së tij në gjykatë, pasi që u është përgjigjur rregullisht ftesave të gjykatës.

Prokuroria Speciale, Naser Kelmendin e ka ngarkuar me veprat penale: krim i organizuar, vrasje e rëndë, blerje, posedim, shpërndarje dhe shitje e paautorizuar e narkotikëve të rrezikshëm dhe substancave psikotropike dhe prodhim e përpunim i paautorizuar i narkotikëve të rrezikshëm dhe substancave psikotropike, të përmbledhura në 9 pika të aktakuzës.

Prokuroria pretendonte se Kelmendi në bashkëkryerje me Fahrudin Radonçiqin, Ekrem Lekiqin, Muhamed Ali Gashin, Milovan Jeremiqin, Lubisha Buhan “Çume”, Milan Ostojiqin, “Sandokanin”, Naser Oriqin, Senad Sahinpasiqin, Nebojsha Vukomanoviqin, Raseta Stranjan, Benjamin Halimoviqin, Edin Ahmetshahiqin dhe të tjerë, ka organizuar, formuar, mbikëqyrur, udhëhequr dhe apo drejtuar grupin kriminal të organizuar dhe të strukturuar, apo ka marrë pjesë aktivisht në këtë grup të organizuar kriminal që kanë kontribuar në kryerjen e krimeve të rënda, e që veçohet vrasja e “kryegangsterit rival” Ramiz Delaliq- “Çelo”, në vitin 2007.

Për vrasjen e Delaliqit, sipas prokurorisë, Naser Kelmendi, në vitin 2006, ka bërë një sërë takimesh në Sarajevë, me Fahredin Radonçiqin, Ekrem Lekiqin, Muhamed Ali Gashin, Senad Sahipasiqin, Naser Oriqin dhe me të tjerë, për  të planifikuar dhe për të bërë komplotin dhe për të vrarë, Ramiz Delaliq.

Prokuroria pretendonte se si rezultat i këtyre takimeve të organizuara, Naser Kelmendi është ofruar dhe ka pranuar përgjegjësi për të identifikuar dhe punësuar varësit që do të kryenin vrasjen e Ramiz Delaliqit, për kryerjen e kësaj vrasje prokuroria ka thënë se Kelmendi ka angazhuar me pagesë Strahinja Raseta dhe Nebojsha Vukomanoviq nga Serbia, për të vrarë Ramiz Delaliqin, më 27 qershor 2007 në Sarajevë rreth orës 23:30.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat