SHIK-u dhe lidhjet e fuqishme me UDB-në, Thaçi, Haliti, Veseli, Syla / Secili shef me nga një UDB-ash në skuadër!

Aktuale

SHIK-u dhe lidhjet e fuqishme me UDB-në, Thaçi, Haliti, Veseli, Syla / Secili shef me nga një UDB-ash në skuadër!

Nga: Idriz Morina Më: 26 korrik 2022 Në ora: 19:50
Foto ilustrim

Ishte luftë dhe ditë të tmerrshme, të vitit 1998 e 1999. Por, dikush kishte gjetur kohë mjaftueshëm për të nisur një luftë të brendshme, të motivuar nga pamundësia e ‘marrjes së kalasë nga brenda’, institucioneve të Kosovës, ata do të mundohen ta realizojnë qëllimin nëpërmjet vrasjeve, frikësimeve, linçimeve, shantazheve, ryshfetit etj.

Por, gjykata speciale as sot, nuk iu ka dhënë të drejtë dy figurave kyçe të paraburgosura, që besohet se kryen vrasje politike, Hashim Thaçit ish-shef i Qeverisë së Përkohshme të Kosovës si dhe drejtor politik i UÇK-së, dhe Kadri Veselit shef i SHIK-ut, dhe Zbulim e Kundërzbulimit në UÇK.

Gjykata speciale edhe njëherë e ka dëshmuar seriozitetin e saj, duke i dhënë përgjigje negative kërkesave të mbrojtjes së Thaçit e Veselit, që së bashku me Jakup Krasniqin e Rexhep Selimin, po mbahen të arrestuar në Hagë.

Sipas gjykatës argumenti kryesor është se meqë Veseli, e din se me akuzat e ngarkuara mund të dënohet shumë rëndë, ai mund të provojë ti ikë drejtësisë, dhe t’i pengojë dëshmitarët, gjë kjo e provuar me dënimin e dy të pandehurve, Gucati dhe Haradinaj.

Krimet për të cilat akuzohen ata, përfshijnë një numër të madh të vrasjeve politike, apo siç i referohet gjykata speciale, të vrasjes së kundërshtarëve politik, janë bërë në emër të propagandimit se Ibrahim Rugova, dhe gjithë njerëzit në krye të organizimit politik dhe ushtarak në shtetin paralel, ishin “bashkëpunëtorë të Serbisë”.

Vrasjet u kryen kryesisht nëpërmjet filtrimit të listave të ekzekutimit, dhe që në krye të herës e kishin një listë të gjatë, që thuhet se shkonte në mbi një mijë veta. Numri një ishte Ibrahim Rugova, numri 2 Fehmi Agani, e me radhë sipas ndikimit dhe fuqisë që kishin në institucione dhe popull, deri në kryetar degësh e në funksione më pak të rëndësishme.

Por, a ishin këta burra që i udhëhiqnin vrasjet politike, i ndërtonin akuzat, listat, ekipet, i ndanin paratë, i financonin edhe aso kohe mediat, ekipet e spastrimit të vendit të ngjarjes, të dëshmitarëve të vrasjeve, të vrasjes së vrasësve dhe pastaj sërish dëshmitarëve. Një proces shumë kompleks për t’u menaxhuar.

Por, që të gjithë në kohë të hershme apo të mëvonshme, të akuzuarit nga gjykata speciale, të intervistuarit prej saj, si ish-krerë të Shtabit të Përgjithshëm, nëse vetë nuk kishin nga një lidhje speciale, a kishin nga një agjent të UBD-së në ‘skuadër’!

Këto argumentohen nga hetimet dhe raportet publike të dokumenteve të NATO-s, nga proceset gjyqësore si në rastin Bllaca apo edhe nga raportimet e vazhdueshme në media.

Lidhjet me agjentë të UDB-së:

 

Xhavit Haliti me Ali Haskajn

Hashim Thaçi me Ali Haskajn, më vonë me Branisllav Nikoliqin (pas shuarjes së SHIK-ut)

Kadri Veseli me Fatmir Shehollin (ky dhe me Elmi Reçicën etj.).

Azem Syla me Fahredin Gashin etj.

Bislim Zyrapi - Shefi i Shtabit të Përgjithshëm të UÇK-së, ish agjent i KOS-it! etj.

Madje dokumentet e KFOR-it amerikan Xhavit Halitin, e shohin eksponent të rrezikshëm, që sipas tyre, ‘raportohet se ka lidhje me UDB’-në.

Për lidhje të mundshme të Hashim Thaçit me UDB-në disa relacione dhe media kanë argumentuar se vëllai i tij kishte bashkëpunuar, por që në raportet e NATO-s nuk përmendet.

Ndërsa Hashim Thaçi, gjatë kohës sa ishte president e kishte emëruar këshilltar një agjent të BIA-s (ish-UDB-së) serbe Branisllav Nikoliqin, i cili aktualisht është deputet i Listës Serbe dhe është vëllai i ish-kryetarit të Shtërpcës, të arrestuar për korrupsion, Bratisllav Nikoliqit. Sipas raportimeve në media Hashim Thaçi edhe këtë të fundit e kishte ‘mik’.

Sipas një reagimi publik të bërë në faqen e tij në Facebook, Bajram Mehmeti, vëllai i zëvendësministrit të luftës Agim Mehmetit, e akuzon hapur Bislim Zyrapin ish-shefin e Shtabit të Përgjithshëm të UÇK-së, se në vitet e ’80-ta kishte bashkëpunuar me UDB-në.

“Bislim Zyrapi jo vetëm se ka dëshmuar rrejshëm kundër vëllait tim tani të ndjerë Agim Mehmetit, por e ka spiunuar në vazhdimësi Agimin, ka bashkëpunuar fort me organet e sigurimit ushtarak serbo-jugosllav të ushtrisë serbo-jugosllave, gjë që është vërtetuar edhe gjatë procesit të hetuesisë dhe gjatë gjykimit kundër Agimit dhe të tjerëve.

Ate që e ka lënë me shkrim Agimi e vërtetoj edhe unë, natyrisht me përgjegjësi morale, penale dhe kombëtare. Këtë që po e them e vërtetojnë edhe dëshmitë e shumta me shkrim si dhe dëshmitarët e shumtë një pjesë e të cilëve fatmirësisht janë gjallë. Bislim Zyrapi, në ato vite, ka bashkëpunuar me UDB ushtarake me zell të madh, me këmbëngulësi, paturpësi dhe vetëdije të plotë".

“Caktimi i Zyrapit Shef i Shtabit të UÇK-së, e më vonë Këshilltar për Siguri Kombëtare nga ana e Presidentit të Kosovës (H.Th.) si dhe dekorimi i Zyrapit me Dekoratën për merita kombëtare shtron pikëpyetje të mëdha. E nuk është se gjatë luftës nuk kanë qenë të njoftuar. Unë personalisht e kam pasë njoftuar një anëtar të Shtabit të UÇK-së për veprimtarinë udbeske të Zyrapit. Megjithatë???!!!”, shkruante ndër të tjera Mehmeti.

Rasti i Fahredin Gashit

Fahredin Gashin, Nazim Bllaca e përshkruante si anëtar të ‘skuadrës’ së Azem Sylës, me të cilin thoshte dhe nën urdhrat e SHIK-ut se kishin kryer disa vrasje, ndër ato të dy ish-zyrtarëve të UDB-së.

Por, gërmimet e mëtejshme në media dëshmonin, një pjesë të të cilave e kishte deklaruar ai vetë në Tribunalin e Hagës, se kishte lidhje shpirtërore me serbët, dhe me oficer të policisë, të cilët në vitet e luftës kryenin dhunë sistematike.

Fahredin Gashi u dënua me 18 vjet burgim për vrasjet e kryera, ndërsa Bllaca vetëm 4.5 vjet, pasi ai pjesërisht u fal për bashkëpunimin, dhe iu llogarit edhe gjithë koha e kaluar në arrest shtëpiak.

Por, Gashi në dëshminë e tij në Hagë, që ndodhet e regjistruar me zë, nga minuta e 31:50, tregon për raportet e shkëlqyera që kishte me komandantët e policisë së Shtimes, ndërsa e ilustron me emrin e Dragan Gjorgjeviqit, dhe rrëfen në detaje se sa ishte e madhe ajo miqësi, transmetonin mediat në Kosovë vite më parë, duke iu referuar incizimeve të dëshmive publike në Hagë. Ndërsa, gjatë luftës edhe vishet me uniformë të UÇK-së, por sipas tij, “lufta kishte filluar vetëm gjatë bombardimit të NATO-s”.

Ai dëshmonte në Hagë se kishte qenë hapur në anën e Serbisë. Madje edhe qejfet i bënte me serbe.

“Nuk mund të përballoja atë jetë të maleve, unë isha mësuar me jetë të mire, unë gjithmonë kam pasur para. Unë me Miss Jugosllavia, Dragana Tucakoviç, kam qenë për pushime në Turqi për 15 ditë”, thoshte Fahredin Gashi në Hagë, njeriu i besueshëm i Azem Sylës.

“Kemi dëgjuar muzikë serbe gjithmonë”, thotë Gashi për Tribunalin e Hagës.

Ai kishte gënjyer hapur, kur e kishte thënë këtë në gjykatë, se shqiptarët dëgjonin muzikë serbe. Rastet e tilla ishin të rralla, dhe kjo mund të ndodhte në familjet e pakta që kishin mbetur me serbi, apo nëpër lokalitete të vogla, ku mund të ketë pasur një lloj vazhdimësie të bashkëjetesës. Por, atëherë shqiptarët e bojkotonin çdo institucione politik e administrativ serb, përfshirë ato kulturore.

Rastet tjera

Nazim Bllaca, ishte një tjetër agjent i SHIK-ut, që kishte bashkëpunuar me UDB-në, i cili pasi ishte përdorur nga kjo organizatë dhe Azem Syla, duke marrë pjesë në likuidimin e dy ish-agjentëve të SHIK-ut, vite më vonë pas mosmarrëveshjeve me grupin përfshirë ato për ndarje të fitimeve dhe dëmeve, u shkëput dhe doli me akuza publike, duke zbërthyer disa nga krimet.

Dokumentet amerikane të KFOR-it, pohonin se Xhavit Haliti, por edhe Hashim Thaçi ishin të lidhur me një agjent të UDB-së, Ali Haskajn i akuzuar për pjesëmarrje në vrasje.

“Përveç lidhjeve me Gecin, njëri nga krerët e PDK-së, kishte lidhje me Ali Haskajn, një ish- spiun që ka një reputacion të madh për sulme vrasëse, ku kostoja për një sulm kap shumën prej 10 mijë deri në 20 mijë marka gjermane”, thuhet në raport.

“Xhavit Haliti ka qenë i përzier në grupin e Haskajt bashkë me Hashim Thaçin”, thekson raporti.

Ndërsa, lidhjet e Kadri Veselit me agjent të UDB-së, i ka dëshmuar vet ish-agjenti Fatmir Sheholli ditë më parë.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat