Kurti: Manifesta 14 në Prishtinë është një hap i madh në agjendën tonë artistike ndërkombëtare

Aktuale

Kurti: Manifesta 14 në Prishtinë është një hap i madh në agjendën tonë artistike ndërkombëtare

Nga: M.L. Më: 31 korrik 2022 Në ora: 18:32
Albin Kurti

Kryeministri i Republikës së Kosovës Albin Kurti ka shkruar për vëmendjen që po merr Kosova në mediet ndërkombëtare.

Në një postim në Facebook ai ka shkëputur disa pjesë nga shkrimet e ditëve të fundit për Kosovën të mediave prestigjioze, por edhe arsye të prekshme pse investimi në art është përherë ide e mirë

“"The Economist" britanik tregon si Kosova mbi 20 vjet pas luftës po bëhet lidere rajonale në art bashkëkohor, "Le Monde" francez i jep jehonë kërkesës për liberalizim të vizave, "A*DESK" spanjoll flet për shtetin dhe kryeqytetin më të ri europian.

Këto nuk janë vetëm shkëputje nga shkrimet e ditëve të fundit për Kosovën të mediave prestigjioze, por edhe arsye të prekshme pse investimi në art është përherë ide e mirë. Ide e mirë sepse kthimi është i madh dhe i qëndrueshëm, si në reputacion e diplomaci, ashtu edhe në ekonomi, arsimim e mirëqenie.

Manifesta 14 Prishtina ka nisur para dhjetë ditësh, mbeten edhe 90 ditë deri në fund. Efektet e para janë tejet pozitive, si në promovimin e shtetit tonë përmes shkrimeve në mediat botërore, ashtu edhe në numrin e vizitorëve në 25 lokacionet e bienales. Në ditët e para hapjes dhe hapjes Manifesta priti 6500 vizitorë, ndërsa në javën e parë nga hapja rreth 10 mijë vizitorë”, shkruan kryeministri.

Ai thekson se Kosova ka artistë të nivelit botëror dhe institucione kulturore që organizojnë ngjarje botërore.

“Manifesta 14 në Prishtinë është një hap i madh në agjendën tonë artistike ndërkombëtare. Sa moment për të festuar bashkë këtë arritje, aq edhe mundësi për të synuar edhe më shumë viteve në vijim.

Prandaj, si qeveri po investojmë shumë në kulturë, duke zhvilluar politika të qëndrueshme. Sepse kjo është mënyra e duhur për ta çuar tutje potencialin e komunitetit tonë artistik, si dhe falënderimi ynë për punën dhe angazhimin e tyre jo rrallë herë të nënvlerësuar.

Në vitin kur kemi nisur konceptimin dhe themelimin e Muzeut të Artit Bashkëkohor, Manifesta po na ofron mundësi të shkëlqyer për t'u lidhur edhe më fuqishëm me botën. Por, nuk mund të ishim më krenarë se me faktin që 40 nga artistët pjesëmarrës në këtë edicion janë nga Kosova. Shumë më shumë se në cilindo edicion të Manifestas nga vitet e 90-ta.

Pa dyshim, Hedëig Fijen bashkë me ekipin po bëjnë punë të mrekullueshme. Plot njerëz janë angazhuar ndër vite që Manifesta të ketë këtë shkëlqim. Ky është sukses i përbashkët i yni. Ndërkaq Manifesta sapo ka filluar, dhe do të jetë këtu deri në fund të tetorit.

Arti është lidhja jonë e fuqishme me botën”, përfundon ai.

Postimi i plotë:

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat