Kurti për krerët e UÇK-së në Hagë: Mbase do t’i vizitojë

Aktuale

Kurti për krerët e UÇK-së në Hagë: Mbase do t’i vizitojë

Më: 1 qershor 2022 Në ora: 14:08
Foto ilustrim

Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti ka folur për krerët e UÇK-së të cilët po mbahen në paraburgim në Hagë.

Ai në konferencën për media pas mbledhjes së Qeverisë, është pyetur nëse do t’i vizitojë ata në Speciale, njëjtë siç ka vepruar homologu i tij shqiptar, Edi Rama.

Kurti tha se krerët e UÇK-së, të cilët ai i quan “luftëtarë të dalluar të UÇK-së”, po mbahen në Hagë në një paraburgim të stërzgjatur.

“Unë kam konsideruar që më e rëndësishmja për fazën nëpër të cilën kalojmë, për Gjykatën Speciale, që nuk është e lëvzhdueshme për nga transparenca, të kontaktoj, komunikoj, diskutoj me avokatët e luftëtarëve të UÇK-së që janë në Hagë e po mbahen në paraburgim të stërzgjatur. Mbase edhe mund t’i vizitoj, por po tregoj çka është më e rëndësishme të bëj unë si kryeministër.

E kjo është komunikimi dhe diskutimi me avokatët e mbrojtjes të cilët i kanë klientët e tyre ndaras të cilët paguhen shumë nga Republika e Kosovës, e në anën tjetër që të gjithë të pandehurit konsiderohen së bashku, nga Prokuroria për të keq, edhe nga ana e Republikës së Kosovës që ata i njeh si luftëtarë të dalluar të UÇK-së”, tha i pari i Qeverisë.

Tutje, ai tha se avokatët duhet ta përgatisin mirë mbrojtjen e tyre në atë formë që mbrojtjet të mos dalin kundër njëra-tjetrës.

“Avokati ka prioritet klientin e vet individualisht, por është Republika e Kosovës, Qeveria dhe unë si kryeminsitër që e kuptojmë se do bëhet mirë për ata që janë në paraburgim të zgjatur, atëherë kur do bëhet mirë për të gjitha ata. Për secilin do bëhet mirë, kur të bëhet mirë për të gjithë ata. Është e rëndësishme që mbrojtjet e të pandehurve të mos shkojnë në dëm të njëra tjetrës.

Në pyetje atje nuk janë vetëm individët. E dini që qysh në verën e 2020-ës, unë kam paraqitur kritikën dhe kundërshtimin tim për atë që është quajtur Ndërmarrje e Përbashkët Kriminale. Merreni me mend, që fillon në marsin e vitit 1998, kur ka ndodhë Epopeja e UÇK-së. Kam bërë edhe kritika të tjera, dhe dua ta kem qasjen e përgjithshme të shtetit dhe Qeverisë time për atë që është interes të përbashkët”, tha Kurti në konferencë për media”.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat