Marrëveshja e Ohrit, dykuptimësi e paqartësi: Interpretimi i nenit 7 për vetëmenaxhimin e serbëve

Aktuale

Marrëveshja e Ohrit, dykuptimësi e paqartësi: Interpretimi i nenit 7 për vetëmenaxhimin e serbëve

Më: 21 mars 2023 Në ora: 10:13
Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti dhe presidenti i Serbisë, Aleksandar Vuçiq

Takimi i 18 marsit në Ohër përfundoi me marrëveshje në mes të Kosovës e Serbisë, por pa nënshkrimin e saj.

Megjithatë, SHBA-të e BE-ja kanë thënë se ajo duhet të nisë zbatimin menjëherë edhe pse nuk është nënshkruar.

Lidhur me marrëveshjen apo aneksin për zbatimin e planit evropian, ka folur Arbër Fetahu nga Grupi për Studime Juridike dhe Politike (GLPS).

Ai thotë se ajo karakterizohet nga dykuptimësitë në gjuhë dhe substancë dhe se nuk ka qartësim siç do të duhej të kishte në këtë e as nuk ka afate kohore të sakta për secilën pjesë.

“Marrëveshja e Ohrit apo Aneksi për zbatimin e marrëveshjes edhe në këtë rast karakterizohet nga dykuptimësitë në gjuhë dhe substancë. Në vend që të kishte qartësim më të madh të gjuhës dhe afate kohore të sakta për secilin pikë, ky Aneks vetëm në dy pika ka të përcaktuar afate kohore, dhe në pikat tjera nuk ka afate kohore për implementim. Aneksi lë shumë për të dëshiruar për arsyet e cekura më lart. Megjithatë, është e rëndësishme që Aneksi në njëfarë forme e bën të detyrueshme zbatimin e marrëveshjes bazë në tërësi e që krijon një rrethanë të re të raporteve me Serbinë. Si tërësi, konsideroj që plani i zbatimit është dashur të jetë më preciz, gjë që do ta bënte implementimin e tij me të parashikueshëm”, thekson ai.

Si përfitime sipas Fetahut mund të jetë avancimi i raporteve me Serbinë në nivelin e njohjes ‘de facto’, pastaj njohja e simboleve shtetërore, integritetit territorial të shteteve, targave, diplomave, certifikatave dhe fakti që Serbia nuk do ta pengojë Kosovën për anëtarësim në organizata ndërkombëtare.

“Përfitimet për Kosovën mbetet të shihen në të ardhmen. Por, përfitimet janë te pika ku thuhet që nenet e marrëveshjes bazë bëhen të obligueshme me këtë aneks. Në këtë rast, përfitimet më të mëdha është avancimi i raporteve me Serbinë në nivelin e njohjes ‘de facto’ bazuar në parimet universale të së drejtës ndërkombëtare dhe të marrëdhënieve mes shteteve. Si njohja e simboleve shtetërore, integritetit territorial të shteteve, pastaj njohjes së targave, diplomave, certifikatave, etj. Dhe, një nga përfitimet më substanciale është mospërfaqësimi i njëra-tjetrës në arenën ndërkombëtare, dhe zotimi që Serbia nuk e pengon Kosovën për anëtarësim në organizata ndërkombëtare”, vlerëson ai.

Ndërsa, lidhur me nenin 7 të këtij plani, lidhur me vetëmenaxhimin e serbëve, ai thekson se ka nevojë për sqarim dhe lë hapësirë për interpretim kjo fjalë, teksa shton se vetëadministrimi është më pak se vetëqeverisja, por duhet të shihet a do të implementohet me këtë asociacioni i komunave me shumicë serbe.

“Edhe në këtë rast ka hapësirë për interpretim te fjala e ‘duhur’ apo vetëmenaxhim i duhur i serbëve, edhe këtu duhet qartësim preciz në bazë të modeleve evropiane. Nuk shoh diçka të re tek ky nen krahasuar me planin e Ahtisaarit dhe marrëveshjeve të së kaluarës, dhe referimi te marrëveshjet e së kaluarës është marrëveshja e 2013-ës qe ju ofron serbëve të Kosovës një instancë të re të vetëqeverisjes. Në aspektin semantik gjuhësor vetëadministrimi është më pak se vetëqeverisja, por duhet ta shohim se si do të implementohet në terren dhe a do të ketë referim 100% tek Marrëveshja e Parimeve së 2013-ës, ku 6 pika të kësaj marrëveshjeje flasin për krijimin e Bashkësisë se Komunave me Shumicë Serbe”, deklaron Arbër Fetahu.

Ndryshe, kryeministri Albin Kurti do të raportojë të enjten në Kuvend lidhur me takimin e Ohrit, derisa këtë e ka kërkuar edhe opozita, e cila përpos AAK-së, e ka kundërshtuar marrëveshjen e arritur.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat